Ndalimi i grumbullimeve, një nga masat e marra për frenimin e përhapjes së koronavirusit do të përfundojë më 25 mars.
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare, të firmosur më 11 mars nga Komiteti Teknik i Ekspertëve është zëvendësuar togfjalëshi “deri në një afat të dytë” të urdhërit të parë me “deri më datë 25.3.2021”.
Ndryshimi erdhi pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese një javë më parë ku ajo kërkoi që masat anti-Covid të kishin të qartë kohë-zgjatjen se deri kur janë në fuqi.
Gjykata kishte shqyrtuar edhe padinë e ngritur nga Partia Republikane e cila e konsideronte shkelje ndalimin e tubimeve dhe aktiviteteve politike.
Në ditën e përfundimit të kësaj mase, do të nisë zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Nuk dihet ende se deri kur do të zgjasin masat e tjera kufizuese.
Masat aktuale që janë në fuqi:
-Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
– Universitetet vijojnë online.
– Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.