Uji, ERRU: Faturimet afrofe mbeten problem, janë mbi 7 mijë të tilla

19/07/2021 1:00 PM 0 komente

Enti Rregullator i Ujit ka nënvizuar se faturimi aforfe e ndikon negativisht sektorin e ujit dhe në këtë kontekst ka familje që konsumojnë nën këtë limit ashtu siç ka edhe nga ato që konsumojnë mbi limitin.

Për të vendosur një raport të drejtë ERRU ka nxitur instalimin e matësve në kushtet kur janë mbi 7 mijë faturime të tilla.

“Shoqëritë UK për vitin 2020 kanë raportuar instalimin e 32,349 matëseve të rinj, kështu numri i lidhjeve me matës ka shkuar 717,725 lidhje nga 902,142 lidhje ekzistuese në total në të gjithë shoqëritë. Sektori ende vazhdon të faturojë aforfe 7,447 klientë privat dhe institucione, ndërkohë që procesi i instalimit të matësave, në kategorinë klientë jofamiljarë të financuara nga vetë klientët, duhet të kishte përfunduar në zbatim të Vendimit Nr. 236, datë 10.5.1993 dhe VKM nr.96, datë 21.2.2007” vlerëson ERRU.

Lidhur me nevojën financiare që mund të lindë për instalimin e matësve ERRU nënvizon se mund të jetë qeverisja qëndrore ajo që mbështet këtë pjesë për të shkuar drejt një faturimi sa më të drejtë të konsumatorëve.

“ERRU thekson vazhdimisht nevojën e instalimit të matësave në të gjithë komponentët kyç të sistemeve të furnizimit me ujë dhe konsumatorëve individualë, por për këtë kërkohet edhe mbështetja me financime nga qeveria qendrore. Konsumatorët duhet të paguajnë për sasinë reale të ujit të konsumuar prej tyre, prandaj pajisja me ujëmatës e gjithë sistemit mbetet një nga objektivat kryesorë të shoqërive dhe një element që lehtëson problemet e menaxhimit të kërkesës për ujë dhe uljes së shpërdorimeve të mbikonsumit të tij” thuhet në raportin e performancës së sektorit.

Enti nënvizon se përkeqësimi i treguesit të ujit pa të ardhura lidhet ndër të tjera edhe me faturimin aforfe dhe për këtë duhet të ketë vëmendje ashtu si për lidhjet e jashtëligjshme që janë një tjetër shkaktar.

“Treguesi UPA në nivelin 65.4%, i përkeqësuar me 1.7% për vitin 2020, vazhdon të mbetet në nivele të larta e të papranueshme. Faktorët si “lidhje të paligjshme”, “faturimi aforfe”, “leximet e gabuara nga faturuesit”, si dhe “sistemet me tubacione të vjetra” që ju bashkëngjitën shoqërive gjatë reformës së re territoriale janë disa nga faktorët që e mbajnë akoma këtë tregues në nivele kaq të larta”, thuhet në raport.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of