Union Bank njoftoi se realizoi më 1 Tetor 2021 emetimin e Obligacioneve afatgjata, me vlerë totale 2 milionë euro. Ky është emetimi i dytë i obligacioneve me ofertë private nga ana e Union Bank, pas emetimit prej 2 milionë eurosh të realizuar në fillim të vitit 2020.
Gjithsesi, Treguesi i Mjaftueshmërisë së Kapitalit të Union Bank është rreth 15%, që rezulton të jetë përtej kërkesave rregullatore, dhe elementi i Borxhit të Varur mbetet më pak se 10% e Kapitalit të Bankës, tregues të një mirëkapitalizimi dhe risku minimal kundrejt investitorëve.
Emetimi i obligacioneve u prit shumë mirë nga komuniteti i investitorëve, si një kombinim mes investitorëve institucionalë dhe individëve dhe tejkaloi pritshmëritë e Bankës, duke rezultuar me një kërkesë prej mbi 135% kundrejt shumës së emetuar dhe duke konfirmuar, edhe një herë, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin që Union Bank ofron për klientët e saj.
Obligacionet e pagarantuara, të nënrenditura dhe ndërvarura – Borxh i Varur, të emetuara në monedhën Euro me afat 7-vjeçar kanë normë interesi vjetore fikse 3.30%, me çmim 100% të vlerës nominale në formë të dematerializuar. Vlera nominale e çdo obligacioni (që është shuma e përdorur në llogaritjen e pagesave të bëra për çdo obligacion) është 10.000 euro, kurse shuma minimale e nënshkrimit është 20,000 euro.
Përdorimi i obligacioneve nga ana e korporatave po fiton gjithnjë e më shumë terren, duke u vlerësuar si një alternativë e mirë kundrejt injektimeve periodike të kapitalit nga aksionerët. Këto instrumente ofrojnë një sërë avantazhesh për investitorët, si diversifikimi dhe kthimi më i lartë, krahasuar me alternativat e tjera të investimit financiar, si dhe sjellin dhe edukim financiar për një instrument të tregut të kapitaleve që do të gjejë më shumë përdorim në të ardhmen.
Union Bank mbetet e angazhuar, jo vetëm në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve bankare që plotësojnë nevojat e klientëve, por edhe në mundësinë e ofrimit të alternativave të ndryshme, të investimit për ta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.