Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Tiranë bën të ditur se Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, do të nisë një cikël takimesh e prezantimesh ditën e enjte në Itali, me qëllim tërheqjen e investimeve në vend.
Punimet e ditës së parë do të përqendrohen mbi këto pika:
-Platforma ConnectAlbania, që ka për qëllim të mbështesë anëtarët e diasporës shqiptare të bëhen agjentë zhvillimi, në mënyrë që të inkurajojnë investimet dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri.
– Mbështetja për hapjen e sipërmarrjeve të tipit të ri, start-up dhe spin-off, që ka për qëllim të mbështesë diasporën shqiptare të brezit të dytë në Itali, pikërisht për hapjen e tyre në Shqipëri. Bizneset Spin-off dhe Start-up janë veçanërisht të vyera sepse bazohen mbi rezultatet e kërkimeve shkencore akademike, dhe si të tilla, mundësojnë transferimin e njohurive drejtpërdrejt në fushën produktive dhe janë të afta të përthithin risitë e kërkimeve akademike më lehtë se aktivitetet private tradicionale.
– Përkrahja e transferimit të aftësive dhe kompetencave përmes ngritjes së një programi të bursave, qëllimi i të cilit është lehtësimi dhe përfshirja e anëtarëve të Diasporës Shqiptare, veçanërisht asaj në Itali, në zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë.
– Përpilimi i një harte të Diasporës shqiptare në 5 krahina italiane, qëllimi i së cilës është identifikimi i profileve të Diasporës për t’u krahasuar me studimin e nevojave dhe përparësive sektoriale në Shqipëri që do të kryhen nga Programi, për të arritur në ngritjen e një programi angazhimesh afatshkurtra dhe biznesesh start-up.
Takime si këto të Romës, do të mbahen në vijim edhe në qytete të tjera të Italisë, programi i të cilave, sipas zyrës IOM në Tiranë, është: më 18 maj në Firence, më 21 maj në Torino dhe më 22 maj në Milano.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.