Viti 2016 ishte pozitiv, por 2017-a…

23/09/2017 3:40 PM 0 komente

Flet Agron Hetoja, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH)

 

Viti 2016 ka qenë pozitiv për Korporatën Elektroenegjetike Shqiptare, sipas administratorit të saj, Agron Hetoja, si rrjedhojë e mirëmenaxhimit dhe kushteve të mira hidrike.
Por, Z.Hetoja thotë se se viti 2017 të ketë një rezultat krejtësisht të ndryshëm nga ai i një viti më parë për shkak të thatësirës dhe “rregullimit” që i është bërë veprimtarisë së shoqërisë KESH sh.a. duke e projektuar të gjithë veprimtarinë e saj si një detyrim për shërbim publik në funksion të OSHEE.

 

Si e vlerësoni ecurinë e treguesve financiarë të kompanisë KESH për vitin 2016 dhe periudhën e deritanishme e 2017-s?

Mirëmenaxhimi, por edhe kushtet e mira hidrike, bënë që viti 2016 të mbyllej me një fitim prej 1.6 miliardë lekësh. Gjithsesi, në këtë vit u morën disa vendime, të cilat çojnë në ndryshime thelbësore në veprimtarinë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare e që kanë të bëjnë me aktet nënligjore të miratuar në zbatim të ligjit të ri Për Sektorin e Energjisë Elektrike. Funksioni i Furnizuesit Publik me Shumicë u transferua nga KESH sh.a. tek operatori që ka përgjegjësinë direkte të furnizimit të klientëve fundorë (furnizuesi i shërbimit universal/OSHEE), gjë që i jep mundësinë KESH sh.a. të përqendrohet në kryerjen me eficiencë të veprimtarive primare të saj, prodhimin dhe shitjen/tregtimin e energjisë elektrike.

Ndaj shoqërisë KESH sh.a. u vendosën detyrimet e shërbimit publik për: (i) dhënien tek OST sh.a. të shërbimeve ndihmëse, shërbimin e balancimit dhe sasisë së energjisë të nevojshme për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit, (ii) sigurimin e volumeve të energjisë elektrike për OSHEE në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal (OSHEE/FSHU), volume të cilat duhet të zvogëloheshin sipas grafikut të liberalizimit të veprimtarisë së Furnizimit me Pakicë (sipas përcaktimeve në Modelin e Synuar të Tregut të Energjisë Elektrike).

Si rrjedhojë e thatësirës dhe “rregullimit” që i është bërë veprimtarisë së shoqërisë KESH sh.a. duke e projektuar të gjithë veprimtarinë e saj si një detyrim për shërbim publik në funksion të OSHEE/(FSHU), KESH sh.a. vlerëson se viti 2017 të ketë një rezultat krejtësisht të ndryshëm nga ai i një viti më parë. Përvoja e deritanishme tregoi se masa e Detyrimit të Shërbimit Publik të vendosur ndaj KESH sh.a. për të furnizuar OSHEE/FSHU, jo vetëm që nuk përbën kufizimin më të vogël dhe proporcional (neni 47) por është përtej kapaciteteve teknike dhe financiare të KESH, nuk i lejon KESH-it fleksibilitetin e duhur për të optimizuar burimet dhe portofolin e vet dhe shkakton kosto shtesë, të cilat nuk gjejnë pasqyrim në çmimin e lënë në fuqi nga ERE për KESH për detyrimin e shërbimit publik, çmim ky që në pikënisje nuk mbulonte kosto qartësisht të evidentuara dhe të nevojshme për përmbushjen e këtij detyrimi në masën e caktuar.

Thatësira që përshkoi vendin e përkeqësoi situatën financiare të KESH sh.a., por gjithsesi me një efekt jo më shumë se 2.4 miliardë lekë në uljen e të ardhurave të parashikuara për këtë vit. Si rezultat i projektimit të të gjithë veprimtarisë së KESH si një Detyrim për Shërbimin publik dhe lënies në fuqi të regjimit plotësisht të rregulluar të veprimtarisë së prodhimit, të ardhurat e KESH ulen në masën 3.9 miliardë lekë krahasuar me të ardhurat e planifikuara. Njëkohësisht, përmbushja e detyrimeve të shërbimit publik i dikton shoqërisë KESH sh.a. rritje shpenzimesh me 5.1 miliardë lekë si rrjedhojë e detyrimit për të kompensuar financiarisht OSHEE/FSHU për shkak të thatësirës dhe pamundësisë së prodhimit të sasisë kontraktuale të energjisë elektrike të përcaktuar nga ERE, si detyrim për lëvrim për OSHEE/FSHU, ndërkohë që shpenzimet (e paparashikuara) për importin e energjisë me financimin e Bankës Botërore në kuadrin e Rimëkëmbjes së Sektorit arrijnë në 2.9 miliardë lekë.

Nëse detyrimi për kompensimin e OSHEE/FSHU në rast mosfurnizimi nga ana e KESH synon të garantojë përmbushjen e detyrimit për shërbimin publik të KESH, mënyra se si është rregulluar zbatimi i këtij parashikimi ligjor, sidomos në rastin me kushte të pafavorshme hidrologjike, e kthen KESH-in në subvencionues të veprimtarisë së Furnizuesit të Shërbimit Universal/OSHEE.
Ka pasur edhe të tjera ngjarje të paparashikuara që ndikuan në rritjen e shpenzimeve të shoqërisë për vitin 2017. Vendimi i Gjykatës së Lartë deklaroi pavlefshmërinë e vendimit Nr. 143 dhe 144, datë 26/12/2014 të Entit Rregullator të Energjisë, për rishikimin e çmimit unik të shitjes së energjisë elektrike për të licencuarit për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet ekzistuese dhe të rinj me fuqi të instaluar deri në 15 MW, për vitet 2013 dhe 2014.

Përcaktimi i çmimeve nga ana e ERE-s me efekte prapavepruese, shkaktoi problematikë me efekt zinxhir, e cila e ekspozoi shoqërinë përkundrejt shpenzimeve jo vetëm të paparashikuara në Programin fillestar Ekonomiko-Financiar të KESH sh.a., por të papasqyruara edhe në çmimin prej 1.45 lekë/kWh, të lënë në fuqi nga ERE. Efekti në rritjen e shpenzimeve për këtë arsye ishte në masën 860 milionë lekë.

Miratimi i tarifave të reja të përdorimit të ujit, tashmë të aplikueshme edhe për KESH sh.a., e ekspozojnë shoqërinë përkundrejt shpenzimeve të tjera të paparashikuara në Programin fillestar Ekonomiko-Financiar të KESH sh.a., por edhe të papasqyruara në çmimin prej 1.45 lekë/kWh të lënë në fuqi nga ERE. Efekti i llogaritur për prodhimin e parashikuar për vitin 2017 rrit shpenzimet me 39,2 milionë lekë.
Efekti i përgjithshëm i këtyre zhvillimeve në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve parashikohet të gjenerojë një rezultat neto negativ prej afro 10.5 miliardë lekë.

 

2017

Efekti i përgjithshëm i këtyre zhvillimeve në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve parashikohet të gjenerojë një rezultat neto negativ prej afro 10.5 miliardë lekë

 

Si ka qenë ecuria e realizimit të planit të investimeve dhe si është ndikuar ai nga thatësira?

Gjendja e përkeqësuar financiare e shoqërisë për arsyet e shpjeguara më sipër dhe totalisht jashtë kontrollit të drejtimit të shoqërisë KESH sh.a., natyrisht ka ndikuar edhe në realizimin e planit fillestar të investimeve të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës dhe përfaqësuesi i pronarit shtet (MEI). Këshilli Mbikëqyrës i KESH ka miratuar së fundmi planin e rishikuar të investimeve, i cili ulet me rreth 30%.

 

Investimet

Këshilli Mbikëqyrës i KESH ka miratuar së fundmi planin e rishikuar të investimeve, i cili ulet me rreth 30%.

 

Çfarë po ndodh me zinxhirin e borxheve që OST dhe OSHEE i kanë KESH?

Siç ju e dini, çështja e zinxhirit të borxheve mes kompanive të sektorit energjetik është e trashëguar ndër vite. Në kuadër të reformës në sektorin energjetik u ndërmorën edhe nismat për rakordimin e detyrimeve të ndërsjella dhe gjetjen e mundësisë për shuarjen me kompensim të detyrimeve të ndërsjella të KESH/OSHEE/OST në raport me detyrimet e prapambetura që këto shoqëri kanë krijuar ndaj Buxhetit të Shtetit. Pavarësisht ritmit pozitiv të përmirësimit të treguesve krahasuar me gjendjen ku u nis reforma, ende gjendja e detyrimeve ndaj KESH mbetet problematike. Falë rritjes së nivelit të arkëtimeve dhe reduktimit të humbjeve, OSHEE ka garantuar pagesën e faturave korente për KESH, duke mos krijuar borxh të ri për faturat korrente.

Gjithsesi mbetet ende jo në nivelin e dëshiruar pagesa e detyrimeve të prapambetura, që do të çonte në reduktim të stokut të borxhit, i cili aktualisht është në nivelin prej rreth 50 miliardë lekë. Gjendja e detyrimeve të prapambetura të OST përkundrejt KESH deri më 31 gusht 2017 është rreth 1 miliard lekë.

Duhet kuptuar se çdo mungesë likuiditeti e vë shoqërinë KESH në një pozicion të vështirë në raport me pagesën e shpenzimeve të interesave të overdrafteve (të papasqyruara në çmimin prej 1.45 lekë/kWh të lënë në fuqi nga ERE), të cilat janë marrë dhe me garanci qeveritare pikërisht për faturat e papaguara të energjisë ndër vite të shoqërisë së shpërndarjes.

Adresimi i mëtejshëm i problematikës së borxheve të ndërsjella e bën edhe më të detyrueshme thellimin e reformës në sektorin energjetik për të kaluar tashmë drejt hapave konkretë me synim eliminimin e ndërsubvencionimit ndërmjet veprimtarive të operatorëve, rritjen e vetë eficensës së tyre dhe konsolidimin e qëndrueshmërisë financiare të sektorit.

A do të kërkoni rishikim të çmimit në fund të vitit dhe me çfarë tendence?

KESH ka dokumentuar të gjitha kostot që lidhen me përmbushjen e Detyrimit të Shërbimit Publik, ato të parashikuara dhe të paparashikuara, të cilat do të analizohen me kujdesin e duhur. Në përfundim të këtij procesi dhe në koordinim dhe me Qeverinë do të merren masat përkatëse me synim garantimin e funksionimit normal të korporatës në frymën e përcaktimeve të ligjit të ri nr. 43/2015 për sektorin e energjisë elektrike që parashikon liberalizimin e tregut dhe derregullimin e segmentit të prodhimit të energjisë elektrike. Është ende herët për të folur konkretisht në lidhje me përmbajtjen e kërkesës që KESH do t’i bëjë Entit Rregullator të Energjisë.

Në çfarë faze është ristrukturimi i kredisë nga BERZH?

Marrëveshja e kredisë u nënshkrua me BERZH në qershor 2016, por fillimi i disbursimit të saj, pra dhe procesi i rifinancimit të borxhit afatshkurtër të KESH me një borxh me terma të buta dhe me afat maturimi prej 15 vitesh, është i lidhur me plotësimin e disa kushteve për bërjen efektive të kredisë. Ndërsa një pjesë e kushteve është plotësuar, ato kushte që lidhen me planin e reformave të sektorit të energjisë – aneks i marrëveshjes së kredisë, mbeten ende për t’u adresuar në nivelin e kërkuar. Plotësimi i këtyre kushteve ka të bëjë me projektimin e veprimtarisë së KESH, jo bazuar në parimet e rregullimit të së gjithë veprimtarisë së prodhimit të energjisë elektrike nga ERE, por bazuar në parimet e rritjes së eficensës menaxheriale, operacionale, si dhe në të drejtën për të operuar në tregun e energjisë elektrike.

Cili është rekomandimi juaj për të investuar në burimet e prodhimit të energjisë, në mënyrë që Shqipëria të mos përballet me situata si kjo e kësaj vere?

Për sa kohë që vendi është importues neto, është e qartë se nevojitet të instalohen kapacitete të reja, pse jo të mos shfrytëzohen potencialet ujore në vend, për ato projekte që rezultojnë me leverdishmëri tekniko – ekonomike. Shqipëria ka potenciale të energjive të rinovueshme dhe mund të konsiderohen potencialisht si kapacitete të reja, dhe në tërësi përbëjnë atë që quhet “flota e kapaciteteve gjeneruese” e vendit, e cila duhet të mbështetet nga një infrastrukturë dhe treg i mirëfilltë i energjisë elektrike.

Prandaj, në çdo rast, vetëm nëpërmjet zbatimit të reformave të sektorit që synojnë rritjen e konkurrencës, rritjen e transparencës, si dhe përdorimin më me efektivitet të kapitalit në segmentet problematikë të zinxhirit të shërbimeve energjetike, do të mund të arrihet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike duke dhënë sinjalet e duhura se në cilat burime duhet investuar, e rrjedhimisht duke sjellë përfitime për ekonominë në tërësi dhe duke rritur mirëqenien sociale të qytetarëve shqiptarë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of