Shpërblime në rritje për arbitrat në Botërorin 2018 që do të zhvillohet në Rusi. FIFA ka rritur shifrat që do të përfitojnë gjyqtarët gjatë ndeshjeve të Botërorit.
Siç bën të ditur faqja braziliane UOL Esporte, arbitrat më me emër si gjermani Felix Brych (i cili ka gjykuar finalen e Champions League të vitit të kaluar) apo turku Cüneyt Çakır do të marrin 70 mijë dollarë në total për gjithë turneun (rreth 57 mijë euro) plus 3 mijë dollarë (rreth 2500 euro) për çdo ndeshje.
Këto shifra përfaqësojnë një rritje të konsiderueshme krahasuar me dy edicionet e kaluara (2010 dhe 2014) kur arbitrat kanë fituar mes 35 mijë – 50 mijë dollarë. Ndërsa asistentët më të kualifikuar do të fitojnë një shifër fikse 25 mijë dollarë (20 mijë euro) plus një bonus prej 2 mijë dollarësh (rreth 1500 euro) për çdo ndeshje që do të gjykojnë në fushë.
Pak ditë më parë, Komiteti i Arbitrimit të FIFA-s zyrtarizoi emrat e 36 arbitrave dhe 63 asistentëve, nga 46 vende të botës, që do të drejtojnë ndeshjet e Kupës së Botës që do të zhvillohet në Rusi.
Zgjedhja është bazuar në “aftësitë dhe personalitetin e secilit arbitër, si dhe mbi nivelin e tij të të kuptuarit të futbollit, si dhe në aftësinë ‘për të lexuar’ si lojën dhe taktikat e ndryshme të skuadrave”.