Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi në mbledhjen e fundit mjaftueshmërinë e provigjioneve të kompanive të sigurimit në vend. Kompanitë kanë llogaritur në total fonde rezervë për afërsisht 21 miliardë lekë ose rreth 170 milionë euro.
Në pjesën dërrmuese, provigjionet i takojnë segmentit të sigurimeve të jo-jetës, me rreth 19 miliardë lekë, ndërsa për kompanitë e sigurimit të jetës kjo shumë ishte rreth dy miliardë lekë. 76% e vlerës totale të provigjioneve i takojnë direkt kompanive të sigurimit, ndërsa pjesa e mbetur e provigjioneve i takon risiguruesve.
Pjesa e përgjegjësive që transferohen te risiguruesit është e konsiderueshme sidomos në produkte si sigurimi i katastrofave, për të cilat dëmet mund të arrijnë vlera shumë të mëdha. Pjesa më e madhe e faturës së dëmeve të siguruara nga tërmeti i nëtorit 2019 u pagua nga risiguruesit dhe kjo ngjarje nuk pati ndikime shumë të mëdha në biklancet e kompanive shqiptare të sigurimit.
Kompanitë e sigurimeve janë të detyruara të llogarisin provigjione për shpenzimet e mundshme për dëme nga përgjegjësitë e siguruara dhe vlera e tyre duhet të certifikohet si e mjaftueshme nga autoriteti rregullator. Kjo bëhet me qëllim garantimin e një niveli të mjaftueshëm të provigjioneve nga ana e kompanive të sigurimit, që të mbulojë vlerën e dëmeve ende të të papaguara ose të atyre të që mund të ndodhin në të ardhmen.
Deri vitin e kaluar, AMF publikonte edhe treguesit e aftësisë paguese dhe të aktiveve në mbulim të provigjioneve teknike të secilës prej kompanive, ndërsa aktualisht këta tregues nuk janë më pjesë e të dhënave tekniko-financiare të publikuara nga AMF.
Në fund të vitit 2020, kompanitë e sigurimit të jetës dhe të jo-jetës kishin dëme pezull për një vlerë prej afërsisht 8 miliardë lekësh, duke përfshirë këtu edhe dëmet pezull të Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Dëmet pezull përfshijnë ato në proces vlerësimi, dëme e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore. Vlera e dëmeve pezull ishte afërsisht sa 38% e shumës totale të provigjioneve të llogaritura nga kompanitë dhe të miratuara nga AMF.
Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimeve paguan në total dëme në vlerën e 7.56 miliardë lekëve ose rreth 61 milionë eurove. Dëmet e paguar u rritën me 18.55% krahasuar me vitin 2019, kryesisht për shkak të efektit të tërmetit të fundit të vitit 2019. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.