Football Association mund të shesë Wembley. Federata angleze ka marrë një propozim për blerjen e impiantit historik: bëhet fjalë për 500 milionë sterlina.
Oferta ka ardhur nga miliarderi Shad Khan, pronar i klubit anglez Fulham dhe Jacksonville Jaguars, franchise NFL (kampionati i futbollit amerikan në SHBA).
Konfirmimi i ofertës ka ardhur si nga ana e NFL si nga FA. “Konfirmojmë se kemi marrë një ofertë për blerjen e stadiumit Wembley”, ishin fjalët e zëdhënësit të Federatës angleze.
Blerja nga ana e Khan mund t’i hapte dyert franchise së parë me seli në Europë në NFL. Zërat rreth mundësisë së krijimit apo të zhvendosjes së një klubi të futbollit amerikan në Angli janë bërë gjithnjë e më të shpeshtë në vitet e fundit, pas suksesit në Londër nga ana e NFL në sezonin e fundit.
Nëse plani do të bëhej realitet, kombëtarja angleze do të detyrohej të gjente një tjetër impiant për ndeshjet gjatë periudhës shtator – shkurt, gjatë së cilës zhvillohet sezoni i kampionatit amerikan të futbollit.
Kjo nuk do të ndodhë për ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të FA Cup dhe kompeticione të tjera që luhen në Wembley. Kjo ofertë, siç bën të ditur Daily Mail, nuk mund të refuzohet nga drejtuesit e FA. Federata angleze nuk e ka paguar ende impiantin e ri (kushtoi 757 milionë sterlina, borxhi i FA shkon në 140 milionë sterlina që duhet t’i ripaguajë deri në vitin 2024). 500 milionë sterlina do të shërbenin nga një anë për të ripaguar borxhet, por pjesa më e madhe do të përdoreshin për zhvillimin e futbollit në Angli.