Enti Rregullator i Energjisë u ka kërkuar pjesëmarrësve të tregut me shumicë të regjistrohen pranë tij, brenda datës 28 shkurt në kuadër të zbatimit të rregullores për integritetin dhe transparencën. Në një njoftim të fundit, ERE ka saktësuar se vendimi për rregulloren është miratuar nga Bordi i këtij institucioni në maj të vitit të kaluar.
“Bordi i ERE-s, me vendimin nr. 126, datë 17.05.2021, miratoi ‘Rregulloren për Integritetin dhe Transparencën e Tregut me Shumicë të Energjisë’ (REMIT). Kjo Rregullore në Kreun III, neni 7 përcakton detyrimin e pjesëmarrësve te tregut të energjisë për t’u regjistruar pranë ERE-s.
Për këtë qëllim, ERE në faqen web përkatësisht në Seksionin “TREGU I ENERGJISË”, ka krijuar rubrikën REMIT, në të cilën janë publikuar formularët e regjistrimit dhe çdo dokumentacion tjetër i Rregullores REMIT.
Pjesëmarrësit e tregut të energjisë të marrin masa për plotësimin e formularit të regjistrimit të publikuar në rubrikën REMIT dhe të dërgojnë këtë formular në ERE, brenda datës 28.02.2022” thuhet në njoftimin e ERE.
Kujtojmë që rregullorja në fjalë REMIT ka kaluar një fazë të gjatë konsultimi, me palë të ndryshme të sektorit, përfshirë këtu edhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Në atë kohë, ky sekretariat do të ndalej në rekomandime për penalitetet apo mbulimin që do të kishte rregullorja në sektor.
Nëse i referohemi qëllimit, rregullorja për integritetin dhe transparencën e tregut të energjisë, me shumicë transpozon Rregulloren REMIT 1227/2011 siç është miratuar dhe përshtatur për Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe ka si qëllim të përcaktojë kriteret që ndalojnë praktikat abuzive që mund të ndodhin dhe prekin tregjet e energjisë me shumicë.
“Në të njëjtën kohëm rregullorja ndihmon në funksionimin e duhur të këtyre tregjeve, duke marrë parasysh karakteristikat e tyre specifike. Rregullorja, po ashtu parashikon monitorimin e tregjeve të energjisë me shumicë nga Enti Rregullator i Energjisë. Rregullorja zbatohet për tregtimin e produkteve të energjisë me shumicë” thuhet në krye të saj tek qëllimi dhe fushëveprimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.