Projekti ka përcaktuar me qartë përgjegjësinë për hartimin dhe nënshkrimin e pasqyrave financiare, kur për herë të parë kjo përgjegjësi nuk lihet e nënkuptuar por sanksionohet në ligj, duke vendosur detyrimin që pasqyrat financiare të nënshkruhen edhe nga hartuesi, ose ndryshe nga profesionisti, çka e ka ngritur përgjegjësinë e tij në një nivel me atë të drejtimit të entitetit
Hysen Çela, Kryetar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) thotë se, projektligji i ri i kontabilitetit, që po diskutohet aktualisht me grupet e interesit, rrit me tej transparencën e raportimit të bizneseve. Projekti ka përcaktuar me qartë përgjegjësinë për hartimin dhe nënshkrimin e pasqyrave financiare, kur për herë të parë kjo përgjegjësi nuk lihet e nënkuptuar, por sanksionohet në ligj, duke vendosur detyrimin që pasqyrat financiare të nënshkruhen edhe nga hartuesi, ose ndryshe nga profesionisti, çka e ka ngritur përgjegjësinë e tij në një nivel me atë të drejtimit të entitetit. Por ai thotë se, publikimi nga një grup entitetesh, përveç pasqyrave financiare, edhe të disa raporteve të cilat përmbajnë të dhëna financiare e jo financiare dhe analiza të detajuara, do të ishte i pamundur të realizohej me eficiencë, që në këtë fazë të zbatimit të ligjit.
Zoti Çela çfarë risish projektligji i ri për “Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”
Projektligji për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare, që pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, mendoj se ka arritur të bëjë një përafrim me të madh me legjislacionin komunitar dhe posaçërisht me Direktivën nr. 2013/34/BE për sa i përket raportimit financiar të entiteteve të biznesit në vendin tonë. Për herë të parë, në një mënyrë më të qartë, në këtë projektligj trajtohen jo thjesht pasqyrat financiarë vjetore individuale, por edhe ato të konsoliduara, si edhe përfshihet detyrimi që, një kategori entitetesh të mëdha të përgatitin dhe të publikojnë edhe raporte të ecurisë se veprimtarisë, të cilat përmbajnë informacione financiare dhe jo-financiare, ndërsa shoqëritë tregtare të mëdha të cilat kanë mesatarisht më shume së 500 punonjës në vit të përgatitin dhe publikojnë edhe një raport jo-financiar, më shumë gjithëpërfshirës, etj.
Gjithashtu, projektligji bën një klasifikim më të arsyeshëm të entiteteve për qëllime të raportimit financiar, duke vendosur si objektiv afatmesëm barazimin e kufijve të klasifikimit të entiteteve në vendin tonë, me ato që parashikohen nga legjislacioni komunitar.
Projekti ka përcaktuar me qartë përgjegjësinë për hartimin dhe nënshkrimin e pasqyrave financiare, kur për herë të parë kjo përgjegjësi nuk lihet e nënkuptuar por sanksionohet në ligj, duke vendosur detyrimin që pasqyrat financiare të nënshkruhen edhe nga hartuesi, ose ndryshe nga profesionisti, çka e ka ngritur përgjegjësinë e tij në një nivel me atë të drejtimit të entitetit.
Natyrisht, ka edhe mjaft ndryshime e përmirësime të tjera krahasuar me ligjin e mëparshëm, pasi kërkohet të jepen informacione më të strukturuara dhe më të dobishme për përdoruesit.
Në një analizë e përgjithshme mendoj të nënvizoj disa problematika të këtij projektligji, si më poshtë:
Publikimi nga një grup entitetesh, përveç pasqyrave financiare, edhe të disa raporteve të cilat përmbajnë të dhëna financiare e jo financiare dhe analiza të detajuara, gjykoj se do të ishte i pamundur te realizohej me eficiencë, që në këtë fazë të zbatimit të ligjit, kështu që ky detyrim edhe mund të ishte shtyrë pak në kohë. Kjo, pasi në radhë të parë mungojnë profesionistet që do të mund të përgatisin këto informacione; në radhë të dytë mungon një strukturë standarde e raportimit për këtë qëllim, çka do të bëjë që entitetet të prodhojnë informacione, të cilave do t`iu mungojë koherenca dhe krahasueshmëria dhe në radhe të tretë, kërkesa ligjore që audituesi ligjor të verifikojë nëse është hartuar raporti jo financiar/ raporti i konsoliduar jofinanciar, nuk është në koherencë me detyrimin që ka audituesi për të vlerësuar informacionet e tjera sipas SNA 720, i ndryshuar. Gjithsesi, në një këndvështrim me afatgjatë, kjo kërkesë do të ndikojë që profesionistët të zgjerojnë me tej gamën e zotësive teknike e profesionale për të qenë në gjendje të përgatitin edhe këto raporte, duke shtuar në këtë mënyrë, vlerë për biznesin.
Nuk është qartësuar mirë roli i Këshillit Kombëtare të Kontabilitetit (KKK) në lidhje me mbikëqyrjen e raportimit financiar, pavarësisht së një nga detyrat e këtij Këshilli është të monitorojë zbatimin e standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar. Për këtë qëllim projektligji nuk ka parashikuar as rrugët por as edhe strukturat e nevojshme. Mbase kjo mangësi në afatgjatë mund të gjejë zgjidhje përmes konsiderimit të bashkimit të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit me Bordin e Mbikëqyrjes Publike të audituesve ligjorë, për vetë faktin që rolin kryesor në vlerësimin e zbatimit të standardeve të raportimit e kanë audituesit ligjorë. Një bashkim i tillë mund të ndikonte edhe në uljen e kostove të administrimit të agjencive rregullatore e mbikëqyrëse.
Me gjithë përmirësimet e bëra, përsëri përbërja e KKK-se nuk reflekton sa duhet rolin kryesor të këtij Këshilli në hartimin e Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit. Megjithëse, të paktën rregullohet përfaqësimi i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (për herë të parë që nga fillimi KKK -se aktualisht në KKK nuk ka asnjë përfaqësues nga IEKA), kjo nuk mjafton, pasi një numër i konsiderueshëm anëtarësh vjen nga sektori publik, në një kohë kur KKK nuk ka asnjë rol në hartimin e standardeve të kontabilitetit për sektorin publik. Në këtë Këshill gjithashtu, mungon përfaqësimi i institucioneve akademike. Përfaqësimi në këtë organ të rëndësishëm të hartimit të standardeve mendoj se duhet të jetë profesional dhe akademik e jo thjesht institucional.
Projektligji i ri i kontabilitetit, raportim njësoj si në BE
Ministria e Financave ka në fazë konsultimi një projektligj të ri për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare. Projektligji lehtëson raportimin financiar për personat fizikë dhe ndërmarrjet e vogla. Për kompanitë e mëdha do të shtohet barra e raportimit, ku përveç bilanceve dhe pasqyrave financiare do të publikohen me detyrim edhe planet e biznesit dhe projeksionet e tjera të zhvillimit. Bizneset e huaja do lehtësohen nga një barrierë ekzistuese, pasi do të kenë mundësi të raportojnë bilancet në valutë. Këto ndryshime mundësohen nga një projektligj i ri për “Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” i cili aktualisht është në fazë konsultimi me grupet e interesit.
Përkrah thjeshtësimit dhe transparencës që sjell për bilancet e bizneseve, baza e re ligjore po kritikohet nga ekspertët për standardin e ri të klasifikimit që sjell për bizneset, i cili nuk i përgjigjet zhvillimit të ekonomisë tonë.
Propozimet e reja ligjore parashikojnë që bizneset të klasifikohen në 4 njësi për qëllime raportimi që marrin në konsideratë xhiron vjetore, numrin e të punësuarve dhe aktivet, duke plotësuar në këtë rast një nga kriteret e anëtarësimit në BE.
Sipas kritereve të reja të klasifikimit do të ketë mikronjësi (deri në 10 të punësuar); njësi ekonomike të vogla (mesatarisht 50 punonjës); njësi të mesme (numër mesatar punonjësish 250) dhe Njësi të mëdha me mbi 250 punonjës. Aktualisht INSTAT raporton bizneset, sipas grupimeve me 1-4 të punësuar; 5-9 të punësuar; 10-49 të punësuar dhe mbi 50 të punësuar.
Profesori i Kontabilitetit në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Ekonomisë Sotiraq Dhamo thotë se klasifikimi i ri i bizneseve për qëllime raportimi nuk i përgjigjet ekonomisë tonë. Duke adoptuar direktivën e BE, drafti ka sjellë një klasifikim që ekonomia jonë nuk e ka arritur. Ku klasifikim është normal për vendet e Evropës perëndimore ku ekonomia është në atë fazë që të konsiderojë mikrondërmarrje bizneset me 10 të punësuar, por ky klasifikim nuk vlen për Shqipërinë pasi 99 për qind të ndërmarrjeve që operojnë aktualisht klasifikohen si të vogla. Ai thotë se bizneset e vogla në territorin shqiptar kanë xhiro dhe numër të punësuarish realisht shumë të vogël se klasifikimi i ri. Edhe Instituti i Kontabilistëve të miratuar pohoi se pragjet e klasifikimit janë të larta për nivelin e njësive tona.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.