Në tremujorin e tretë të këtij viti, tregu i punës shfaqi dobësi në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019, si pasojë e efekteve negative të pandemisë, duke lënë të papunë gati 15 mijë persona, por të rinjtë, ata të grupmoshës 15-29 vjeç, kanë qenë përfitues.
Të dhënat e INSTAT nga Anketa e Forcave të Punës tregojnë se, gjatë tremujorit të tretë 2020 ishin të punësuar 2640 të rinj më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti me parë. Punësimi i të rinjve u përmirësua edhe në raport me tremujorin e dytë të vitit, ku raportohen 17 mijë të punësuar më shumë.
Me gjithë përmirësimet, shkalla e papunësisë ndër të rinjtë në vendin tonë arriti në 20,7 %. Si rezultat i përmirësimit të punësimit, në terma vjetorë, shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në ulje. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 0,7 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 0,7 pikë përqindje.
Punësimi i të rinjve ishte më mirë në krahasim me grupmoshat e tjera pasi ata janë aktivizuar në sektorë të tillë si teknologjia e informacionit, call center dhe TIK, të cilat nuk u ndikuan nga pandemia, përkundrazi u zgjeruan për shkak të bllokimit të lëvizjeve, përveç call center që rikuperoi shpejt.
Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 9,0%. Në terma vjetorë, ky tregues është rritur me 0,5 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë u ul me 0,5 pikë përqindje.
Në të gjithë Europën, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka ilustruar me një hartë se si është situata e punësimit të të rinjve në Europë me të dhënat e vitit 2018 dhe Shqipëria fatkeqësisht renditet në krye të Europës për përqindjen më të lartë të të rinjve të pa punë pa arsimuar dhe pa trajnuar, me 32.8% të totalit, duke ia kaluar edhe Moldavisë, vendit më të varfër të Europës.
Papunësia e të rinjve është një fenomen shqetësues në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, përqindja e të rinjve të papunë ishte 26.4 më 2018, ndërsa në Maqedoni dhe Serbi, përkatësisht 24.9 dhe 23.8 për qind. Në Kosovë, norma e papunësisë përllogaritet rreth 30.1%.
Për të rinjtë e papunë, rrugëzgjidhje mbetet emigrimi në vendet, ku norma e papunësisë së të rinjve është shumë më e ulët. Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, po përjeton një valë emigrimi të grupmoshave të reja drejt vendeve të Europës Perëndimore./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.