Nevoja për qëndrueshmëri fiskale
Shqipëria ka një histori tranzicioni që karakterizohet nga paqëndrueshmëria e lartë e regjimit tatimor. Ligjet, që rregullojnë sistemin tatimor në vend, kanë ndryshuar aq shpesh, saqë e kanë humbur qëllimin e vërtetë të tyre dhe janë kthyer në një mjet administrativ për të mbushur buxhetin.
Në teori, politika fiskale i referohet përdorimit të shpenzimeve të qeverisë dhe politikave tatimore për të ndikuar kushtet ekonomike, veçanërisht ato makroekonomike.
Këto përfshijnë kërkesën agregate për mallra dhe shërbime, papunësinë, inflacionin dhe rritjen ekonomike. Ekuilibri mes një politike fiskale të qëndrueshme që takson me drejtësi dhe shpenzimit të këtyre parave për krijimin e të mirave publike dhe rritjen e mirëqenies së popullatës mbetet kyç për suksesin e politikave të një qeverie.
Në Shqipëri, në dekadat e fundit, në pjesën më të madhe, politika fiskale ka dështuar të arrijë të krijojë një mjedis të qëndrueshëm për të nxitur bizneset dhe investimet private.
Politika fiskale është elementi më i paparashikueshëm te bizneset. P.sh., ligji i vjetër për tatimin mbi të ardhurat në dy dekada ka ndryshuar më shumë se sa 30 herë (mesatarisht ka ndryshuar të paktën 1.5 herë në një vit).
Madje edhe ligji i ri, që u miratua në mars të vitit 2023, është rishikuar dy herë që përpara se të hynte në fuqi. Ligji për procedurat tatimore, në më pak se dy dekada, ka pësuar mbi 20 ndryshime.
Në çdo ligj që hap në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të shikosh tekste të shkruara me ngjyra pa fund, ku secila prej tyre tregon se sa herë është rishikuar ai.
Vit pas viti, kur qeveria hedh për diskutim (shpesh sa për sy e faqe) paketën e re fiskale, bizneset kërkojnë qëndrueshmëri. Këto të fundit ankohen se planet e tyre të biznesit shpesh hidhen në erë për faktin e thjeshtë se regjimi tatimor ndryshon në mes të vitit, duke e bërë të vështirë që të planifikojnë apo zbatojnë investimet e qëndrueshme.
Është e pritshme që në një ekonomi me rritje e zhvillim të shpejtë të ketë ndryshime ligjore. Por këto rishikime duhet të jenë të studiuara mirë dhe t’i shërbejnë objektivit të politikës fiskale për të nxitur ekonominë, investimet private dhe konkurrencën e drejtë. Në fakt, ndodh e kundërta.
Dhomat e biznesit janë ankuar vazhdimisht se ndryshimet e shpeshta ‘ad hoc’ kanë minuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit tatimor, rrisin kostot administrative të tatimpaguesve dhe ndikojnë negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja në vend.
Nuk ka analiza të thelluara, nga institucione të specializuara, të efekteve që këto ndryshime kanë te bizneset dhe ekonomia e vendit.
Mungojnë strategjitë afatgjata që do të ulnin pasigurinë dhe do të garantonin qëndrueshmëri të politikave tatimore. Të gjitha këto sjellin si efekt zinxhir problematika të vazhdueshme në zbatimin në terren, duke shtuar paqartësitë dhe duke sjellë kosto shtesë për sipërmarrjet, dhe jo vetëm.
Nëse ka një tregues që mat më së miri dështimin e politikave fiskale është niveli i evazionit. Shqipëria ka sot rendimentin më të ulët tatimor, me të ardhurat që janë sa 27-28% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga rreth 35% që është mesatarja e vendeve të rajonit dhe mbi 40% të PBB-së në shtetet e zhvilluara të Europës, pavarësisht se nivelet e taksave dhe tatimeve nuk janë ndër më të ulëtat në rajon apo Europë.
Një anketë e fundit me bizneset e zhvilluara nga Këshilli i Investimeve (një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat) gjeti se informaliteti në ekonomi aktualisht është më i lartë se në vitin 2019.
Sipas anketës, faktori më i rëndësishëm që promovon informalitetin është barra fiskale në nivel qendror, që ka zëvendësuar konkurrencën e pandershme që rezultonte në 2019-2022.
Rritja e tatimeve në dekadën e fundit dhe shtigjet që mundësoi legjislacioni kanë zhvlerësuar përpjekjet e shumta për të zgjeruar bazën e tatimpaguesve dhe për të sjellë më shumë të ardhura në buxhet.
Rasti më tipik është me ligjin për tatimin mbi të ardhurat, që nga njëra anë, nga viti 2014 i ngarkoi individët e shtresës së mesme deri në 23%, ndërsa e la barrën tatimore për bizneset gati zero, duke e bërë më pas tërësisht zero në 2021.
Për një dekadë të tërë, politikëbërësit u përpoqën që të luftonin evazionin/shmangien që e mundësuan vetë, ndërsa “akuzuan” tatimpaguesit për shtigjet që i hapën vetë.
Këto shtigje ende nuk janë mbyllur, teksa ashtu siç deklaroi raporti i Këshillit të Investimeve dhe pohojnë ekspertët, informaliteti pritet të rritet.
Arsyet se pse rritet ekonomia informale nuk janë të vështira për t’u zbuluar: tatimet e larta, kostoja e lartë për të bërë biznes ligjërisht, legjislacioni i paqartë tatimor me përjashtime dhe interpretime të shumta, zbatimi në mënyrë arbitrare i ligjeve, moskorrektesa në kreditimin tatimor, korrupsioni e me radhë.
Pa adresuar faktorët kryesorë, ndryshimet e legjislacionit nuk do t’i shërbejnë ekonomisë, por vetëm sa do të kthehen në një bumerang.