Inteligjenca Artificiale takon muzikën: Yamaha e shndërron një balerin në një pianist, falë një sistemi që përkthen lëvizjet njerëzore në muzikë. Në vitet e fundit, kompanitë më avangardë nga e gjithë bota kanë investuar në kërkimin dhe zhvillimin e projekteve të Inteligjencës Artificiale.
Këto teknologji të reja përfaqësojnë sigurisht një revolucion në forcimin e proceseve të biznesit, aq shumë sa që tani flitet për “valën e tretë të ndryshimit industrial”, siç e cilësuan Paul Daugherty dhe Jim Wilson në librin e tyre Human+Machine – por hapin skenarë sigurisht më pak optimistë.
Ndërkohë që është duke u diskutuar gjerësisht për një përdorim “etik” të këtyre teknologjive të reja, Yamaha i ka shfrytëzuar për një projekt origjinal në fushën muzikore. Kërkimet e kanë çuar Yamaha të zhvillojë një sistem, në gjendje të përkthejë lëvizjet njerëzore në tinguj muzikorë, duke i dhënë jetë një koncerti të vërtetë mbi meloditë të trupit njerëzor.
Disa muaj më parë, balerini japonez Kaiji Moriyama dha një shfaqje mes kërcimit dhe muzikës. Pa prekur tastierën, Moriyama ishte në gjendje të luante në piano nëpërmjet lëvizjeve të trupit të tij. Shfaqja u shoqërua nga “Berlin Philharmonic Orchestra Scharoun Ensemble”, e cila me muzikantët e saj i dha jetë një koncerti të vërtetë, i quajtur “Mai Hi Ten Yu”.
Sistemi identifikon lëvizjen në kohë reale, duke analizuar sinjalet e katër lloj sensorëve të lidhur në pjesën e pasme, kyçet dhe këmbët e balerinit. Inteligjenca Artificiale krijon menjëherë meloditë të bazuara në një bazë muzikore MIDI. Të dhënat e MIDI i dërgohen një pianoje të veçantë për të përkthyer tingullin.Sistemi i Yamaha siguron që balerini të luajë muzikë me një melodi të strukturuar, jo vetëm një bashkim i notave të thjeshta të rastësishme.
Burimi: Lifegate