Ish-kryebashkiaku i Beogradit, Sinisa Mali, do të marrë postin e ministrit serb të Financave, pas votimit nga deputetët e partive në pushtet. Megjithatë, disa ekspertë parashikuan se ai do të ndjekë të njëjtën linjë të udhëheqësit të partisë së tij, Presidentit aktual të vendit.
“Ai do të udhëheqë financat serbe të vendit, por është e sigurt se përpara çdo vendimi, ai do të konsultohet me Presidentin Vucic, u shpreh gazetarja Misa Brkiç.
Në krahasim me ministrin e mëparshëm të Financave, z. Dushan Vujoviç, ajo tha se z. Mali duket më i vendosur, edhe pse pritshmëritë jo vetëm të saj, por të një numri të madh njerëzish, nuk janë të mëdha në drejtim të vazhdimësisë së reformave ekonomike apo privatizimit të kompanive shtetërore.
Z. Vujoviç dha dorëheqjen më 7 maj, duke thënë se katër vitet që ai kaloi në qeveri ishin më se të mjaftueshme për një njeri në një post qeveritar. Ndryshe nga z. Vujoviç, i cili nuk është anëtar i ndonjë partie dhe u emërua në atë post duke marrë në konsideratë përvojën e tij në fushën e financave, z. Mali është një zyrtar i lartë i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, i udhëhequr nga Presidenti Vucic.
Ai ka qenë i përfshirë në polemika të shumta, pasi është akuzuar për plagjiaturë të tezës së doktoraturës, për fshehjen e pronësisë së apartamenteve që zotëron në bregdetin bullgar, si edhe për përfshirjen në punimet për prishjen e zonës së Savamalës të Beogradit.
Një vit pas marrjes së postit, teza e tij e doktoraturës u kundërshtua nga Rasa Karapandza, profesoreshë e financave nga Wiesbaden në Gjermani, e cila e akuzoi z. Malin për plagjiaturë të 33% të tekstit nga autorë të ndryshëm, ndërsa një pjesë të madhe e kishte marrë nga Wikipedia.