Importet kanë vijuar tendencën e tyre rënëse me bazë vjetore për shtatë mujorin, duke treguar se konsumi dhe sidomos investimet në ekonomi nuk po arrijnë që të marrin veten.
Importet po vijojnë për të dytin vit radhazi tendencën negative, një tregues i qartë i rënies së investimeve në ekonomi, me blerjet e makinerive, pajisjeve e materialeve të ndërtimit, që po vazhdojnë të tkurren.
Sipas INSTAT, importet janë tkurrur me 5% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik në 282 miliardë lekë. Megjithatë ritmet e rënies janë ngadalësuar, në raport me tkurrjen prej 6.3% me bazë vjetore për 5 mujorin. Në korrik u konstatua një ndryshim tendence, me importet që u rritën me 1.2% në korrik, në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ndikimin kryesor në tendencën negative shtatë mujore e ka dhënë ulja e ndjeshme e zërit minerale lëndë djegëse dhe energji, që është tkurrur me 21.5% me bazë vjetore, në gati 48.5 miliardë lekë, duke zbritur në grup-mallin e tretë më të madh të importuar, nga vendi i parë që zinte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në një tregues se sektori i ndërtimin vijon tkurrjen e tij, edhe importet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 6.3% në 34mld lekë për periudhën janar-qershor.
Në rënie të thellë janë dhe importet e makinerive pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues i investimeve direkte në ekonomi, të cilat u tkurrën me 10.3% me bazë vjetore për 7 mujorin në 50.5 miliardë lekë.
Edhe importet e ushqimeve, pijeve e duhanit, një tregues i konsumit të individëve janë tkurrur me 2.1% në 52 miliardë lekë për 7 mujorin, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Burimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.