Në fund të vitit 2013 në Shqipëri ushtronin aktivitet 111,083 ndërmarrje, pjesa dërrmuese e të cilave ishin me kapital shqiptar.
Sipas statistikave të INSTAT, kompanitë e huaja ose ato me kapital të përbashkët përbënin 4% të totalit të ndërmarrjeve të regjistruara në Shqipëri, konkretisht rreth 4600 ndërrmarrje.
Në total, në ndërmarrjet sipas rretheve, mbizotëron Tirana, ku janë përqendruar 43% e ndërmarrjeve.
Qyteti i dytë, përsa i përket numrit total të ndërmarrjeve është Durrësi, me 10% të tyre.
Në ndërmarrjet totale, sipas numrit të të punësuarve, mbizotërojnë sipërmarrjet e vogla, me 1-4 të punësuar, që përbëhen përgjithësisht nga biznese familjare, të përqendruara në fushën e tregtisë, apo të shërbimeve.
Sipas statistikave të INSTAT, në fund të vitit 2013, ushtronin aktivitetin në vend 99,780 ndërmarrje të vogla, me 1-4 të punësuar, që përbënin gati 90% të totalit të kompanive në vend. Sipërmarrjet me mbi 50 të punësuar, numëroheshin në 1400 në të njëjtën periudhë, apo rreth 1% e totalit të ndërmarrjeve. Megjithatë, pesha e tyre në punësim është më e lartë, duke punësuar gjithsej mbi 30% të atyre që punojnë në sektorin privat.
Tirana është qyteti që pret numrin më të madh të sipërmarrjeve me më shumë se 50 të punësuar, me 752 të tilla, të ndjekura nga Durrësi me 151 dhe Fieri me 81. Sipërmarrjet e mëdha në qytetet e tjera janë më pak se 70.
Kompanitë e huaja, ndryshe nga prirja totale e ekonomisë shqiptare tentojnë të jenë më të mëdha. Sipërmarrjet e huaja dhe ato me kapital të përbashkët, që punësojnë më shumë se 50 persona përbënin 6% të totalit, ndërsa pesha e atyre me më pak se 4 të punësuar është 71%.
Pjesa më e madhe e të huajve që kanë hapur një biznes në Shqipëri, vetëm apo me ortakë shqiptare, kanë preferuar tregtinë dhe shërbimet, që përbëjnë së bashku 60% të totalit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.