Në komisionin e ekonomisë u diskutua projektligji për Buxhetin 2018, e cila ndër të tjera parashikon që të përfshijë në skemën e TVSH-së edhe biznesin e vogël. Aktualisht bizneset me që kanë një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë janë të përjashtuar nga TVSH-ja.
Megjithatë, sipas anëtares së opozitës Jorida Tabaku, ky vendim pritet që të shkojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese.
“Diskutojmë prej kohësh kohë për TVSH-në që do të vendoset pragu, pse qeveria i heq të drejtën parlamentin për të vendosur pragun e TVSH-së dhe ia jep këtë të drejtë qeverisë? Partia Demokratike do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese në rast se ky parlament do t’i japë atribute qeverisë që nuk i takojnë,- tha Jorida Tabaku gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë.
Edhe FMN-ja e ka kundërshtuar dhe nuk do të sjellë asnjë përfitim pasi do të ketë kosto shtesë mbi administratën dhe nuk do të keni mundësi që ta mblidhni, -shtoi deputetja Tabaku.
Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.
Më herët qeveria kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të përfshihen të gjitha bizneset e vogla, duke mbyllur kështu zinxhirin e transaksioneve. Mirë po Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se pragu do të ulej nga 5 milionë në 2 milionë, duke lënë jashtë skemës fermerët, artizanët dhe një grup profesionesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.