Tregu i supermarketeve, zgjerohet SPAR, merr 7 pika të HIPPO Markets

24/06/2020 11:00 PM 0 komente

Spar Albania që operon në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të artikujve ushqimorë dhe joushqimorë ka vendosur të zgjerohet duke blerë një tjetër rrjet më të vogël supermarketesh i njohur si Hippo Market. Janë të paktën shtatë pika që i kanë kaluar nën kontroll Spar Albania që zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga grupi Balfin.

Një marrëveshje e depozituar pranë Autoritetit të Konkurrencës në fund të vitit të kaluar dhe e bërë publike vetëm tani kërkon autorizimin e këtij të fundit për të përfunduar transaksionin. Sipas AK Për realizimin e transaksionit janë lidhur 7 (shtatë) Marrëveshje nga shoqëritë HIPPO Markets me shoqërinë SPAR Albania Shpk.

Spar Albania ka aktualisht 47 dyqane dhe tre hipermarkete në të gjithë vendin. Sipas bilancit të kompanisë në vitin 2018 qarkulloi mbi 4.7 miliardë lekë të ardhura apo rreth 40 milionë euro, duke e renditur të dytën më të madhen në vend, pas Big Market.

Sipas publikimit të Autoritetit të Konkurrencës jepen detaje mbi pjesëmarrësit në transaksion.

“Pala Shitëse: HIPPO MARKETS është një rrjet supermarketesh i themeluar në Shqipëri në Nëntor të vitit 2015. Pjesë e rrjetit HIPPO Markets janë shtatë supermarkete, të cilat ofrojnë një gamë të gjerë artikujsh për klientët e tyre. Këtu përfshihen artikujt ushqimorë dhe jo-ushqimorë, produktet e enëve të kuzhinës dhe produktet kozmetike. Të gjitha supermarketet ndodhen në Tiranë dhe secila prej tyre operon si njësi e veçantë ekonomike-ligjore, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, si më poshtë: Meleon Tirana Shpk, Meleon Shpk, HIPPO Shpk, XL Market Shpk, MAXI HIPPO Shpk, HIPPO STUDENTI Shpk dhe Hippo Tregu Elektrik Shpk,

Pala Blerëse: SPAR ALBANIA SHPK (“SPAR AL”) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, e cila zotërohet 100% te kapitalit prej shoqërisë Balfin SHPK. SPAR AL nuk zotëron kontroll në asnjë shoqëri tjetër.

SPAR AL ka për objekt aktiviteti shitjen me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore, produkte për kafshë etj, nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të marketeve, supermarketve dhe hipermarketeve “SPAR” në Shqipëri dhe jashtë saj. Gjithashtu në aktivitetin e SPAR AL përfshihet import-eksport dhe prodhim i produkteve jo-ushqimore, stokimi dhe ruajtja e produkteve ushqimore, transport i mallrave dhe udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit etj.

Shoqëritë HIPPO Markets (shtatë prej pikave) do të transferojnë veprimtaritë ekonomike të degëve të ndërmarrjes tek shoqëria SPAR Albania Shpk. Veprimtaritë ekonomike që do të transferohen, do të veprojnë dhe funksionojnë si njësi autonome, pra të pavarura nga shoqëritë nga të cilat do të shkëputen. Dega e ndërmarrjes do ti transferohet e lirë nga çdo barrë dhe detyrim shoqërisë SPAR Al, përveç detyrimeve të përcaktuara posaçërisht në Marrëveshjet përkatëse.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit 9121/2003 ‘‘Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar” vlerëson Konkurrenca.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of