Transporti, infrastruktura dhe telekomunikacioni, me interes për bizneset e Meksikës

02/04/2021 10:04 PM 0 komente

Intervistë me z. Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda, ambasador i Meksikës në Shqipëri

 

Sipërmarrjet e mëdha të Meksikës shohin me interes për investime në Shqipëri sektorët e transportit, infrastrukturës, telekomunikacionit, por edhe atë minerar.

Z. Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda, ambasador i Meksikës në Shqipëri, pohon në një intervistë për “Monitor” se korporatat e njohura botërore si Orbia Group mund të kenë interes për projektet e infrastrukturës, Carso Group në fushën e telekomunikacionit dhe gjithashtu Group Mexico mund të interesohet në industrinë minerare të Shqipërisë.

Ai shton se Shqipëria dhe Meksika kanë potencial për të zhvilluar më tej marrëdhëniet tregtare, duke shfrytëzuar marrëveshjet e tregtisë së lirë.

 

Si do t’i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Meksikës deri tani?

Në fushën ekonomike, marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë pozitive, duke kaluar nga pak më shumë se 2 milionë dollarë në pothuajse 9 milionë në ditët e sotme. Ne duhet të përqendrohemi të mësojmë sa më shumë të jetë e mundur nga njëri-tjetri, në mënyrë që të mund ta shndërrojmë marrëdhënien tonë tradicionale në një aleancë më të fortë ekonomike, nga e cila do të mund të përfitojnë edhe më shumë ekonomitë tona si dhe të kontribuojmë në një shkallë më të gjerë në zhvillimin tonë si një i tërë.

Ekziston një potencial i jashtëzakonshëm për të rritur marrëdhëniet tona tregtare dhe investuese, veçanërisht nga fakti që Meksika është pjesë e T-MEC (marrëveshja tregtare SHBA – Meksikë – Kanada) që është NAFTA e re dhe nga ana tjetër, Shqipëria pritet të jetë një anëtare e Bashkimit Europian. Këtu duhet të kemi parasysh dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë që kemi me BE-në, i cili po modernizohet.

 

Cilët sektorë në Shqipëri i shihni më tërheqës për investitorët e huaj, veçanërisht ata nga Meksika?

Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për të reformuar dhe për të modernizuar ekonominë e saj dhe të vendit në përgjithësi. Sipas mendimit tim, fushat më tërheqëse janë transporti, infrastruktura dhe telekomunikacioni. Vendi im, të cilin jam krenar që e përfaqësoj si Ambasador në Shqipëri me seli në Romë, ka një njohuri të rëndësishme në këta sektorë jetikë dhe jam i sigurt që sipërmarrjet mund të gjejnë mënyra për të kontribuar në këtë përpjekje.

 

A ka interes nga kompani të mëdha meksikane për të investuar në Shqipëri dhe nëse mund të përmendni cilat janë?

Meksika ka shumë kompani shumëkombëshe, me ekspertizë në shumë prej sektorëve që Shqipëria po zhvillon tani. Po përmend disa. Kështu, mendoj se korporatat me famë botërore si Orbia Group mund të tërhiqen nga disa prej projekteve tuaja të infrastrukturës, së bashku për shembull me Carso Group, në fushën e telekomunikacionit dhe gjithashtu Group Mexico mund të interesohet në industrinë minerare të Shqipërisë.

 

Si e vlerësoni mjedisin e biznesit në Shqipëri? Cilat janë avantazhet e saj në krahasim me vendet e rajonit?

Si rezultat i punës së palodhur të autoriteteve shqiptare, mjedisi i biznesit është përmirësuar jashtëzakonisht në vitet e fundit. Nuk është surprizë që Raporti i të Bërit Biznesit të Bankës Botërore njeh përpjekje të tilla në renditjen e saj. Shqipëria ka një ekonomi të gjallë dhe elastike, me një bonus demografik. Si shembull, edhe pse 2020 ishte shumë sfidues për të gjithë ne, tregtia jonë dypalëshe nuk u prek dhe mbeti konstante, duke regjistruar pothuajse 9 milionë dollarë si në 2019 dhe në 2020-n.

 

Sipas rekomandimeve tuaja, çfarë duhet të bëjnë të dy vendet për të rritur bashkëpunimin ekonomik midis tyre?

Nga njëra anë, duhet të dimë më shumë nga njëri-tjetri. Ne duhet të rrisim shkëmbimin tonë të informacionit dhe të përfitojmë nga vullneti i përtërirë politik për t’u afruar si ekonomi dhe shoqëri. Promovimi i aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore dhe të orientuara nga komuniteti mund të jetë shumë i dobishëm, si një hap fillestar drejt një marrëdhënie më të ngushtë dypalëshe midis vendeve tona dhe popujve tanë.

Nga ana tjetër, NAFTA e re, ose T-MEC, siç e quajmë ne, na jep një mundësi të jashtëzakonshme për të eksploruar aleanca të reja tregtare dhe projekte bashkë investimesh në zona shumë të rëndësishme për të dy vendet, si energjia dhe hidro-elektriciteti, industria e këpucëve dhe sektori agroushqimor, për shembull. Kjo do t’u lejojë kompanive të mësojnë nga njëra-tjetra, të përmirësojnë aftësitë dhe të bëhen më konkurruese në tregjet e Amerikës së Veriut dhe Europës.

Siç them gjithmonë, Meksika është porta për në Amerikën e Veriut dhe Shqipëria është hyrja në zonën e Ballkanit. Pa dyshim që Shqipëria dhe Meksika kanë shumë hapësirë ​​për t’u rritur së bashku.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of