Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) reagoi sot mbi ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Shalë një ditë pas publikimit të kompanive fituese të koncesionit. Në sqarimin e saj, ministria detajon se projekti nuk është i ri dhe se ish-qeveria e djathtë miratoi në vitin 2009 ndërtimin e 6 hidrocentraleve në këtë pellg ujëmbledhës.
Pas konstatimit të mungesës së dokumenteve MEI vendosi që të rishpallte koncesionin këtë vit dhe tashmë kompanitë fituese parashikojnë vetëm 3 hidrocentrale, sakaq theksohet se impakti mjedisor synohet që të minimizohet.
Sqarimi i plotë i Ministrisë së Energjisë
Në kuadër të transparencës për opinionin publik, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se në vitin 2009, Qeveria kishte firmosur një kontratë për ndërtimin e 6 hidrocentraleve në lumin e Shalës. Totali i fuqisë së instaluar për këto HEC-e parashikohej të arrinte në 127.600 kW, ndërsa prodhimi mesatar i energjisë do shkonte në 530.350.000 kWh.
Gjatë auditimit që Ministria e Energjisë dhe Industrisë u bën kontratave koncesionare në fuqi, rezultoi se në këtë rast ishin shkelur disa aspekte procedurale mes të cilave: projekti ishte jo i plotë dhe në përmbajte të tij mungonin një sërë raportesh e dokumentesh si skema e shfrytëzimit hidroenergjitik; raportet hidroenergjetikë e hidroteknike; raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe raportet e planit të biznesit. Koncesionari, gjithashtu nuk kishte përmbushur detyrimin për sigurimin e kontratës siç përcakton legjislacioni. Për këto arsye, Ministria e Energjisë dhe Industrisë vendosi në mënyrë të njëanshme zgjidhjen e kontratës së koncesionit.
Nisur nga potenciali hidroenergjetik që paraqet ky pellg ujëmbledhës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor vendosi ta rihapë procedurën për shfrytëzimin e tij, tashmë me propozim të kërkuar. Njoftimi për shpalljen e procedurës është bërë publik në përputhje me kërkesat e legjislacionit dhe në përfundim ka rezultuar si pjesëmarrëse në garë bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret LTD.STI”, “Shala Energy PLC” dhe “Falak Properties LLC”. Pas shqyrtimit të dokumentacionit kompania është shpallur fituese e kësaj gare.
Në Termat e Referencës, Autoriteti Kontratës është kujdesur që përveç shfrytëzimit optimal të potencialit hidroenergjetik të këtij pellgu, të ketë në konsideratë edhe ndikimin e tij minimal në mjedis. Në këtë kontekst, është konsideruar me shumë vëmendje prezenca e zonave të mbrojtura në Alpet e Veriut dhe shmangia e tyre nga projekti.
Projekti i ri parashikon reduktimin e numrit të hidrocentraleve dhe fuqisë së instaluar krahasuar me atë të projektit të mëparshëm. Nga 6 që parashikoheshin në projektin fillestar të revokuar, tashmë projekti ka 3 hidrocentrale prej të cilave 2 me derivacin dhe 1 me digë nivel ngritëse. Sipas projektit të ri fitues, investimi i përgjithshëm për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Shalë është rreth 84.5 milion euro për fuqi te instaluar prej 83.45 MW dhe prodhim mesatar te energjisë elektrike prej 321.5 MWh/vit. Afati i parashikuar për ndërtimin e këtij projekti është 36 muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.