Banka Botërore bëri me dije se Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të saj miratoi javën e shkuar një financim shtesë prej 11 milionë dollarësh për Projektin e Modernizimit të Asistencës Sociale. Ky financim shtesë do të rrisë mbështetjen për reformat që përmirësojnë barazinë dhe eficiencën e programeve të asistencës sociale në Shqipëri.
“Projekti ekzistues ka arritur rezultate premtuese në reformimin e dy programeve kryesore të asistencës sociale: ndihmës ekonomike dhe asistencës për aftësinë e kufizuar. Është future një formulë e re përllogaritëse për ndihmën ekonomike që ndihmon në identifikimin e familjeve më të varfëra në Shqipëri, si dhe për të hequr nga skema abuzuesit. Pas pilotimit në tri rajone (të cilat mbulojnë gjysmën e popullsisë së vendit), formula e re po përdoret në shkallë kombëtare duke përmirësuar mbulimin dhe targetimin. Është ngritur dhe po funksionon një sistem elektronik për të dy programet e asistencës sociale. Sistemet e reja kanë rritur efikasitetin duke reduktuar kohën e përcaktimit për përfshirje në skemë në vetëm 5 ditë, nga 25 ditë që ishte në fillim të projektit” thuhet në njoftimin e BB.
Sakaq ky institucion bën me dije se financimi shtesë do të mbështesë disa aktivitete të reja siç janë rritja e hapësirës gjeografike të aktiviteteve mbi asistencën për aftësinë e kufizuar; përmirësimin e aksesit të personave me aftësi të kufizuar në qendrat shtetërore rajonale të shërbimeve sociale; futjen e paketave të politikave të punësimit për përfituesit e ndihmës ekonomike, si dhe prezantimin e një Model Social, që do të synojë përmirësimin e jetës së njerëzve me aftësi të kufizuara përmes zbatimit të një sistemi të integruar të shërbimeve për këtë grup të cënueshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.