Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se sot fillon ekzekutimi i pagesave për përfituesit e 10%. Kjo është bërë e ditur në një njoftim për media nga Trusti.
Megjithëse ishte planifikuar që pagesat e 10 përqindëshit të bëhen nga 23 dhjetori, Fondi Pensional i Kosovës bëri të ditur se nga sot fillon ekzekutimi i pagesave për 10 përqindëshin për aplikimet e realizuara më datë 11 dhjetor, ndërsa të martën më 22 dhjetor, do të ekzekutohen pagesat për aplikimet e realizuara prej 12 deri 17 dhjetor 2020.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se më 11 dhjetor kanë aplikuar 219,729 kontribuues dhe për ta do të shpaguhen rreth 112.2 milionë euro, ndërsa shuma totale e aplikimeve në 7-ditëshin e parë, prej 170.5 milionë euro, është e përbërë nga: kontributet në masën 137.7 milionë euro dhe fitimet nga investimet në vlerë 32.8 milionë euro.
“Pas përpjekjeve maksimale nga stafi i Trustit, që pagesat të kryhen sa më shpejt, ju bëjmë të ditur se sot, gjatë ditës, fillon ekzekutimi i pagesave për aplikimet e realizuara më datë 11 dhjetor 2020. Pas dërgimit të mjeteve në banka, presim që pagesat të dalin në llogari të përfituesve brenda 24 orëve. Për informim, më 11 dhjetor kanë aplikuar 219,729 kontribuues dhe për ta do të shpaguhen rreth 112.2 milionë euro. Ndërsa nesër, më 22 dhjetor, do të ekzekutohen pagesat për aplikimet e realizuara prej 12 deri 17 dhjetor 2020. Edhe ato presim të dalin në llogari brenda 24 orëve të tjera. Këtu përfitues janë 137,543 kontribuues me rreth 58.3 milionë euro”.
Shuma totale e aplikimeve në 7-ditëshin e parë, prej 170.5 milionë euro, është e përbërë nga: kontributet në masën 137.7 milionë euro dhe fitimet nga investimet në vlerë 32.8 milionë euro.
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës në fund ka pasur edhe një kërkesë për qytetarët.
“Vëmendje: Lusim të gjithë kontribuuesit që t’i përmbahen udhëzimeve të dhëna nga bankat, që për tërheqjen e mjeteve t’i përdorin kartelat bankare ose pagesat përmes e-banking dhe të shmangin vizitat fizike nëpër banka”.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.
Kurse, personat e vetëpunësuar, pas çdo tremujori, duhet që të paguajnë kontributin pensional.
Deri më tani, më shumë se 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve me mbi 634 mijë llogari mbajtëse në Trustin e Kosovës. Sipas të dhënave të deritashme, mbi 200 milionë euro është vlera që do ta tërheqin qytetarët nga Trusti.
Në bazë të Ligjit, kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. Kurse, kontribuuesit që kanë më shumë se 10 mijë euro, nuk do të kompensohen.
Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, rreth 92 për qind e kontributpaguesve kanë mjete nën 10 mijë euro, kurse tetë për qind mbi 10 mijë euro.
Numri më i madh i kontributpaguesve apo më shumë se 212 mijë qytetarë, kanë kontribute nga 100 deri në 1000 euro, që i bie se nga Trusti do të arrijnë të tërheqin nga 10 deri në 100 euro. Kurse, rreth 195 mijë qytetarë do të kenë mundësi t’i tërheqin deri në 500 euro.
Ndërkaq, më shumë se 104 mijë qytetarë, kursime pensionale kanë vetëm deri 100 euro, që nëse aplikojnë për tërheqje, do t’i marrin 10 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.