TVSH e parimbursuar arrin në 110 mln euro në tetor 2018, 68% i përket TAP dhe HEC-ve në Devoll

03/04/2019 11:01 PM 0 komente

Deri në fund të tetorit 2018 borxhi i prapambetur i TVSH-së  së parimbursuar arriti në 14.4 miliardë lekë, ku gjysma e shumës i përket gazëjsellësit TAP dhe një vlerë prej 2.5 miliardë lekë HEC-ve që po ndërtohen në lumin Devoll. 5 miliardë lekë të mbetura janë borxhe ndaj eksportuesve dhe kompanive të prodhimit të naftës. Sipas një raporti teknik për administratën tatimore publikuar së fundmi nga FMN, sugjerohet se ashtu si administrata tatimore u kërkon bizneseve të paguajë tatimin e duhur në kohën e duhur, po ashtu autoritetet tatimore kanë të njëjtin detyrim ndaj bizneseve për të dhënë rimbursimin në kohë .

Paaftësia e DPT-së për të zbatuar detyrimet saj të pagesave ndaj taksapaguesve mund të ketë një ndikim negativ në besimin e tatimpaguesve ndaj administratës tatimore duke i nxitur ata të sillen në të njëjtën mënyrë.

Rimbursimi i TVSH ka çaluar për shkak të gabimeve të parashikimin e të ardhurave nga ky tatim. DPT ka hyrë në marrëveshje me këste me tre debitorët më të mëdhenj të paraqitur për shlyerjen e borxheve. Eksportuesit dhe bizneset e tjera po shlyhen  sipas radhës në të cilin është aprovuar kërkesa e tyre.

Për të kufizuar rritjen e mëtejshme të borxheve nga rimbursimi i TVSH-së, autoritetet kanë vendosur të aplikojnë një normë zero të TVSH-së për importet dhe furnizimet e brendshme të mallrave dhe shërbimeve për tre debitorët e lartpërmendur më 1 janar 2019.

FMN sugjeron se kjo iniciativë mund të zvogëlojë më tej krijimin e borxheve të rimbursimit të TVSH-së, por gjithashtu mund të shndërrohet në rrezik kompleks në zinxhirin e furnizimit të brendshëm në këto tre biznese, veçanërisht nëse furnizuesit gjithashtu kryejnë tregti me biznese të tjera.

Aktualisht, tatimpaguesit (përveç eksportuesve të caktuar) nuk mund të kërkojnë rimbursimin e TVSH-së, përveç nëse rimbursimi i pretenduar tejkalon 400,000 lekë dhe tatimpaguesi ka bartur një kredi tatimore për tre muaj rresht.

Për të marrë rimbursimin kërkohet një kërkesë e veçantë rimbursimi. Sipas ligjit, rimbursimi duhet të bëhet brenda 60 ditëve nga dorëzimi i kërkesës. Me përjashtim të tre aranzhimeve me këste, vonesa aktuale e pagesës është rreth 4-6 muaj sipas personelit të DPT.

Vonesat në rimbursimin e TVSH-së nuk janë një situatë e re. Misionet e shumta të FMN-së që nga dhjetori 2000 kanë komentuar mbi këtë problem të përsëritur dhe kanë dhënë këshilla lehtësuese. Megjithatë, vonesat e rimbursimit nuk janë më për shkak të vështirësive teknike të administratës tatimore, ato lidhen me së shumti me parashikimet optimiste të Qeverisë. Gjatë viteve, kur të ardhurat ishin realizoheshin, boshllëqet buxhetore janë financuar plotësisht ose pjesërisht nëpërmjet “huave” nga taksapaguesit duke vonuar pagesat e rimbursimeve të tyre legjitime të TVSH-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of