Chelsea po përpiqet të arrijë një marrëveshje për një financim prej 500 milionë sterlinash, për rikonstruksionin e Stamford Bridge.
Siç bën të ditur e përditshmja angleze The Times, klubi ka marrë Ok edhe nga kryetari i Bashkisë së Londrës për të nisur konstruktimin e impiantit të ri.
Projekti i është besuar shoqërisë zvicerane të arkitekturës Herzog & De Meuron, e cila është marrë edhe më parë me projekte stadiumesh të famshme. Nga pikëpamja ekonomike (sipas hipotezave të para), kostoja e përgjithshme do të jetë 500 milionë sterlina.
Në këtë projekt klubi i Chelsea synon:
-Rritjen e kapacitetit nga 41600 në 60 mijë spektatorë
-Përmirësimin e shikueshmërisë nga çdo vend në stadium
-Krijimin e një atmosfere elektrizuese
-Përmirësimin e strukturave brenda dhe rreth stadiumit
-Aksesin direkt nga stacioni Fulham Broadway, për një transport më eficient.
Sipas The Times, në muajt e fundit, Chelsea ka kontaktuar me banka të ndryshme për të arritur një ose më shumë financime për të mbuluar shifrën prej 500 milionë sterlinash.
E përditshmja angleze thotë që parashikimi fillestar prej 500 milionë sterlinash duket sot mjaft konservator.
Në marrëveshje mund të hyjë edhe pronari i Chelsea, Roman Abramovich. Sipas Telegraph, manjati rus është duke menduar për të marrë pjesë në financimin rikonstruksionit të stadiumit, pasi ka investuar rreth 1 miliard sterlina që pas blerjes së klubit në vitin 2003.
*Në foto: si do të jetë stadiumi i ri Stamford Bridge