Ndërsa ka kaluar një vit nga qeverisja e re, pak ka ndryshuar për bujqësinë. Skema e subvencioneve ka ndryshuar kurs, ndaj kërkon kohë të fillojë efektet e saj. Ujitja ka mbetur në vendnumëro, ndërsa mesazhet mbi analizat bujqësore dëmtuan eksportet e perimeve të hershme
Pak ditë më parë, ministri i Bujqësisë zgjodhi të bënte një konferencë për shtyp, duke iu drejtuar drejtpërdrejt fermerëve që ishin përzgjedhur si fitues në skemën e subvencioneve, për t’u thënë atyre se paratë do të mbërrinin në xhepat e tyre dhe për çdo zyrtar që do të guxonte të abuzonte, nuk do të mendohej dy herë ta largonte nga puna. Një mesazh i duhur për fermerë e agropërpunues, që janë shumë herë më pragmatistë se zyrtarët që zvarrisin procedurat. Dhe, në fakt, mesazhet e ministrit të Bujqësisë nuk kanë munguar, si me takimet në ferma, edhe me takimet e agropërpunuesve në zyrat e ministrisë. Këtë vit, edhe vlera e subvencioneve ishte më e lartë se vitin e kaluar. Megjithatë, kur ka kaluar gjysma e vitit e jemi në pikun e prodhimit, “dora e qeverisjes së re” duket pak në bujqësinë shqiptare.
Shoqatat e fermerëve pranojnë se po përballen me të njëjtat vështirësi si edhe vitet e kaluara, kur flitet për të ujitur tokat bujqësore, kur flitet për kostot e larta që iu desh t’i punonin në sezonin e pranverës, dhe po ashtu, edhe nxjerrja e prodhimit në treg. Ata kujtojnë se po të ishte për investime shtesë, prodhimi do të mbetej njësoj si një vit më parë, por atë që nuk ua dha dot Ministria e Bujqësisë, këtë vit ua ka rezervuar natyra. Reshjet e këtyre ditëve vlerësohet të kenë qenë të favorshme për prodhimin bujqësor, përjashtuar prodhimin e grurit.
Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj, thotë për “Monitor” se reshjet nuk e kanë dëmtuar prodhimin në tërësi, madje kanë qenë të favorshme. “Përjashtuar pak dëmtime në sipërfaqet e grurit, apo edhe dëmtimet aty ku ka pasur breshër, në tërësi, shirat kanë ndihmuar prodhimet bujqësore”, – thotë Ferizaj.
Në pikun e sezonit ku jemi, duket se edhe sasitë në treg janë aq sa t’u sigurojnë fermerëve fitimet e duhura, pasi e pranojnë se po arrijnë të shesim me çmime të favorshme (për ta, por jo për konsumatorët).
Subvencionet, fitojnë 1700 fermerë e agropërpunues
Këtë vit janë përzgjedhur 1700 fermerë për t’u financiar nga buxheti i shtetit për prodhimet e tyre. Ministria e Bujqësisë ka bërë gati listën e fituesve, ndërsa ministri Panariti shpjegoi se do të përfitojnë ata që kanë prodhimin më të madh dhe me kosto më të ulët. Ministri iu drejtua fermerëve, duke u vënë në dispozicion një numër telefoni për rastet kur atyre u kërkohet ryshfet në këmbim të përfitimit. “Me skemën e mbështetjes në teknologji synohet bashkimi i fermerëve për të grumbulluar prodhimin, pasi vetëm kështu, ata mund të përfitojnë para, por edhe të investojnë më shumë”, u shpreh Panariti. Këtë vit, përfitimi vlerësohet të shkojë deri në 150 mijë dollarë për një fermer. Skema “e drejtë”, sipas Ministrisë së Bujqësisë, vlerësohet të mos jetë e tillë sipas ish-drejtuesve të kësaj ministrie, pasi ndryshimi i kursit, me politikat mbështetëse, jo vetëm kërkon më shumë kohë që të fillojë të duket efekti i tyre në bujqësi, por rrezikon të zbehë investimet e bëra deri më tani në skemën “e vjetër” të subvencioneve, pasi në sektorë të tillë si ullishtat, ndërpritet rubineti ushqyes.
Një shqetësim të madh për fermerët përbën edhe subvencioni i lëndës djegëse për bujqësinë, i cili, ndonëse u premtua mënyra e mbështetjes, u prezantua aq vonë sa serat me ngrohje nuk do të kishin më nevojë, të paktën për këtë vit. Në pranverë, ministri Panariti tha se të gjithë fermerët që kultivojnë prodhimet e tyre në sera me ngrohje do ta përfitojnë naftën 40% më lirë. Sipas tij, “për çdo 1 dynym serë me ngrohje, fermerët do të përfitojnë 100 mijë lekë, duke ndikuar në rritjen e prodhimit”. “Do të inkurajojmë prodhuesit e serave me ngrohje të zgjerojnë aktivitetin. Mbajmë një premtim për mbështetje me naftë pa akcizë të prodhimit bujqësor. Për sektorë të tjerë të ekonomisë do propozojmë masa të ngjashme për të nxitur prodhimin dhe për të ulur kostot. Ndërsa jemi angazhuar për shpërndarjen e fidanëve të ullirit të kontrolluar falas në të gjithë vendin”, tha Panariti.
Në fakt, buxheti për këtë vit është më i lartë se një vit më parë. Ai është parashikuar të jetë në masën e 78 milionë dollarëve, ose 5 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. Gjithsesi, ekspertët e fushës kujtojnë se ishte premtuar pesëfishim i fondeve për zhvillimin rural. Sipas specialistëve të bujqësisë, jashtë kësaj ministrie mbeten shumë probleme për t’u zgjidhur, për të cilët, pavarësisht fjalëve, nuk bëhet asnjë hap konkret përmirësues, siç është rasti i ujitjes. Sipas tyre, në këtë periudhë nuk rezulton të jetë shtuar sipërfaqja e ujitur, ndërsa gjatë fushatës elektorale, në programin për bujqësinë, mazhoranca premtoi se fondet për ujitjen do të arrinin në 160 milionë dollarë. Sot, në Shqipëri, ka rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore e kategorisë së parë që nuk ujitet. Tokë e kategorisë së parë që nuk ujitet fare ose ujitet në 30% të nevojave. Në vend llogariten rreth 30 mijë hektarë tokë bujqësore që vazhdojnë të përmbyten.
Toka në shifra
50 mijë hektarë tokë bujqësore e kategorisë së parë që nuk ujitet
30 mijë hektarë, vazhdojnë të përmbyten
Eksportet e dobëta bujqësore
Këtë vit, fermerët shqiptarë dështuan me eksportin e prodhimeve të hershme. Informacionet e gabuara stepën tregtarët e rajonit, ndërsa eksportet në tërësi u rritën falë bimëve mjekësore e aciuges kroate të përpunuar te ne
Gjysma e parë e këtij viti tregoi se tregtia agroushqimore është përmirësuar lehtësisht krahasuar me një vit më parë. Përmirësimi vjen falë rritjes së eksporteve, ndërsa importet shënuan rënie të lehtë. Kjo bëri që raporti eksport:import të zbresë nga 1:7 vitin e kaluar, në 1:6 këtë vit, duke theksuar ndërkohë se ky është një raport i lartë deficitar për një vend bujqësor si Shqipëria.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, në gjashtë muajt e parë të këtij viti importet ranë në 43.3 miliardë lekë, nga 43.5 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, eksportet arritën në 7.2 miliardë lekë, nga 6.3 miliardë të eksportuara për të njëjtën periudhë. Por një vështrim më i detajuar na tregon se vazhdojmë të kemi probleme në krijimin e një eksporti cilësor.
Sipas të dhënave të detajuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, rritja ka ardhur kryesisht nga eksporti i dy produkteve: peshk i konservuar dhe bimë mjekësore. Për fat të keq, kjo nuk është mënyra më e mirë e rritjes, pasi vlera e shtuar në eksporte mbetet e ulët, për sa kohë, përpunimi i peshkut është një fason (me lëndë të parë të importuar nga fqinjët), ndërsa bimët mjekësore vazhdojnë të eksportohen ende të papërpunuara sa duhet. Sipas të dhënave të tregtisë, eksportet e bimëve mjekësore u rritën 48%, duke kaluar nga 3.8 mijë tonë, në 5.3 mijë tonë për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Ndërkohë, eksporti i peshkut të konservuar dhe aciugeve arriti në 2.5 mijë tonë, nga 2 mijë tonë që ishte më parë.
E ndërsa vlerësohet rritja e këtyre e eksporteve, të cilat tregojnë se janë angazhuar më shumë familje që grumbullojnë bimë mjekësore, të dhënat e këtij viti tregojmë se nuk kemi arritur të shfrytëzojmë avantazhin konkurrues, eksportin e perimeve të hershme. Ndonëse pozicioni gjeografik na jep një muaj avantazh për të prodhuar e për të tregtuar krahasuar me fqinjët “e ftohtë” Maqedoni, Kosovë, Serbi, këtë vit eksportet e prodhimeve të hershme kanë rënë. Sipas të dhënave të tregtisë, eksporti i domates ra me 4%, pjeprit e bostanit me 50%, qepa 25% dhe patate me 40%.
Sipas ekspertëve të bujqësisë, problemi ndodhi pikërisht në muajt prill maj, kur ministri i Bujqësisë zbriti vetë në terren për të treguar se ka laboratorë e bëhen analizat. Por, kjo sipas ekspertëve të kësaj fushe, u lexua ndryshe nga tregtarët e huaj, të cilët u stepën e nuk importuan, mes dyshimeve nëse bëhen apo jo analizat. Një mëdyshje e ushqyer nga debatet e medias mes diskutimit prani hormonesh apo produkte bio (pa u mjaftuar me produktet natyrale bujqësore) që mund të furnizojnë normalisht tregun e konsumit, bëri që fermerët shqiptarë të eksportojnë në total 9 mijë tonë prodhime më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Pikërisht, kjo bëri që stoku i prodhimit në vend të rritet dhe çmimet perimeve në atë periudhë të ishin çuditërisht më të ulëta edhe se në pikun e sezonit të prodhimit. Nëse aktualisht, para pak ditësh, një kilogram domate kushtonte edhe 100 lekë, në muajin maj gjendeshin në treg masivisht me çmim 60-80 lekë/kg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.