Nga Dr. Diana Leka (Angoni)
Drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve*
Ekosistemi i Sipërmarrjes, modeli i bashkëpunimit Triple Helix – dhe kriza globale sanitare e shkaktuar nga COVID-19, kërkojnë një moment reflektimi, por edhe urgjence mbi nevojën e bashkëveprimit të integruar dhe sistemik mes qeverisë-universiteteve-biznesit.
Të pasurit e një vizioni të qartë, angazhimi serioz dhe transmetimi i mesazheve të matura mbi ndërhyrjet sistemike të nevojshme rrisin elasticitetin që ekonomia të përballojë më mirë goditje të tilla si COVID-19 apo edhe të tjera dhe mbetet faktor i rëndësishëm për përmirësimin në kohë të sistemit socio-ekonomik të vendit.

Rëndësia e Triple Helix në ekosistemin sipërmarrës
Thënë thjesht, modeli Triple Helix përfshin tre aktorë: (1) universitetet, (2) qeverinë dhe (3) sipërmarrësit, ndërkohë që ekosistemi lidhet me bashkëveprimin mes politikës, institucioneve publike dhe sipërmarrësve dhe sot ky ndërveprim merr një rëndësi shumë të madhe.
Literatura sugjeron se të pasurit e një vizioni të qartë, ndërveprimi në kohë brenda ekosistemit dhe transmetimi i mesazheve koherente dhe në mënyrë të qëndrueshme rrisin elasticitetin ndaj goditjeve të tilla si COVID-19.
Kjo është gjithashtu edhe një segment i veçantë “niche” ku punon Këshilli i Investimeve (KI), i cili në modelin e tij të funksionimit ka ndërveprimin në trekëndëshin Qeveri-Biznes-Donatorë. Këshilli i Investimeve punon me një qasje nga poshtë lart dhe ndihmon në dhënien e mesazheve kyçe ndaj vendimmarrjes për problematika të qenësishme të klimës së investimeve në vend.
Konkretisht, që në vitin 2017, u evidentua nga bashkëpunimi me bizneset, se universitetet duhet të jenë partnerë në këtë platformë si aktorë të rëndësishëm të zinxhirit të tregut të punës dhe inovacionit. Ndaj me sugjerimin e anëtarëve të biznesit në KI, menjëherë u formalizua bashkëpunimi me anë të memorandumeve të bashkëpunimit si p.sh., me Universitetin “Epoka” dhe sot ky bashkëpunim është duke u konsoliduar më tej.
Pika e dytë: Si të maksimizojmë potencialin e vendit për tërheqjen e investimeve dhe nevojave të sipërmarrjes përmes stimulimit të ndërveprimit sistemik të aktorëve biznes-qeveri-universitete?
Në vitin 2017, ne punuam në aspektin sesi sipërmarrësit (në sektorin BPO – nënkontraktim tek të tretët) e konsideronin ekzistencën e potencialit për investimeve në tregun shqiptar dhe mund të gjenin opsione për incentiva drejt kapitalit njerëzor në Shqipëri, duke pasur parasysh se tregu i BPO konsiderohej mjaft joshës.
Në atë kohë, takuam në Tiranë kompani të tilla si BBC, Apple, Google, kompani të famshme që punojnë në sektorin e shërbimeve IT. Ato vinin në dukje potencialin e vendit dhe të burimeve njerëzore lokale, por edhe sfidat duke nënvizuar se sipërmarrja ishte optimiste, por kishte nevojë për ndihmë nga sistemi për të maksimizuar potencialin dhe pyetja në atë kohë ishte: Si të maksimizojmë/optimizojmë këtë potencial me nevojat e sipërmarrësve?
Ne kuptuam, nga analiza e të dhënave lokale dhe ndërveprimi me bizneset, se zgjidhja e çështjeve të tregut duhet të fillojë nga arsimi nëse gjykonim nga perspektiva e zinxhirit të furnizimit në veçanti. Ndaj edhe u dhanë sugjerime që lidheshin me universitetet, qeverinë apo edhe sipërmarrjen.
Në atë kohë, duke u thelluar më shumë, evidentuam se në disa sektorë, vendi ishte konkurrues, por nuk mund të arrinim konkurrentët tanë, pikërisht prej hendekut (sasior ose cilësor) në kapitalin njerëzor. Për shembull, në atë kohë, ne konstatuam se zyrat e karrierës në disa fakultete ekzistonin (e ekonomisë dhe në atë të shkencave sociale), por nuk kishte një bashkëpunim sistemik mes bizneseve dhe universiteteve.
Më duhet të citoj një biznes që nënvizonte: “Biznesi evidenton cilësinë e tregut të punës nga perspektiva e zinxhirit të furnizimit, por nuk e zgjidh dot vetëm problemin, i cili kushtëzohet nga bashkëpunimi universitet – qeveri – biznes”. Ndaj momenti tani është me rëndësi të madhe që t’i japim formë dhe fokus këtij drejtimi – mbajtja e një marrëdhënie sistematike mes universitetit – qeverisë dhe sipërmarrjes.
Mund të sjellim në vëmendje nga 2015-a kaq shumë nisma që konvergojnë me këtë ide. Tani duhet ta konsolidojmë dhe ky është sugjerimi ynë. Pa konsolidimin e këtij ndërveprimi nuk mund të ecim përpara dhe përballimi i krizave si kjo aktuale do të ketë kosto të mëdha.
Shembulli i dytë është kur punuam me incentivat për investimet. Konstatuam se në vitin 2004, projekti i TAP-it ishte miratuar nga Parlamenti me votat e 140 deputetëve duke reflektuar ndërgjegjësimin politik dhe rëndësinë e projektit për vendin. Gjithsesi, miratimi i këtij projekti unik nuk u shoqërua me ndërhyrjet e tjera të nevojshme, siç është përgatitja më parë e tregut të punës, sipas sektorëve specifikë përkatës.
Ndërkohë që në 2017, ne konstatuam përmes bizneseve se për sektorë specifikë, përfshirë gazin dhe elektricitetin, po importohej fuqi punëtore nga Turqia për të mundësuar plotësimin e nevojave në këta nënsektorë specifikë duke qenë se tregu lokal nuk mund të ofronte një forcë pune të kualifikuar. Mendoj se ky është një shembull konkret, që tregon nevojën për ndërlidhje/ndërveprim aktiv mes biznesit, qeverisë dhe universitetit.
Kështu gjërat mund të bëhen eficiente, të konvergojnë dhe në njëfarë mënyre, të ndihmojnë që ekosistemi të kontribuojë vërtet në kohë, në klimën e investimeve të vendit. Rekomandime të arsyeshme u mundësuan në atë kohë për universitetin, shoqatat e biznesit dhe qeverinë të cilat ne i monitorojmë dhe sistematikisht raportojmë në Këshill.
Momenti
Ndaj le ta konsiderojmë këtë moment si një reflektim dhe me maturi të punohet për të konsoliduar ekosistemin e nevojën për bashkëpunim sistemik mes universiteteve, sipërmarrësve dhe qeverisë.
Një moment unik. Pse tani?
COVID-19 na detyroi që të hidhnim vështrimin mbi të dhënat shkencore dhe të diskutojmë, duke kaluar më pas tek rekomandimet shkencore. Do të thoja tani, si kurrë më parë, jemi të detyruar të komentojmë mbi atë se çfarë do të thotë shkenca jo vetëm lokalisht, por edhe globalisht. Më shumë se kurrë, bashkëpunimi i ngushtë, i qartë dhe komunikimi i duhur, ndjekur nga një reagim i shpejtë për atë që është konstatuar përmes shkencës duke konsideruar edhe impaktin social dhe buxhetin e qeverisë, bëhet kaq i rëndësishëm. Ndaj le ta konsiderojmë këtë moment si një reflektim për të konsoliduar ekosistemin e sipërmarrjes nëpërmjet stimulimit të bashkëpunimit sistemik midis universiteteve, sipërmarrësve dhe qeverisë.
Në veçanti. Ne nisëm një anketë në 28 mars (në 24 mars qeveria mori vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme) deri më 6 maj, duke synuar që të ndikojmë debatin me disa të dhëna lokale dhe kur themi ndikojmë, nuk e kemi fjalën vetëm në teori, por bazuar në shifra .
Synimi kryesor ishte që të ndihmonim audiencën duke vendosur pyetjet e duhura dhe bazuar në të, debati të ndihmonte realisht politikëbërjen mbështetur tek evidencat lokale dhe profili i bizneseve tona ku 95% janë biznese të vogla dhe të mesme. Kjo në kushtet kur e dinim gjithashtu se reagimi i qeverisë ndaj COVID-19 duhet të konsideronte këtë pjesë të biznesit si prioritet.
Nëpërmjet një ankete të ndarë në katër shtylla: 1. Sfidat kryesore të biznesit gjatë pandemisë COVID-19. 2. Perceptimet e biznesit ndaj masave të ndërmarra nga qeveria në përballimin e COVID-19 3. Masat që vetë biznesi ndërmori për të siguruar vijimësinë e punës, pamundësinë e të shkuarit në punë dhe ekzistenca e strategjisë së riskut. 4. Shkalla e përdorimit të shërbimeve online nga ana e kompanive gjatë COVID-19 dhe më tej. Kjo e fundit, në fakt, u evidentua si një instrument që u përdor mjaft nga bizneset gjatë pandemisë COVID-19.
Hapi i dytë, sekretariati përgatiti një përmbledhje të shkurtër dhe të shpejtë të ndryshimeve ligjore të lidhura me vendimmarrjet e qeverisë gjatë krizës sanitare, duke e përditësuar në mënyrë sistematike, me synimin për të mbështetur informimin në kohë të biznesit, veçanërisht atij të vogël duke qenë se, bazuar në përvojën tonë, ai nuk mund të përthithte gjithë këto ndryshime kaq të shpeshta në një kohë kaq të shkurtër. Për shembull, aplikimi dhe marrja e pagave për punonjësit apo mundësi të tjera likuiditeti nëpërmjet skemave të garancisë së kredisë.
Ndaj menjëherë nisëm anketën bazuar në të dhënat tona tashmë 5- vjeçare, si dhe sintetizuam përmbledhjet ligjore për të shpejtuar ndërgjegjësimin dhe informimin në kohë mbi atë se çfarë po ofrohej nga qeveria.
Së fundmi, bazuar në sa më lart:
1. Besimi tek aktorët që mbështesin ndërtimin e ekosistemit të sipërmarrjes është sot i një rëndësie unike. Por sigurisht besimi nuk mund të ndërtohet në një ditë dhe nuk vjen menjëherë, por është çështje e modelit dhe bashkëpunimit sistematik dhe rezultateve konkrete .
2. Debati cilësor në kohë, bazuar në evidenca dhe analiza ndihmon transparencën, kontributin e ekosistemeve dhe përmirëson klimën e investimeve në vend.
Do të vazhdoja këtu me një pyetje dhe një opinion mbi atë se çfarë mund të bëjmë më tej, në kuptimin që të stimulojmë kontributin e universiteteve në marrjen e vendimeve të vendit. Sa i takon kësaj, ne në Këshillin e Investimeve kemi përvojën tonë të pesë viteve, së bashku me partnerët dhe jemi këtu për të ndihmuar nëpërmjet modelit dhe integrimit të aktorëve për një vizion të qartë për të dhënë rezultate konkrete.
Bashkëveprimi
Besimi tek aktorët që mbështeten te ndërtimi i një ekosistemi të besueshëm sipërmarrjeje është sot i një rëndësie të veçantë. Besimi nuk mund të ndërtohet në një ditë dhe nuk vjen menjëherë, por është çështje e bashkëpunimit në zinxhir edukim – qeverisje – biznes dhe në mënyrë sistematike me fokus dhënien e rezultateve konkrete.
——————————–
[1] www.investment.com.al
[2] www.investment.com.al
[3] Për shembull, në Këshillin Shqiptar të Investimeve ne sot kemi rreth 40% të rekomandimeve të miratuara nga qeveria, rreth 15% në process dhe 35% totalisht të dakordësuara. Pyetja është koha: “A do të shpejtojmë këtë herë në miratimin e rekomandimeve dhe bashkëpunimin e të gjithëve për të mos pritur, duke ecur para në mënyrë që të arrijmë rezultate në kohë?”
*përshtatur nga një bisedë me studentët e Universitetit Epoka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.