Virusi prek dhe Teknologjinë e Informacionit, shpresa për 2020

22/05/2020 10:04 PM 0 komente

Mbyllja e vitit 2020 do të shënojë ulje të shitjeve, fitimeve dhe investimeve të reja për kompanitë e shërbimeve të Teknologjisë të Informacionit, sipas aktorëve kryesorë në vend. Efektet negative do të vijnë për dy arsye.
Së pari, vetë bizneset që kërkojnë shërbimet teknologjike janë prekur nga kriza e koronavirusit.
Së dyti, për shkak të situatës, ato janë të detyruara të ndryshojnë buxhetin e planifikuar për të riorientuar prioritetet për investime. Për vitin 2021, sektori IT pritet të ketë bum kërkesash, pasi përdorimi në masë i platformave online në këtë periudhë rriti besimin e biznesit, si dhe për shkak të nisjes të fiskalizimit në muajin shtator.
Rritja e kërkesave për më shumë shërbime do të kërkojë një “armatë” me të punësuar të rinj, por sipërmarrjet vendase pohojnë se tregu ynë nuk mund ta përballojë fluksin e lartë për kapacitete njerëzore të kualifikuara.

 

 

Nga Dorina Azo

Para katër muajsh, kur në qytetin e Wuhanit në Kinë u shfaqën rastet e para me koronavirus dhe numri i të prekurve po rritej, puna dhe normaliteti, veçanërisht tek industria e teknologjisë së informacionit konsiderohej me shumë investime dhe para.

Me shfaqjen e rasteve të para në vend dhe kur më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi shpërthimin e pandemisë, për shkak të shtimit të numrit të të infektuarve në Europë dhe SHBA, ashtu si edhe bizneset e tjera, lëvizjet e kompanive të IT-së lidhur me koronavirusin qenë të njëtrajtshme. Kur flitet për punën në distancë për shkak të COVID-19, nuk është e tepërt ta quash industrinë e teknologjisë në pararojë.

Sidoqoftë për shkak të pandemisë, kompanitë e teknologjisë së informacionit në vend pohojnë se viti 2020 do të mbyllet me rënie të volumit të shitjeve dhe ulje të fitimeve të tyre, sidomos për sipërmarrjen që punon për sektorin retail, bareve dhe restoranteve. Aktorët më të rëndësishëm në treg nuk parashikojnë shtim të projekteve të reja për shërbime teknologjike.

Edhe pas gjithë kësaj që pritet të ndodhë këtë vit, krahasuar me shumë industri të tjera, industria e IT në vend parashikon të ketë një bum kërkesash për shërbime të reja, apo siç shprehen përfaqësuesit e saj, do të krijohet efekti “ortek”. Arsyeja kryesore për rritje të kërkesës për softuer apo edhe platformave të reja të ndërlidhjes online, pasi njerëzit dhe biznesi në këtë periudhë krize e kuptuan rëndësinë e internetit dhe teknologjisë. Të gjitha këto mjete po ndihmojnë njerëzit në izolim të qëndrojnë në kontakt me anëtarët e familjes, si dhe të zhvillojnë takime konferencash dhe të punojnë në të njëjtën kohë.

Zgjerimi i shërbimeve për këtë sektor në planin afatgjatë pritet të rrisë edhe fitimet e kompanive. Madje shumë kompani në industrinë e teknologjisë, po marrin role aktive për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës së biznesit, për shërbime dhe komunikime online, por edhe për të mundësuar një sistem të sigurt IT. Por a do t’i përgjigjet tregu i kërkesave në rritje të kompanive me kapacitete njerëzore? A janë mjaftueshëm të kualifikuar të sapodiplomuarit e teknologjisë të informacionit? “Monitor” intervistoi përfaqësuesit e kompanive më të mëdha të teknologjisë të informacionit për të shqyrtuar se çfarë po ndodh me to, si ka ndikuar pandemia dhe cilat janë mundësitë e reja pas kalimit të virusit.

Erion Isufi, drejtues i kompanisë “Landmark”, që ofron shërbime IT për disa vende si Anglia, Gjermania, Holanda, Belgjika, Italia, Zvicra, Brazili, Rumania, Kroacia thotë se kompania u gjend e përgatitur për punën në distancë. “Ne ishim të parët që vendosëm të punonim në distancë, madje rreth një javë para se të merreshin masat për pjesën tjetër. Për ne, shëndeti dhe mirëqenia e skuadrës dhe e bashkëpunëtorëve tanë, janë të parët. Edhe sot që flasim, megjithëse ka rreth dy javë që mund të kthehemi në zyrë, kemi vendosur të gjithë të punojnë nga shtëpia për sigurinë e përbashkët”, pohon zoti Isufi.

E njëjta situatë konfirmohet edhe nga Armand Shara, administrator i përgjithshëm i “Infosoft Systems”. “Në kontekstin e angazhimit në punë, nuk jemi të ndikuar nga pandemia në atë nivel që të rrezikojë marrëdhëniet me punëmarrësit. Ne si kompani nuk e patëm aspak të vështirë punën në distancë, e nisëm atë 2-3 ditë para vendimit për kufizimin e lëvizjes. Puna në shtëpi nuk dha asnjë pasojë për veprimtarinë tonë, sepse të gjitha sistemet e IT i kemi ngritur të tilla që të punojmë në këtë mënyrë”, shpjegon zoti Shara.

Kompania “Infosoft Systems” është e angazhuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për infrastruktura të rëndësishme të teknologjisë së informacionit, siç shpjegon administratori i saj, në sektorin publik (e-Government) dhe sektorin privat, kryesisht atë bankar, të telekomunikacioneve dhe bizneseve të mëdha. “Pjesa më e madhe e biznesit realizohet me këta klientë që investojnë në mënyrë të pandërprerë në Teknologjinë e Informacionit për të ofruar shërbime inovative për shtetasit dhe bizneset, duke siguruar vijimin e punës, duke garantuar sigurinë e informacionit dhe duke menaxhuar shërbimet e IT.

Shembulli më tipik është portali e-Albania dhe gjithë infrastruktura mbështetëse hardware, software dhe networking, që siguron shërbimet elektronike inovative që qeveria ofron për shtetasit dhe bizneset”, nënvizon Shara. Në total në “Infosoft Group” janë 355 të punësuar, ndërsa në “Infosoft Systems” në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, 111 të punësuar.

Te kompanitë e këtyre shërbimeve, përveçse konstatohet konsolidimi në këtë periudhë pandemie, për punën nga shtëpia, rezulton se nuk kanë shkurtuar punonjës apo rishikuar pagat e tyre, siç pohon edhe administratori i kompanisë “Ritech Solutions”, Aleksandër Risilia. “Kompania jonë ka të punësuar 100 punonjës dhe momentalisht shumica e tyre punojnë nga shtëpia, çka e lejon edhe profesioni ynë. Në kompani nuk ka pasur largime nga puna, as rishikim të pagave”, pohon përfaqësuesi i kompanisë që punon ekskluzivisht për tregun amerikan.

 

Si po ndikon pandemia te Teknologjia e Informacionit?

Në vitin 2017, sipas të dhënave të doganave, eksporti i shërbimeve kompjuterike dhe informatike ishte rreth 30 milionë dollarë. Për 2018, eksportet për këto shërbime shënuan rritje. Vlera e eksporteve për shërbimet IT ishte rreth 49.5 milionë dollarë.

Kompanitë parashikojnë që viti 2020 do të mbyllet me rënie të volumit të shitjeve të shërbimeve IT, si dhe do të rritet vështirësia për të punuar me projekte të reja. Sipërmarrjet vendase i lidhin këto pasoja me reaksionin zinxhir që ka dhënë kriza për kompanitë që ata ofrojnë shërbimet.

Rënia e volumit të shitjeve për vitin 2020, për përfaqësuesin e kompanisë “Infosoft Systems” do të vijë për shkak se kompanitë e mëdha me të cilat ata punojnë, do të rishikojnë buxhetet e planifikuara për teknologjinë e informacionit për shkak të pandemisë.

“Për sa i përket oportuniteteve dhe projekteve të reja, duke qenë se puna jonë bazohet te këta klientë të nivelit ‘enterprise’, nuk kemi vizibilitet të qartë se cila do të jetë qasja e tyre ndaj investimeve të reja në teknologjinë e informacionit me këtë realitet të ri. Do të thotë që prej pandemisë mund të ketë pasoja për rënie të volumit të shitjeve të kompanisë për një afat të shkurtër (brenda vitit 2020), pasi pritet që të gjithë klientët tanë të riorientojnë përparësitë dhe këtë nuk e bëjmë dot brenda natës, por duke rishikuar buxhetet e planifikuara para pandemisë. Gjithsesi, kemi besim të plotë se ndryshimi i mënyrës së tyre të punës do të varet më shumë nga Teknologjia e Informacionit dhe rrjedhimisht trendi i investimeve dhe shpenzimeve operacionale në këtë fushë do të rritet”, shprehet zoti Shara.

Goditja në këtë periudhë krize për sektorin e teknologjisë do të vijë edhe për shkak të frenimit të investimeve nga shumica e kompanive që investojnë për shërbime IT. Për shkak të krizës, edhe kompanitë po ndihen të pasigurta për të investuar te Teknologjia e Informacionit dhe janë në pritje të stabilizimit të gjendjes. Sipas administratorit të kompanisë “Ritech Solutions”, Aleksandër Risilia, edhe kompanitë amerikane me të cilat operohet shfaqja e krizës është në përmasa të konsiderueshme. Por edhe pse ndikimi është i ulët për kompaninë, potenciali është tkurrur ndjeshëm.

“Problemet më të mëdha i kanë kompanitë teknologjike që kanë klientë në fushën e retail-it ose bareve dhe restoranteve. Në një pjesë të vogël ka pasur ndikim të tërthortë edhe në kompaninë tonë, edhe pse në mënyrë të ulët. Në mënyrë të ndërsjellë, kriza redukton rritjen e biznesit dhe sjell fitime të munguar, pasi shumica e klientëve potencialë mund të kenë probleme ose thjesht hyjnë në një pauzë për të pritur stabilizimin e gjendjes.

Për shkak të situatës, te kompanitë është krijuar psikologjia për të mos shpenzuar, dhe të gjitha subjektet tregohen shumë të kujdesshme në lidhje me investimet. Në krahasim me një kohë normale, goditja më e madhe për ne është te potenciali rritës, pasi është ngadalësuar ndjeshëm këtë periudhë.”

 

 

Bum kërkesash pas pandemisë për shërbimet IT

Industria IT pritet të ketë bum kërkesash për shërbime në vitin 2021. Arsyeja e rritjes së kërkesës do të jetë për shkak të efektivitetit që dëshmoi përdorimi në masë të gjerë i teknologjisë në këtë periudhë pandemie. Por për zotin Shara, të “Infosoft Systems”, rritja e kërkesave për shërbime të Teknologjisë të Informacionit do të jetë edhe për arsye të nisjes së zbatimit të procesit të fiskalizimit në shtator të këtij viti. Rritja e kërkesave do të sjellë zgjerimin e sektorit, por pritet të rrisë fitimet e kompanive.

Administratori i kompanisë “Infosoft Systems” jep këto arsye për rritjen e lartë të kërkesave. “Pas pandemisë, shumë gjëra në botë pritet të ndryshojnë dhe do të përballemi me një tjetër realitet, dhe rrjedhimisht pritshmëritë për projekte të reja në sektorin tonë janë të shumta.

Si shembull mund të sjell që nëse më parë, ne mundoheshim shumë për t’u rekomanduar klientëve për të punuar në largësi, për të përdorur shërbime dhe aplikime në ‘cloud’, shërbime dhe aplikime mobile, për të komunikuar në distancë, për të qenë të sigurt në sistemet e tyre të IT, krejt si papritur ata janë bërë një realitet i domosdoshëm. Që do të thotë më shumë mundësi për projekte dhe biznes në të ardhmen e afërt për ne dhe komunitetin e bizneseve të IT.

Parashikoj që në sektorin e teknologjisë së informacionit, do të ketë një rënie të volumit të shitjeve për këtë vit, por vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të madhe të kërkesave, si dhe një ndryshim cilësor të tyre. Në këtë do të ndikojë dhe procesi i fiskalizimit që pritet të nisë në muajin shtator. Pas zbatimit të këtij projekti, mënyra e të bërit punë dhe biznes do të ndryshojë tërësisht dhe nevoja për investime, si në sektorin publik dhe atë privat do të rritet me fokus shërbimet online, mobile, në cloud dhe shërbime të sigurta. Kjo do të krijojë një efekt ortek, sa më shumë përdoret teknologjia, aq më shumë rritet besimi në të, rrjedhimisht dhe kërkesa për shërbime të reja.”

Zgjerimi i kërkesave në sektor pas pandemisë nënvizohet edhe nga administratori i kompanisë “Ritech Solutions”. “Pandemia i ka detyruar njerëzit të punojnë në distancë dhe rrjedhimisht të jenë shumë të varur nga teknologjia për komunikimin. Efekti për kompanitë IT do të jetë pozitiv në afatgjatë, për shkak të kësaj të fundit”, thotë zoti Risilia.

I njëjti trend rritës pas pandemisë parashikohet të ndodhë edhe për platformat më të njohura ndërkombëtare. Në SHBA, nga 131 miliardë dollarë në vitin 2020 që zënë këto shërbime do të rriten në 295 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme deri në vitin 2025. Arsyeja kryesore për këtë rritje të industrisë sipas analizave të mediave të huaja është rritja e kërkesës për softuer dhe platforma të mediave sociale si Google Hangouts, videothirrje në WhatsApp, Zoom etj.

 

E ardhmja dhe tregu i punësimit

Pas pandemisë, teknologjia e informacionit pritet të ketë kërkesa të larta për këto lloj shërbimesh nga sipërmarrjet. Por kërkesat në rritje për më shumë shërbime do të shoqërohen me nevojën në tregun e punës për punonjës të rinj. “Do të kërkohen më shumë angazhime në më shumë role duke filluar nga konsulentë, menaxherë projektesh dhe shërbimesh, menaxherë dhe administratorë IT, projektues e zbatues, supervizorë e auditorë, mirëmbajtës etj., dhe këto role padyshim të aplikuara në sektorë të ndryshëm të industrisë dhe të teknologjisë së informacionit.

Kjo do të sjellë pasoja dhe në rritjen e biznesit të arsimit profesional për t’u përgjigjur kësaj rritje të kërkesës në tregun e punës”, shpjegon zoti Shara i kompanisë “Infosoft System”.

Por tregu shqiptar, sipas z. Isufi, nuk i përballon dot kërkesat e tregut ndërkombëtar, pasi kompanitë e huaja kërkojnë 50, 100 apo 200 zhvillues. “Disa kompani operojnë me këto numra, por gjithçka i dedikohet nismës dhe përkushtimit personal të personave të përfshirë në këtë industri. Ka nevojë të menjëhershme për një ndryshim rrënjësor të konceptit dhe përqendrimit të shumë resurseve dhe sigurisht, vëmendjes drejt sektorit ICT. Mjafton të shohim vendet e rajonit si: Bullgaria e Serbia, të cilët punësojnë rreth 50.000 zhvillues. Mendoni për një çast për hovin e madh që merr zhvillimi ekonomik i këtyre vendeve.”

Nevojat e tregut në të ardhmen për më shumë inxhinierë software parashikohen edhe nga Aleksandër Risilia, i cili ngre shqetësimin se studentët e diplomuar në vend janë të pakualifikuar. “Problemi më i madh që vërehet është se studentët pas diplomimit nuk kanë kualifikimin e nevojshëm. Për këtë arsye ne jemi të detyruar t’i trajnojmë të paktën një vit studentët, përpara se të përfshihen në një projekt, dhe kjo rrit kostot e kompanisë në një kohë kur ky trajnim duhet të jepej nga vetë universiteti. Kërkesa e tregut për punonjës IT do të rritet brenda vendit, pasi edhe kompanitë po orientohen për shërbime jashtë vendit, por vështirësitë për të gjetur punonjës të kualifikuar mbeten të mëdha, kjo për shkak të problemeve të mëdha në menaxhimin dhe cilësinë mësimore të universiteteve.”

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin akademik 2018-’19, në degën e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit u regjistruan 10 mijë studentë. Në krahasim me vitin 2017, numri i studentëve të regjistruar ishte 27% më shumë. Në vitin 2017 u diplomuan në TIK rreth 2110 studentë, prej të cilëve 1400 përfunduan studimet Bachelor, 702 studentë, studimet master dhe 7, doktoraturën.

 

Flet Erion Isufi, CEO & Founder, Landmark Communication and Technologies

 

“Sektori ka nevojë për ndryshime rrënjësore dhe përqendrim resursesh”

 

Në këtë periudhë pandemie, një nga sipërmarrjet më të mëdha në vend me rreth 200 të punësuar që ofron shërbime të Teknologjisë të Informacionit nuk e ka shkurtuar numrin e të punësuarve dhe nuk i ka rishikuar pagat. Erion Isufi, përfaqësues i kompanisë “Landmark” shprehet se pandemia nuk ka ndikuar te punësimi, madje në këtë periudhë janë shtuar 14 punonjës të rinj.

Për sa i përket së ardhmes të industrisë, zoti Isufi pohon se vetëm me politikat e duhura nëpërmjet ndryshimeve rrënjësore do të mund të përballonin fluksin për të punësuar të rinj.

Si po ecën puna për Teknologjinë e Informacionit në këtë kohë pandemie?

Puna për ICT në kohë pandemie po ecën normalisht. Deri tani, nuk kemi pasur asnjë problem, përpos ditëve të para të cilat kishin të bënin më shumë me çështje teknike menaxheriale si: komunikimi me pjesëtarët në vend dhe jashtë, network, cilësia e internetit, marrja e detyrave (tasks), përfundimi i projekteve, respektimi i afateve, etj.

Po në kompaninë tuaj si po punohet, në distancë apo në zyrë?

Ne ishim të parët që vendosëm të punonim në distancë, madje rreth një javë para se të merreshin masat për pjesën tjetër. Për ne, shëndeti dhe mirëqenia e skuadrës dhe e bashkëpunëtorëve tanë, vjen e para. Edhe sot që flasim, megjithëse ka rreth dy javë që mund të kthehemi në zyrë, kemi vendosur që të gjithë të punojnë nga shtëpia për sigurinë e përbashkët.

Besoj se shpejt mund të hapim zyrat, duke marrë parasysh të gjitha masat e protokollit dhe sigurisë së gjithsecilit.

Duke qenë një njohës i mirë i sektorit, a mendoni se shërbimet po fokusohen te teknologjia, p.sh., Gjermania do të nxjerrë robotët në punë, për të shmangur kontaktet dhe përfitimet do të jenë në rritje?

Ne jemi ende larg nxjerrjes së robotëve, por varet se cilat industri mbështeten tek puna e robotëve! Industria mekanike prej kohësh ka implementuar robotët në procese të ndryshme të aktivitetit të saj.

A synohet të punohet për ndonjë shërbim të ri te ju, për zgjerimin e gamës së teknologjisë?

Shumicën e projekteve dhe punëve, ne në “Landmark Communications and Technologies”, e kemi me partnerët dhe klientët tanë ndërkombëtarë: në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Itali, Zvicër, Brazil, Rumani, Kroaci, etj. Zgjerimi i gamës së shërbimeve që ne ofrojmë, varet edhe nga kërkesat e tyre. Për tregun vendas kemi zhvilluar disa aplikacione që prekin sistemin bankar, e-shop dhe platforma për dyqane të ndryshme. Këto të fundit janë të lidhura direkt me inventarin dhe magazinën.

Konkretisht, në këtë periudhë a janë shtuar punonjësit, apo ka pasur largime?

Për të folur pa doreza, në përgjithësi nuk kemi largime dhe kjo “statistikë” nuk ka ndryshuar as gjatë kësaj periudhe. Me thënë të drejtën, është pak e çuditshme sepse ky sektor njihet për lëvizje punonjësish. Tek ne ndodh e kundërta, pasi për momentin, jo vetëm që nuk kemi larguar asnjë pjesëtar të ekipit, por kemi shtuar rreth 14 anëtarë të rinj në komunitetin tonë digital-marketing.

Si do të ndikojë COVID-19 në të ardhmen e sektorit? Ju do të kërkoni të punësoni më shumë inxhinierë IT? A i përballon tregu shqiptar kërkesat?

Gjatë gjithë kohës ne jemi në kërkim të burimeve të reja njerëzore dhe ekipi ynë i HR është praktikisht çdo ditë i përfshirë me çështje si: headhunting, intervista, CV, etj. Kemi edhe një komunitet të madh brenda nesh, i cili na ndihmon në gjetjen e burimeve që na duhen.

Tregu shqiptar nuk i përballon kërkesat e tregut ndërkombëtar, sepse nëse “pushtohemi” nga kompani të mëdha në fushën e ICT, menjëherë fillojnë me kërkesa të cilat variojnë nga 50-100-200 zhvillues, madje edhe në shifra më të larta. Ka disa kompani që operojnë me këto numra, por gjithçka i dedikohet nismës dhe përkushtimit personal të personave të përfshirë në këtë industri.

Ka nevojë të menjëhershme për një ndryshim rrënjësor të konceptit dhe përqëndrimit të shumë resurseve dhe sigurisht, vëmendjes drejt sektorit ICT. Mjafton të shohim vendet e rajonit si: Bullgaria e Serbia, të cilët punësojnë rreth 50.000 zhvillues. Mendoni për një çast për hovin e madh që merr zhvillimi ekonomik i këtyre vendeve.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of