Ndryshimet e bëra publike në Bankën e Shqipërisë, duket se nuk ka ndryshuar ende asgjë në faqen zyrtare të këtij institucioni. Shkarkimi i Ardian Fullanit, i kërkuar jo vetëm nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, por edhe nga vetë Këshilli Mbikëqyrës i bankës, nuk e ka larguar nga pozicioni i guvernatorit. Shkarkimi i kreut të bankës, pritet të firmoset në seancën e radhës të parlamentit. Ndërkohë që në faqen zyrtare, Ardian Civici, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, vazhdon të jetë pjesë e institucionit, edhe pse ai vetë ka dhënë dorëheqjen. Elisabeta Gjoni, figuron si zëvendësguvernatorja e parë. Pavarësisht njoftimeve të herëpashershme që institucioni më i lartë financiar i vendit ka bërë, nuk ka rinovuar asnjë nga ndryshimet e bëra në strukturë. Në po të njëjtën dritare ku shpjegohet struktura e bankës është bërë ndryshimi i Elvis Çibukut, i cili mban dy pozicione, atë të sekretarit të Këshillit Mbikëqyrës dhe atë të drejtorit të Burimeve Njerëzore, i shoqëruar me komentin i “komanduar”. Departamenti i Emisionit është zëvendësuar nga Stefan Sevo dhe departamenti i Sigurisë dhe Mbrojtjes është zëvendësuar nga Ilir Mollaymeri. Znj. Elivar Golemi, vazhdon të ruajë pozicionin e saj si Inspektore e Përgjithshme. Nga vetë guvernatorja e komanduar është bërë thirrja dhe kërkesa për plotësim të vendeve bosh disa prej të cilëve ishin të tillë ndërsa disa mbetën pas situatës së krijuar në Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë që emërimet me komandim janë bërë publike vetëm për 3 drejtorë drejtorie dhe jo anëtarë të këshillit.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.