Transformimi dixhital kundrejt një viti në pandemi … hapi tjetër që duhet ndjekur nga Fintech!

05/12/2020 10:10 PM 0 komente

Nga Eneida Thomaj, Drejtore e Përgjithshme, PayLink Sh.A.

 

Në pjesëmarrjen më të fundit në konferencën vjetore “No time like the present” (2020), Inma Martinez, shkencëtare në A.I., komentoi se njerëzit e kanë në natyrë ndryshimin dhe janë të gatshëm për të pranuar transformimin dixhital, sidomos në kohë të imponuara nga COVID-19.

Transformimi dixhital nuk perceptohet tashmë si një proces që cenon punën e njerëzve, përkundrazi, është një mjet efektiv që mund të përdoret nga kompania në të gjitha proceset e saj, qoftë operacionale, qoftë të zhvillimit të biznesit.

Transformimi dixhital mund të përdoret në të gjithë portofolin e proceseve të një kompanie, në analizën e sjelljes konsumatore (për të ndërtuar një produkt që plotëson nevojat e reja të klientëve dhe për të analizuar nëse kjo sjellje del jashtë rutinës normale të klientelës e për të perceptuar në këtë mënyrë një transaksion në mashtrim, duke reaguar në kohë reale), si dhe në automatizimin/dixhitalizimin e nënproceseve të punës që kushtojnë kohë.

Si mund të arrihet transformimi digjital? Nga duhet të fillohet për të pasur një strategji të transformimit dixhital? Së pari, teknologjia e duhur…

Në studimin kërkimor më të fundit të Fintech Connect, “Driving the Digital Revolution”, ku kanë marrë pjesë 150 Fintechs nga e gjithë bota (41% me lokacion në Angli, 31% në SHBA dhe 26% në Europë), me 39% të të anketuarve që operojnë si institucione tradicionale financiare dhe 29% të të anketuarve që operojnë në tregun e sigurimeve, në lidhje me përqasjen karshi teknologjisë “Cloud”, konkludohet se:

(a) 33% e të anketuarve mendojnë se shërbimet “Cloud” luajnë rol të moderuar në performancën e biznesit të tyre, 38% mendojnë se luajnë rol të rëndësishëm dhe 13% një rol kritik;

(b) 36% e të anketuarve mendojnë se platformat “Cloud” ofrojnë impakt të lartë në përmirësimin e eficiencës dhe performancës së biznesit dhe 35% e tyre mendojnë se ndikojnë në fleksibilitetin e shërbimeve të IT. Shumë biznese po parashikojnë që teknologjia për të avancuar e për të mbijetuar në këto kushte është “Cloud”.

Në aspektet e prekura më lart, të dhënat janë monedha mbi të cilën bazohen veprimet për transformimin dixhital. Të dhënat duhet të grumbullohen fillimisht e të përpunohen për të arritur transformimin (transformim në produkte, në process-flow të punës, në analizën e veprimeve të dyshuara për mashtrim etj.).

Përkatësisht, në të njëjtin studim, komenti nëse marrja e njohurive mbi të dhënat e procesit të punës është apo jo e rëndësishme në kompani, dhe për të nisur në këtë mënyrë ndryshimin, është komentuar nga 35% e të anketuarve si relativisht e rëndësishme, 27% si shumë e rëndësishme dhe 16% si jashtëzakonisht e rëndësishme.

Nga ana tjetër, 76% e të anketuarve janë përgjigjur se brenda 6 muajve në vijim do të përdoren më shumë pajisje / mjete të bazuara në cloud teknologji (për t’u theksuar, personat e intervistuar janë të pozicionuar në C-Level management të kompanive). Teknologjia e duhur duhet të mbështetet me pajisjet e duhura dhe të dhënat e duhura për të shtuar vlerë.

 

Cilat janë sfidat që shoqërojnë transformimin dixhital?

Transformimi dixhital është i pranishëm dhe po kthehet në normalitetin e ri që na rrethon. Konektiviteti, si një nga pikat e nxehta për transformimin dixhital, deri më 2025, mendohet se nuk do të jetë më një çështje penguese. Së fundmi, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, lançoi programin “Universal Broadband Fund”, i cili synon lidhjen me internet të shpejtë të 98% të kanadezëve (përfshirë zonat rurale më të thella) deri më 2026, dhe mbulimin e së gjithë Kanadasë deri më 2030. Qeveri të tjera po ecin në të njëjtat ritme.

Transformimi dixhital do të ecë krah për krah me platformat “Cloud”, duke qenë kjo, një teknologji e avancuar dhe me kosto relativisht më të lirë. Sfida në të tilla ndërmarrje është sulmi kibernetik dhe aksesi në të dhënat personale të individëve.

Thinkers360 Predictions Series, në seritë e publikimeve për parashikimin e Sigurisë Kibernetike për 2021 (komentuar nga komuniteti i ndikuesve të IT më të mirënjohur në mbarë botën) parashikon se deri më 2022, nëntë nga dhjetë Fintechs do të kalojnë në teknologji “Cloud”.

Këto institucione do të investojnë dhe do të kenë rreth 20 miliardë pajisje IoT, për të cilat parashikohet “Cloud Breaches” në rritje për shkak të konfigurimeve jo të sakta të akseseve administrative apo moscertifikimit të sigurisë në përdorimin e tyre. Biznesi retail, duke qenë se po operon nga statusi “offline” në “online”, parashikohet të jetë gjithashtu në ekspozim të rritur ndaj sulmit kibernetik. Kjo ngre kërkesën (si dhe potencialin nga ana tjetër) për shërbime të certifikuara nga siguria kibernetike.

Si paraqitet transformimi digjital në fushën e pagesave në rajon? Në raportin e fundit të paraqitur nga Payments Cards & Mobile (Digital and Card Payment Yearbooks), Ballkani vlerësohet si një nga tregjet që potencialisht ka rritje dyshifrore në terma të numrave të kartave bankare, si dhe të infrastrukturës në përdorimin e tyre.

Në këtë raport përmendet veçanërisht Kroacia me një rritje nga viti i kaluar prej 252.5% në pagesa e-commerce, si dhe me rritje 123% të vlerës së biznesit online; me një përqasje prej 41% në internet banking të popullsisë. Sllovenia shikohet me potencial, ku pagesat me kartë tashmë zënë 46.6% të pagesave “cashless” (në krahasim me nivelin europian prej 56.2%), me rritje vjetore në përdorim të kartave me 24.5% dhe të infrastrukturës fizike (POS) me 11%, e ndërkohë që 77% e bizneseve në vend ofrojnë “online shopping”.

Rumania vlerësohet pozitive përkundrejt rritjes dixhitale në B2B dhe e-commerce, me një rritje 30% nga viti i kaluar, ku 81% e popullatës kanë akses në internet dhe 48% e popullatës përdorin mjete mobile për blerje online. Serbia veçohet nga pjesa tjetër e vendeve të përmendura në raport, për shkak të rëndësisë që skema Lokale DinaCard zë në vend. Kjo skemë përfshin 10% të kartave në Serbi, duke treguar një potencial për t’u vlerësuar në rajon. Bulgaria shikohet më pak e avancuar se shtetet e përmendura më lart, me 28.6% të pagesave “cashless” të kryera me kartë, me 7% të popullatës që përdorin shërbimet e-banking dhe 30% të tyre që përdorin mobile banking për transaksione online.

Për Shqipërinë, duke iu referuar statistikave të BSH, kemi 7% rritje në numrin total të kartave të pagesave për 2019; rritje të infrastrukturës fizike (POS) me 28%, si dhe 23% rritje të terminaleve virtuale për instrumentet e parasë elektronike. Kjo shoqëruar me 38% rritje në numrin e transaksioneve në terminale POS, dhe 18% rritje transaksione në terminalet virtuale (pagesa me para elektronike), dhe përkatësht 23% rritje në vlerë të qarkulluar në terminale POS dhe 28% rritje në vlerë të qarkulluar në terminale virtuale.

Këto statistika, me rritje të infrastrukturës fizike dhe asaj virtuale, rritje të pagesave me terminale virtuale tregojnë për një Shqipëri që ndjek trendet e vendeve të Ballkanit, ku dixhitalizimi si pjesë e saj do të kërkojë hapa të qëndrueshëm e të kujdesshëm nën masat e sigurisë, por nën kulturën e studimit të procesit të punës për të automatizuar dhe shtuar vlerën në çdo hap të procesit të punës.

 

Transformimi dixhital

Transformimi dixhital mund të përdoret në të gjithë portofolin e proceseve të një kompanie, në analizën e sjelljes konsumatore (për të ndërtuar një produkt që plotëson nevojat e reja të klientëve dhe për të analizuar nëse kjo sjellje del jashtë rutinës normale të klientelës e për të perceptuar në këtë mënyrë një transaksion në mashtrim, duke reaguar në kohë reale), si dhe në automatizimin/dixhitalizimin e nënproceseve të punës që kushtojnë kohë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of