Investimet e huaja bien 9.2% në tremujorin e tretë

18/12/2018 4:11 PM 0 komente

Investimet e Huaja Direkte, që hynë në ekonominë shqiptare në tremujorin e tretë të vendit, arritën në 266 milionë euro, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet kanë rënë me 9.2%, duke shënuar të dytin tremujor radhazi me tkurrje, pas rritjes së lartë të tyre prej 53% në tre muajt e parë të vitit, që erdhi si rrjedhojë e disa punimeve të vështira të kryera nga gazsjellësi TAP.

Si rrjedhojë e performancës së lartë të tremujorit të parë, për 9-mujorin, investimet e huaja arritën në 758 milionë euro, me një rritje prej rreth 12%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet në energji mbajnë peshën kryesore të fluksit të investimeve që hyjnë në vend, me rreth 60%.

 

 

Investimet e mëdha, drejt fundit

Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Së bashku, të dy investimet llogariten në rreth 2 miliardë euro, nga të cilat 1.5 miliardë euro janë për gazsjellësin TAP, sipas burimeve zyrtare.

Edhe kompania Statkraft, që po ndërton hidrocentralet mbi Devoll, ka përfunduar hidrocentralin e Bënjës dhe po ndërton HEC-in tjetër të Moglicës, një investim prej rreth 300 milionë eurosh, që pritet të përfundojë brenda dy vitesh. Një tjetër investim i madh në energji është HEC Ashta nga austriakët e Verbund.

Statistikat e mëparshme të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në gati 1.9 miliardë euro në qershor 2018, duke zënë 26% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave.

Sipas burimeve zyrtare nga TAP, punimet për gazsjellësin TAP janë drejt fundit. Sot, rreth 90% e punimeve totale për ndërtimin e segmentit tokësor të TAP në Shqipëri kanë përfunduar. Tashmë ndërtimi po fokusohet te segmenti më i vështirë i të gjithë gazsjellësit, në malin e Ostrovicës, në rreth 2100 metra mbi nivelin e detit dhe në pjesën detare. Projekti do të përfundojë në 2019-n.

 

 

Institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr shpesh vëmendjen për nevojën e zëvendësimit të këtyre projekteve me investime me vlerë të shtuar të lartë dhe të orientuara drejt teknologjisë. Për shkak të përfundimit të projekteve të mëdha, FMN në raportin e fundit të tetorit, uli parashikimin për rritjen e vendit në 2019-n, nga 3.8% në 3.7%, ndërkohë që për 2018-n, zgjerimi ekonomik pritet në 4%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of