Bullgaria, e cila po mundohet në të gjitha mënyrat që ta ketë sa më të lehtë dhe të hapur rrugën për miratimin e euros gjatë këtij viti, tha se nuk ka asnjë plan për t’iu bashkuar Unionit Bankar të Europës, përpara kalimit në monedhën e përbashkët europiane. Vendi ballkanik dëshiron që të jetë pjesë e mekanizmit të kursit të këmbimit brenda kësaj vere.
Edhe pse anëtarësimi i saj në unionin bankar përpara hyrjes në Eurozonë mund të ndihmojë në zbutjen e shqetësimeve dhe dyshimeve rreth transparencës së bankave pas skandaleve të pastrimit të parave në disa vende të tjera të Europën Lindore, një hap i tillë nuk është aspak pjesë e planeve të saj. “Bullgaria po punon në mënyrë aktive dhe intensive për të hyrë në ERM-2, që është hapi i parë për të vazhduar më pas me anëtarësimin në Eurozonë dhe të qenët pjesë e unionit bankar”, u shpreh Ministria e Financave nëpërmjet një përgjigje me email ndaj pyetjeve të ngritura nga Bloomberg.
Ndërsa kërkesa e këtij vendi ballkanik për t’u bërë anëtari i 20-të i Eurozonës ka fituar mbështetje nga udhëheqësit e Gjermanisë dhe të Francës, Banka Qendrore Europiane i konsideron huadhënësit e saj si një prej shqetësimeve kryesore.
Lajmet nga Letonia, ku banka e saj e tretë më e madhe u mbyll nga BQE-ja me akuzat për pastrim parash dhe Guvernatori i së cilës është në një proces hetimi për marrje ryshfetesh, e ka ndërlikuar dhe vështirësuar situatën aktuale të Bullgarisë.
Përpjekjet për të vendosur bankat e saj nën mbikëqyrjen e BQE-së kanë ngecur në vend që nga viti 2014, kur qeveria fillimisht kërkoi që të bashkohej me Mekanizmin e Vetëm Mbikëqyrës në mes të krizës më të keqe bankare të 17 viteve të fundit. Por dy vjet më vonë, testet e stresit treguan se sistemi financiar ishte i qëndrueshëm.
Megjithatë, sipas Komisionit Europian, ka ende “pika të dobëta” të cilat duhet të sqarohen sa më parë. “Ngjarjet në Bullgari dhe ato të kohëve të fundit në Letoni, pas krizës bankare, tregojnë se Bullgaria do të përfitojë shumë si shtet nga ana ekonomike nëse do të jetë pjesë e unionit bankar”, tha Lyubomir Mitov, një konsulent i UniCredit SpA me seli në Uashington DC. “Kontrolli mbi mbikëqyrjen e huadhënësve dhe rregullimi i tyre do të zhvendosen pjesërisht jashtë vendit dhe do të monitorohen po nga jashtë”, tha ai më tej.
Shteti më i varfër i Bashkimit Europian me të ardhura për frymë, po përpiqet që të jetë pjesë e ERM-2. Monedha e saj kombëtare, Levi, tashmë është e lidhur me euron, borxhi publik është shumë më poshtë mesatares së Eurozonës dhe kapakut të BE-së, dhe kombi ka një suficit buxhetor, prandaj miratimi mbetet vetëm një çështje e vullnetit politik nga autoritetet e bllokut.
Sipas Raffaella Tenconi, kryeekonomiste në ADA Economics sh.p.k. në Londër, është e mundur që ajo të bashkohet me unionin bankar, të ngritur si një përgjigje ndaj krizës së Eurozonës, pa qenë anëtare e bllokut të monedhës së përbashkët. Një veprim i tillë do të zvogëlonte ndjeshëm edhe ndikimin e qeverisë në këtë sektor.
Ndërsa sipas Daniel Gros, Drejtor i Qendrës për Studimin e Politikave Europiane në Bruksel, mbikëqyrja e BQE-së do të “ofronte garanci shtesë” në mënyrë që kriza si ajo që shkaktoi kolapsin e Bankës Tregtare, Corporate Commercial Bank AD, në vitin 2014 të mos ndodhin më.