Firmat italiane në sektorin e shërbimit vazhduan të shohin një rënie drastike në biznes, ndërsa Gjermania ka ruajtur të njëjtat nivele.
Indeksi më i fundit i Blerjes së Menaxherëve regjistroi një nivel prej 47, një rritje fare e lehtë nga muaji tetor. Nivelet nën 50 nënkuptojnë rënie aktiviteti.
Indeksi, i cili është bazuar në një sondazh biznesi, përforcon treguesit se ekonomia e Eurozonës është në recesion.
Italia dhe Franca kanë raportuar të dyja kontraktimet e vazhdueshme në sektorët e tyre të shërbimit, me një ritëm të reduktuar krahasuar me tetorin. Në Itali, indeksi i blerjeve për shërbimet menaxheriale shënoi rritje, duke tejkaluar edhe Kinën, (nga 43.9 pikë në muajin tetor në 45.8 pikë në nëntor).
Sipas sondazheve, për Eurozonën si një e tërë, sektori i shërbimeve është zvogëluar për muajin e tretë radhazi.
“Niveli i përgjithshëm i besimit mbetet më i ulët se në çdo kohë që nga marsi 2009”, tha kryeekonomisti i “Markit”, Chris Williamson.
“Ofruesit e shërbimeve mbeten të shqetësuar për ndikimin e krizës së borxhit, gjë që ka errësuar parashikimin ekonomik”.
Kombinuar me anketime të ngjashme për sektorin e prodhimit në Eurozonë, “Markit” tha se ekonomia në Eurozonë pritet të tkurret me 0.6% në tremujorin e fundit të vitit, me Italinë që pritet të përkeqësohet edhe më shumë.
Spanjë, bie prodhimi industrial
Në muajin tetor, industria spanjolle regjistroi rënie me 4%, në bazë vjetore, shifra më e ulët në 21 muajt e fundit. Kjo është vlerësuar nga ekspertët si shenjë e tkurrjes së ekonomisë spanjolle. Në muajin shtator, rënia u llogarit në 1.8%, aq sa edhe një muaj më parë. Sipas të dhënave të Institutit Spanjoll të Statistikave indeksi i prodhimit industrial, që gjatë këtij viti u rrit vetëm në janar dhe shkurt, ka shënuar rënie me 0.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të gjithë sektorët industrialë shënuan reduktim, në bazë vjetore saktëson Instituti.
Prodhimi i mallrave të qëndrueshëm të konsumit u ul me 14%, ndërsa ai i mallrave të ndërmjetëm me 5.8%, ndërsa prodhimi i energjisë u ul me 7.6%. Për produkte jo të qëndrueshme të konsumit, rënia u shënua me 1%, ndërsa prodhimi i mallrave kapitalë u ul me 1.5%.
Edhe në Itali e njëjta situatë
Prodhimi industrial italian pësoi një rënie vjetore prej 4.2% gjatë muajit tetor, sipas të dhënave të Institutit Italian të Statistikave. Krahasuar me muajin shtator, prodhimi në industritë italiane ra gati 1%. Rënia prej 4.2% është treguesi më i keq i shënuar që nga dhjetori 2009.
Pas një shtatori “të zi”, pritshmëritë e ekonomistëve ishin për një tjetër muaj negativ, por pjesa më e madhe e tyre nuk parashikonin një ulje kaq të theksuar, si në nivel vjetor edhe në atë mujor. Kuptohet që edhe prodhimi i muajit tetor ishte më keq se ç´pritej. Të ndarë në sektorë, në muajin tetor pati një rritje për të mirat e konsumit (+0,3%), ndërsa shënon një ulje të theksuar prodhimi i energjisë (-6,3%).
Të dhënat e tremujorit të prodhimit industrial “fatkeqësisht janë shumë negative”, është shprehur presidentit i ipresidenti i ISTAT Enrico Giovannini. Kjo ulje flet për vazhdim të reduktimit të PBB-së për dy tremujorë rresht, ka shpjeguar Giovannini. Për më tepër, ai theksoi se, “vlerësimet e bëra nga të tjerët tregojnë se jo vetëm tremujori i tretë por edhe i katërti mund të jetë negativ”. Në këtë rast sipas tij, “do të kishim në një recesion teknik”.