Pas miratimit të ligjit të ri “Për burimet e rinovueshme të energjisë” tashmë kanë filluar të behën edhe ndryshimet në aktet nënligjore që e bëjnë atë të zbatueshëm.
Së fundmi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri reflektoi këto ndryshime në udhëzimin nr.3 të datës 20 qershor 2019.
Ky udhëzim lidhet direkt me procedurën e lehtësuar të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli.
Ndryshimet që kanë hyrë tashmë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare parashikojnë ndër të tjera edhe mënyrën sesi do të procedohet për bilancin vjetor neto.
Këto ndryshime prekin të gjithë ato subjekte që kanë instaluar impiante me kapacitet deri në 500 kWp dhe energjinë e përdorin për nevojat e tyre. Pika e parë e udhëzimit në fjalë përcakton saktësisht klientin që është vetëprodhues dhe bazën ligjore duke zëvendësuar ligjin e vitit 2017 me ligjin e vitit 2023. Më poshtë ndryshimi si ishte dhe si bëhet pika 1.
Ishte (Pika1):
Një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total deri në 500 kËp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli në përputhje me nenin 15, të ligjit nr. 7/2017.
Bëhet (Pika 1)
“Një klient privat, publik apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total deri në 500 këp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli ose era, për të mbuluar një pjesë apo të gjithë energjinë që nevojitet për nevojat e tij dhe të injektojë energjinë e tepërt të prodhuar në rrjetin e shpërndarjes, në përputhje me parashikimet e nenit 30,të ligjit nr. 24/2023,“Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë’
Një ndër ndryshimet më të rëndësishme të ligjit ishte ajo e bilancit vjetor neto e kërkuar vazhdimisht nga subjektet pasi kjo mënyrë rrit leverdishmërinë e instalimit të një impianti. Ndryshimi i bërë në pikën 3 saktëson se si do të bëhet tashmë faturimi neto vjetor, reflekton detyrën që kalon nga OSHEE tek Furnizuesi i Shërbimit Universal pas ndarjes së kompanisë dhe llogaritjen e faturave mujore për të nxjerrë gjendjen debitore ose kreditore të klientit.
Ishte (Pika 3)
Injektimi në rrjet do të lejohet për kategorinë e konsumatorëve të përcaktuar sipas pikës 1 të këtij udhëzimi, të cilët mund të prodhojnë një pjesë ose të gjithë energjinë elektrike që konsumojnë nga impianti PV diellore.
Bilanci dhe faturimi neto, të bëhen nga OSHEE-ja në baza mujore për secilën pikë matjeje të autorizuar të klientit. Teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor, do t’i shitet Furnizuesit të Shërbimit Universal pas miratimit të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar për vetëkonsum nga kjo kategori konsumatorësh..
Bëhet (Pika 3)
“Injektimi në rrjet do të lejohet për kategorinë e konsumatorëve të përcaktuar, sipas pikës 1 të këtij udhëzimi, të cilët mund të prodhojnë një pjesë ose të gjithë energjinë elektrike që konsumojnë nga impianti fotovoltaik ose eolik.
Bilanci neto dhe faturimi të bëhen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal sh.a. në baza vjetore për secilën pikë matjeje të autorizuar të klientit. Furnizuesi i Shërbimit Universal sh.a. të marrë masa që të reflektojë në faturën mujore gjendjen kumulative kreditore ose debitore të klientit.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.