Që në fillim të vitit 2014, Ministria e Financave, në kohën kur drejtohej nga Shkëlqim Cani, ka pasur në plan që të fuste në skemën e TVSH-së të gjithë biznesin, si rrjedhojë e presionit nga subjektet e mëdha. Këto të fundit gjithnjë e kanë kërkuar këtë masë, si një mjet për të nxitur faturimin në të gjithë zinxhirin e tregtimit dhe shërbimeve. Ky ishte një plan për t’u zbatuar, që në vitin 2015, si një masë për të luftuar informalitetin, teksa sipërmarrjet me xhiro 5 dhe 8 milionë lekë nuk pranonin faturë kur ofrohej ky prag, ndërsa të mëdhenjtë autofaturonin biznesin e tyre duke krijuar TVSH kaskadë. http://www.monitor.al/ne-2015-te-gjithe-ne-tvsh-3/
Por, ekspertë që kanë punuar në atë kohë pohojnë se Ministria u tërhoq, për shkak të kostove të larta të administrimit fiskal që do të rezultonin nga futja e menjëhershme në skemën e TVSH-së së mbi 80 mijë bizneseve (sa është aktualisht numri i subjekteve që nuk janë në skemën e TVSH-së, sipas tatimeve). Një tjetër problem ishte dhe kosto e shtuar për mbajtjen e kontabilitetit për këto biznese.
Kjo lëvizje, thonë ekspertët, nuk gjeti as mbështetjen e FMN-së, që është e mendimit se nuk është eficiente ulja e pragut, pasi kjo rrit kostot administrative dhe sjell shume pak të ardhura shtesë në buxhet. FMN është pro rikthimit të tatimit fiks mbi biznesin, që u hoq në fillim të vitit 2015, por nuk e ka mbështetur shtrirjen e TVSH-së tek biznesi i vogël.
Edhe me parë ka pasur përpjekje për të azhornuar një nismë të tillë. Sherefedin Shehu, që ka qenë zëvendës ministër financash në kohën e qeverisjes të së djathtës pohoi për “Monitor” se kapacitetet administrative dhe teknike nuk e kanë mundësuar aplikimin e TVSH në nivelin zero.
Ekspertët: Shtrirja e TVSH-së ka më shumë kosto sesa sjell të ardhura
Kasem Seferi, me një përvojë të gjatë në sistemin tatimor, është i mendimit se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së vetëm sa do ta ngarkojë sistemin me kosto të panevojshme, ndërsa nuk do i japë zgjidhje problemit të informalitetit dhe as do të ketë efekt në shtimin e të ardhurave në buxhet. Kjo lëvizje, thotë ai, i heq biznesit kohën e punës, rrit çmimet, ul fuqinë blerëse, teksa shoqëria harxhon më shumë kohë për inproduktivitet sesa për produktivitet, në një vend me popullsi të varfër.
Seferi pohoi se kur u zbatua për herë të parë TVSH në vitin 1996 kufiri ishte 2 milionë lekë. Më pas ky kufi i rrit në 5 milionë lekë e më pas në 8 milionë lekë, për të zbritur sërish para pak vitesh në 5 milionë lekë. Kur kufiri ishte 5 milionë lekë (për herë të parë), tregon ai, FMN hartoi një studim, ku rezultoi se administrata tatimore shpenzonte më shumë para duke u marrë me biznesin e vogël, sesa arkëtonte të ardhura.
Administrata tatimore ka vetëm 1600 punonjës, që nuk do të arrijnë të kontrollojnë 80 mijë biznese, pohon ai.
Seferi sjell në vëmendje piramidën e të ardhurave, sipas të cilës 1% e tatimpaguesve sjellin rreth 65% të të ardhurave, ndërsa biznesi i vogël nuk sjell më shumë se 10% të të ardhurave.
Seferi pohon se nuk ka nevojë të futet në skemën e TVSH-së, pasi biznesi i vogël mund të kontrollohet duke i kërkuar atij faturat e blerjes.Ai rekomandon që evazioni të luftohet me stimuj dhe jo me masa që dëmtojnë një nga segmentet më të rëndësishme në ekonomi përsa i përket punësimit.
Shqipëria, të ardhurat më të ulëta në rajon nga TVSH
Të ardhurat nga TVSH në fund të vitit 2016 ishin 8.7% e PBB-së në fund të vitit 2016. Ky është niveli më i ulët në rajon, ku Maqedonia ka rendimentin më të mirë, në rreth 14% të PBB-së, ndërsa mesatarja është në 11-12%. Viti më i mirë ka qenë 2008, ku buxheti arkëtoi deri në 10% të PBB-së dhe më pas, me ngadalësimin e rritjes ekonomike, të njëjtën linjë ndoqi dhe TVSH-ja, që është tregues direkt i konsumit në ekonomi.
Burimi: Ministria e Financave
Burimi: Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.