Një oaz i qetë larg zhurmave të qytetit apo një rezort lusoz për pushime të paharruara? Hotelet shërbejnë si shtëpia jonë kur jemi larg saj, pavarësisht vendit ku ndodheni apo periudhës që do të qëndrojmë aty.
Komforti, siguria dhe qetësia janë trej prej elementeve më të rëndësishme të cilët lidhen ngushtë me dizajnin sepse dizajni i duhur është ai që të ofron komfort, siguri dhe qetësi.
Secili hotel ka veçoritë e tij. Hotelet në qendër të qyteteve janë dizenjuar për turistët që qëndrojnë shumë pak në ambientet e tij, sepse pjesën më të madhe të ditës ata e kalojnë jashtë duke vizituar qytetin. Hotelet e biznesit janë pajisur me salla të mëdha konferencash.
Rezortet ose hotelet Spa kanë një standard tjetër, sepse njerëzit që shkojnë aty kalojnë pjesën më të madhe brenda për brenda rezortit, prandaj ato janë dizenjuar në mënyrë të tillë që vizitorët të gjejnë të gjitha ato çka kërkojnë dhe sidomos të gjitha lehtësite e nevojshme për familjet me fëmijë me vete.
Pavarësisht llojit të hotelit, dizajni është faktori kyç. Elementet dhe detajet e vogla janë ato që e bëjnë diferencimin nga të tjerët. Por përveç dizajnit një prej elementeve më të rëndësishëm në cilësimin e një hoteli si më i miri ndër të tjerë është padyshim edhe niveli i pastërtisë.
Që një hotel të ketë dizjanin më të mirë, nuk do të thotë vetëm dizjanin më të mirë nga ana estetike, por mbi të gjitha nga ajo praktike.
Anastasia Kasparyan, themeluese e studios arkitekturore “Golden Heads” shprehet se 80 për qind e prenotimeve të hoteleve bëhen nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme në celularët e tyre apo nga kompjuteri, dhe fotot janë prezantimi i parë dhe i vetmi që ata kanë mbi bazën e të cilit bëjnë përzgjedhjen e tyre.
Ajo vijon se ne jetojmë në epokën e globalizimit dhe hotelet nuk mund të cilësohen më si të mira apo shumë të mira, ato duhet të jenë unike dhe pa asnjë mangësi, diçka që t’i bëjë përshtypje klientëve që në pamje të parë.
Dizajni i një hoteli varet kryesisht edhe nga buxheti që do përdoret në këtë drejtim. Por ekzistojnë truke të shumta të cilat përdoren në masë në dizenjimin e hoteleve, p.sh. loja me dritën dhe ngjyrat e çelëta të përdorura në lyerjen e dhomave të cilat të krijojnë iluzionin e hapësirave gjigante.
Ndërsa në hotelet e biznesit, ngjyrat që përdoren janë ato më të errëta, që nga lyerja e mureve të dhomës, e deri te përzgjedhja e mobilieve, në mënyrë të tillë që të krijohet një ndjesi luksi dhe madhështie.
Hapësirat publike, të tilla si recepsioni duhet të jenë të kuruara deri në detaj sepse janë prezantimi i parë me vizitorët. Por duhet të keni kujdes sepse tavolina e recepsionit nuk duhet të jetë shumë e lartë dhe mbi të gjitha të dominojë të gjithë hapësirën e hollit, ndërsa korridorët duhet të kenë një ndriçim shumë të lartë që të krijojnë një ndjesi sigurie.