Mënyra e duhur për të ndihmuar vendet në rënie
Koha e duhur për të menduar në lidhje me ndryshimin e ekonomisë së gjeografisë
Vala e populizmit ende nuk ka kaluar. Ky është edhe mësimi më i qartë dhe më i kthjellët i zgjedhjeve të fundit në Gjermani dhe Austri, ku suksesi i antiemigrantëve dhe partive anti-globalizuese tregoi se një mesazh armiqësie ndaj elitave dhe të huajve pati ndikim më të fortë sa kurrë ndër ata që janë të ngopur me status quo-të, shkruan The Economist.
Ky është edhe një mësim i nxjerrë nga Amerika, ku Donald Trump po dyfishon lëvizjet në bazën e tij të zemëruar, së fundmi duke miratuar një pozicion negociator mbi NAFTA-n, që ka më shumë gjasa të ndikojë negativisht mbi marrëveshjen tregtare sesa ta rregullojë atë. Por këto mjete nuk do të funksionojnë. Zhdukja e NAFTA-s do të dëmtojë në mënyrë disproporcionale klasën punëtore që mbështetën z. Trump. Marrja e vendimeve të ashpra ndaj emigrantëve nuk do të ndikojë thuajse fare në përmirësimin e kushteve ekonomike në Gjermaninë Lindore, ku vetëm 20% e votuesve mbështetën Partinë Alternativa për Gjermaninë. Partitë kryesore duhet t’u ofrojnë votuesve që ndihen të lënë pas dore, një vizion më të mirë të së ardhmes, i cili i kushton më shumë rëndësi realitetit gjeografik dhe që hedh pas politikën e zemërimit.
Vendndodhja, vendndodhja…
Teoria ekonomike sugjeron se pabarazitë rajonale duhet të zvogëlohen pasi vendet e varfra (dhe më të lira) tërheqin investime dhe rriten më shpejt se ato më të pasura. Dhe shekulli i 20-të e pasqyroi më së miri këtë teori, periudhë gjatë së cilës hendeku i të ardhurave u ngushtua shumë midis shteteve amerikane dhe atyre të rajonit të Europës. Por kjo gjë nuk zgjati për shumë kohë, sepse vendet e pasura tani po largohen gjithnjë e më shumë prej atyre më të varfra. Kjo divergjencë gjeografike ka pasoja dramatike. Një fëmijë i lindur në San Franciskon e pasur ka dy herë më shumë mundësi për të jetuar deri në fazat e mëvonshme të jetës sesa një fëmijë që lind në Detroit. Fëmijët e lindur në Chelsea të Londrës jetojnë rreth nëntë vjet më shumë se ata që kanë lindur në Blackpool.
Mundësitë janë të kufizuara për ata që ndodhen të gozhduar në vendin e gabuar dhe në një këndvështrim më të gjerë edhe ekonomia ka pasojat e saj. Nëse të gjithë qytetarët amerikanë do të kishin jetuar në vende me produktivitet më të lartë në krahasim me ato ku kanë jetuar gjatë 50 viteve të fundit, ekonomia e Amerikës mund të ishte rritur dy herë më shpejt. Divergjenca është rezultat i forcave të mëdha. Në shkallën e ekonomisë moderne kjo është gjithnjë e më e rëndësishme. Kompanitë me burimet më të mëdha të të dhënave mund të trajnojnë rrjetet e tyre në mënyrë më efikase; rrjeti social që e përdorin të gjithë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për shumë përdorues të rinj; bursa me nivelin më të lartë të investitorëve është një prej mënyrave më të mira për rritjen e kapitalit.
Dhe këto kthime pastaj krijojnë më pak firma të njohura të grumbulluara në vende më pak të njohura. Kushdo tjetër është lënë pas. Edhe pse pabarazitë rajonale po zgjerohen, njerëzit po lëvizin gjithnjë e më pak. Përqindja e amerikanëve që lëvizin nga njëri shtet në tjetrin, është zvogëluar me pothuajse gjysmën e numrit të amerikanëve në vitet 1990. Amerikanët janë edhe më tradicionalë dhe shumë më të lidhur me familjet e tyre sesa europianët. Ata nuk mund të jetojnë më larg se 30 kilometra nga prindërit. Ndryshimet demografike e ndihmojnë edhe më shumë shpjegimin e kësaj çështjeje, duke përfshirë rritjen e familjeve me dy të ardhura dhe nevojën për t’u kujdesur për anëtarët e moshuar të familjes. Por fajtori më i madh në këtë drejtim është politika e dobët. Kostot e larta të strehimit në qytetet e suksesshme i mbajnë larg të sapoardhurit.
Në Europë, mungesa e banesave sociale i shtyn njerëzit të qëndrojnë në banesa të lira dhe me kushte jashtë normales. Në Amerikë, përhapja e licencimit profesional nga shteti dhe përfitimet e qeverisë i ndëshkojnë ata që lëvizin nga njeri vend në tjetrin. Pensioni i një mësuesi që qëndron në të njëjtin shtet mund të jetë dy herë më i madh se ai i një mësuesi që lëviz në mes të karrierës së tij. Por edhe pse në mënyrë jo të qëllimshme, këto politika për të ndihmuar të varfrit ndikojnë në përkeqësimin e situatës së vendeve të mbetura prapa. Papunësia dhe përfitimet shëndetësore u mundësojnë njerëzve që nuk janë në punë që të mbijetojnë në vende me kushte të vështira, krahasuar me një periudhë të mëparshme kur e vetmja zgjidhje për ta do të kishte qenë largimi në shtete të tjera. Mirëqenia e bën kapitalizmin më pak brutal për individët, por ajo shfaq qartazi problemet ku ata jetojnë.
Çfarë duhet bërë?
Përgjigjja e parë në këtë drejtim është që të ndihmoni njerëzit të lëvizin. Vendet e suksesshme mund të përpiqen më shumë për të pasur kushte më të përballueshme të strehimit dhe infrastrukturën për të akomoduar të ardhurit. Përshpejtimi i njohjes reciproke të kredencialeve përgjatë kufijve shtetërorë ose kombëtarë do të ndihmonte njerëzit të lëviznin aty ku mund të ishin më produktivë. Por lëvizshmëria më e madhe gjithashtu ka edhe një efekt anësor, sepse duke u krijuar kushtet njerëzve për të lëvizur nga një vend në tjetrin, largohet bashkë me ta edhe forca e punëtorëve të kualifikuar, duke e dënuar përjetësisht vendin që ata lënë pas.
Për të shmangur këto rezultate, politikanët prej kohësh po përpiqen që të forcojnë vendet e mbetura mbrapa, duke i subvencionuar ato. Por, këto “politika rajonale” nuk kanë funksionuar ashtu siç pritej. Në vitin 1992, shteti i Karolinës së Jugut, duke u nisur nga modeli i BMW-së, arriti të prodhojë një model edhe më të sofistikuar automjetesh. Por fondet strukturore të BE-së rrisin prodhimin dhe ulin papunësinë vetëm për aq kohë sa edhe vazhdon financimi. Kalifornia ka 42 zona ndërmarrjeje. Asnjëra prej tyre nuk ka ndikuar në rritjen e nivelit të punësimit, ndaj do të ishte më mirë që politikanët të përqendroheshin në përshpejtimin e përhapjes së teknologjisë dhe praktikave të biznesit nga vendet me performancë të lartë.
Një politikë më e fuqishme e konkurrencës mund të reduktonte përqendrimin industrial, i cili e dobëson ekonominë nga dinamizmi i saj duke fokusuar fitimet nga rritja në vetëm disa firma dhe vetëm disa vende. Nxitja e grupimeve, duke inkurajuar krijimin e fondeve private të investimeve të targetuara në rajone të veçanta mund të jetë një tjetër mënyrë. Në shekullin e 19, Amerika krijoi shumë universitete teknike shtetërore. Qëllimi i tyre ishte që t’i mësonin praktikat më të mira fermerëve dhe menaxherëve të fabrikave në qytete të vogla dhe zona rurale. Ato mund të luajnë përsëri të njëjtin rol për sa u përket teknologjive të reja, ku mund të përmendim këtu p.sh., Gjermaninë, e cila ka krijuar një rrjet të institucioneve kërkimore.
Qeveritë mund të ndërtojnë qendra publike kërkimore, në formën e Instituteve Kombëtare të Shëndetit të Amerikës ose CERN-it në Europë, në ato qytete që kanë planet më të mira për reformën e politikave dhe investimet publike. Kjo do të ndihmonte në përhapjen e ideve të reja dhe do të krijonte një nxitje për vendet në vështirësi, në mënyrë të atillë që ata ta ndihmonin veten. Ndoshta më shumë se të gjitha, politikanët kanë nevojë që të mendojnë ndryshe. Për progresistët, ulja e varfërisë ka kërkuar mirëqenie; për liberalët, çlirimin e ekonominë. Të dy janë fokusuar tek njerëzit. Por ndërveprimi kompleks i demografisë, mirëqenies dhe globalizimit do të thotë se është e pamjaftueshme dhe një gjë e tillë duhet të na bëjë të mendojmë se edhe vendet kanë rëndësinë e tyre.