Vetëpunësimi rritet, kur papunësia është e lartë dhe rrogat janë të ulëta
Shqipëria renditet e para në Europë për sa i përket peshës së vetëpunësimit në tregun e punës. Sipas anketës strukturore për vitin 2016, pesha e të vetëpunësuarve në ekonomi, me gjithë efektin e formalizimit, ishte 34.9% e totalit të tregut të punës. Ky tregues është tipar i një ekonomie jokonkurruese, ndërsa sipërmarrjet me qëllim vetëpunësimin kanë nivel të ulët produktiviteti…
Media italiane IlSole24 ka analizuar lidhjen e treguesit të vetëpunësimit me dy tregues të tjerë, papunësinë dhe pagat mesatare vjetore. Sipas analizës midis vetëpunësimit dhe papunësisë ekziston një lidhje e drejtë, ku vendet që kanë një përqindje të lartë të vetëpunësimit kanë një normë të lartë papunësie. Gjithashtu analiza e IlSole24 nxjerr në pah lidhjen e zhdrejtë të vetëpunësimit me të ardhurat mesatare vjetore nga paga.
Në 2016-n, Europa numëronte më shumë se 30 milionë njerëz të moshës 15-64 vjeç, të cilët ishin punëdhënësit e vetes. Vetëpunësimi, sipas Eurostat, përgjigjet për 14% të të punësuarve të tregut.
Numrin më të lartë (në vlerë absolute) të të vetëpunësuarve në Europë e mban Italia me 4.7 milionë persona, apo rreth 21.5% e forcës punëtore. Ndërsa si peshë (% ndaj totalit të forcës punëtore) e mban Greqia me 29.5%. Në ekstremin tjetër gjendet Danimarka me 7.7% të popullsisë aktive, që i jep punë vetvetes.
Për t’i interpretuar më mirë këto shifra, InfoData, pjesë e IlSole24, është përpjekur që të lidhë treguesin e vetëpunësimit me dy tregues të tjerë, papunësinë dhe pagën mesatare vjetore të shprehur në dollarë për të gjitha vendet.
Askush nuk u pasurua me biznes
Shkak kryesor për nxitjen e sipërmarrjes është vetë papunësia, edhe pse shumë pak individë arrijnë që në këtë mënyrë të pasurohen.
Sipas analizës, vetëpunësimi është gjithashtu i lartë, atje ku të ardhurat nga pagat janë të ulëta. Nga të dhënat e përpunuara nga Monitor për Shqipërinë dhe nga Eurostat për shtetet e tjera, vihet re se individët përpiqen që të krijojnë hapësira punësimi për veten në ato shtete, ku përpos papunësinë së lartë, edhe pagat janë shumë të ulëta.
Nga përllogaritjet e Monitor, të ardhurat mesatare vjetore nga paga janë 4,332 dollarë në vit, shumë herë më të ulëta se vendet e BE-së të marra në analizë. (Të ardhurat në muaj sipas INSTAT janë 45,845 lekë, janë shumëzuar me 12 muaj dhe janë konvertuar në dollarë sipas kursit mesatar për vitin 2016.)
Kriza e (vetë)punësimit në Shqipëri
Shqipëria dominohet nga sipërmarrje të vogla, që kanë qenë zemra e ekonomisë, por që tani po vuajnë pasojat e rimodelimit të saj, si kalimi drejt subjekteve të mëdha (qendrave tregtare e supermarketeve), që po çojnë drejt mbylljes shumë prej tyre.
Pas viteve ‘90, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.
Treguesit për vetëpunësimin kanë qenë në rritje dhe kjo më tepër për shkak të formalizimit. Sipas sondazheve të zhvilluar nga Qendra e Kërkimit Monitor, kriza, konkurrenca e shtuar, gjobat, taksat e larta janë disa prej arsyeve që po zhysin (vetë)punësimin në krizë.
Nga rezultatet e sondazheve, 60% e bizneseve të anketuara mbi arsyet e mbylljes operonin në sektorin e tregtisë me pakicë (dyqane ushqimore apo të veshjeve) dhe në sektorin e shërbimit (bar-kafe). Nga 300 biznese shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41% e totalit.
70% e bizneseve që mbyllen në Shqipëri japin si arsye kryesore krizën dhe 70% e bizneseve që kanë detyrime të pashlyera nuk kanë mundësi që t’i paguajnë ato.
(Shënim: Monitor ka zhvilluar tre sondazhe me biznesin, ku janë kryer afërsisht 1000 intervista. Dy sondazhet e para u kryen mbi bizneset që kishin kërkuar të mbylleshin dhe në të tretin kampioni u përzgjodh mbi bizneset që ishin debitorë ndaj tatimeve.)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.