Të mërkurën, vendet e BE-së arritën marrëveshje mbi ligjet e propozuara për të përballuar ndryshimet klimatike, duke mbështetur heqjen graduale të shitjes së makinave të reja me lëndë djegëse fosile deri në vitin 2035 dhe krijimin e një fondi prej disa miliardë euro për të mbrojtur qytetarët më të varfër nga kostot e CO2.
Pas më shumë se 16 orë negociatash, ministrat e mjedisit nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord për qëndrimet e tyre të përbashkëta për pesë ligje, pjesë e një pakete më të gjerë masash për të ulur emetimet e ngrohjes së planetit gjatë kësaj dekade.
“Kriza klimatike dhe pasojat e saj janë të qarta, kështu që politikat klimatike janë të pashmangshme,” tha shefi i politikës klimatike të BE-së, Frans Timmermans, duke shtuar se ai mendonte që pushtimi i Ukrainës nga furnizuesi kryesor i gazit, Rusia, po i nxiste vendet që të shkëputeshin më shpejt nga karburantet fosile.
Ministrat mbështetën pjesët thelbësore të paketës që i kishte propozuar edhe Komisioni Europian fillimisht verën e kaluar, duke përfshirë edhe një ligj që përcakton se makinat e reja që shiten në BE duke filluar nga viti 2035 duhet të kenë emetime zero të CO2. Kjo do ta bënte të pamundur shitjen e makinave me motor me djegie të brendshme.
Kjo marrëveshje ka të ngjarë ta kthejë propozimin në një ligj të BE-së. Marrëveshjet e ministrave do të negociohen me Parlamentin e BE-së për të arritur te ligjet përfundimtare. Parlamenti e ka mbështetur objektivin e vitit 2035 për makinat me emetime zero të CO2.
Kompromisi
Italia, Sllovakia dhe shtete të tjera kishin kërkuar shtyrjen e bllokimit të shitjes së makinave të reja që emetojnë CO2 deri në vitin 2040. Si përfundim, të gjitha vendet mbështetën një kompromis që ruajti objektivin e vitit 2035 dhe i kërkuan Brukselit që të vlerësojë në vitin 2026 zhvillimin e automjeteve hibride plug-in, për të përcaktuar nëse ato mund të kontribuojnë në arritjen e këtij qëllimi.
Timmermans tha se Komisioni do ta kishte parasysh këtë kërkesë, por makinat hibridet sot nuk kanë dhënë dhanë rezultatet e pritshme në uljen e emetimeve.
Propozimet për klimën synojnë të sigurojnë që BE-ja, emetuesi i tretë më i madh në botë i gazeve serë, të arrijë objektivin e saj të vitit 2030 për të reduktuar emetimet neto me 55% krahasuar me nivelet e vitit 1990.
Kjo gjë do të sjellë nevojën që qeveritë dhe industritë të investojnë shumë në metoda më të pastra të prodhimit, në energjinë e rinovueshme dhe në automjetet elektrike.
Ministrat mbështetën krijimin e një tregu të ri të karbonit në BE për të përcaktuar kostot e CO2 për karburantet ndotëse që përdoren në transport dhe në ndërtim, megjithëse thanë se kjo duhet të nisë në vitin 2027, një vit më vonë nga sa ishte planifikuar fillimisht.
Pas negociatave të vështira, ata ranë dakord të formonin një fond të BE-së prej 59 miliardë eurosh për të mbrojtur qytetarët me të ardhura të ulëta nga kostot që do të sjellin këto politika klimatike gjatë viteve 2027-2032.
Lituania ishte i vetmi vend që kundërshtoi marrëveshjet përfundimtare, pasi kishte kërkuar një fond më të madh bashkë me Poloninë, Letoninë dhe disa vende të tjera, të cilat ishin të shqetësuara se tregu i ri i CO2 mund të rriste faturat e energjisë për qytetarët.
Finlanda, Danimarka dhe Holanda – vende më të pasura që do të paguanin më shumë për këtë fond sesa do të merrnin mbrapsht prej tij – donin që ai të ishte më i vogël.
Ministrat mbështetën gjithashtu reformat në tregun aktual të karbonit të BE-së, i cili detyron industrinë dhe termocentralet që të paguajnë kur ndotin mjedisin.
Vendet pranuan elementet thelbësore të propozimit të Komisionit për të bërë që tregu të ulë emetimet me 61% deri në vitin 2030 dhe për të përfshirë këtu edhe sektorin e transportit. Ato ranë dakord për disa rregulla për ta bërë më të lehtë që BE-ja të ndërhyjë në përgjigje të rritjes së çmimit të CO2.
Ministrat mbështetën dy ligje të tjera për të forcuar objektivat kombëtare të reduktimit të emetimeve që Brukseli i vendos vendeve për disa sektorë, si dhe për të rritur rezervat natyrore për absorbimin e karbonit, të tilla si pyjet./ Reuters