Në fazë testimi edhe reklamat, 10 – 15 sekonda…
‘Stories’ në Facebook – përmbledhja e ditës me foto e video që eliminohen vetë pas 24 orësh – kanë arritur 150 milionë përdorues në ditë. Këtë e bëri të ditur rrjeti social, që ka vendosur t’i japë vlerë monetare këtij funksioni të ri, të prezantuar 14 muaj më parë, të kopjuar nga Snapchat. Tani, në ‘Stories’ do të fillojnë të shfaqen edhe reklama.
Siç bëhet e ditur nga faqja e specializuar TechCrunch, Facebook ka nisur të testojë reklama 10 – 15 sekonda në SHBA, Meksikë dhe Brazil. Përdoruesit, të paktën për tani, mund ta shmangin shikimin e reklamave. Reklamuesit mund të postojnë drejtpërdrejtë në Facebook reklama të krijuara për ‘Stories’ në Instagram, rrjeti tjetër social në pronësi të Mark Zuckerberg.
Numri i ‘Stories’ në Instagram ka tejkaluar 300 milionë përdorues në ditë, kurse numri i ‘Stories’ në Whatsapp, po në zotërim të Facebook, ka arritur në 450 milionë përdorues në ditë.