Që kur ka nisur epoka e futbollit modern, për shumë në vitet 2000, çdo Kampionat Botëror Futbolli për kombet ka përfaqësuar një moment të rëndësishëm zhvillimi ekonomik për vendin pritës.
Janë të shumta veprat arkitekturore të ndërtuara në këto vende, rreth të cilave është krijuar një qarkullim i rëndësishëm ekonomik dhe një përmirësim ekonomik i një niveli të caktuar.
Duke pasur parasysh ndërtesat gjigante në shkretëtirë, si për shembull stadiumet e ndërtuara në Afrikën e Jugut dhe në Brazil, shumë prej të cilave tashmë janë braktisur, jo gjithnjë organizimi i një Kampionati Botëror përputhet me një zhvillim të rëndësishëm ekonomik në atë vend.
Ndikimi ekonomik relativ
Sipas burimeve të brendshme në Moody’s Investors Service, Botërori i Futbollit në Rusi do të ketë ndikim të kufizuar në kompanitë ruse të kuotuara në bursë, duke përfshirë edhe bankat dhe qeveritë rajonale. Kjo sepse, pjesa më e madhe e përfitimit ekonomik është arritur falë shpenzimeve për infrastrukturën, edhe pse në këtë rast, ndikimi është i kufizuar. Duhet thënë se investimet që lidhen me Kupën e Botës në periudhën 2013-‘17 përfaqësojnë vetëm 1% të investimeve totale të Rusisë.
Ndër të tjera, Kampionati zgjat vetëm një muaj dhe stimujt ekonomikë që lidhen me të do të jenë të ulëta krahasuar me dimensionet e ekonomisë ruse, me një qarkullim prej 1,3 trilionë dollarësh. Sipas Kristin Lindow, zv.president dhe analist i Moody’s “nuk duhet të presim që Botërori të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në një rritje ekonomike më të madhe”.
Megjithatë, sipas studimeve të kryera të platformës së vlerësimit, është regjistruar një përmirësim global në sektorin e transporteve dhe infrastrukturës së shërbimeve publike. Në këtë periudhë janë rritur shumë të ardhurat neto të hoteleve, sektorit të telekomunikacioneve, sektorit të transportit, edhe pse duhet theksuar se ndikimi do të jetë unik dhe i përkohshëm.
Transportet dhe bankat
Është e qartë se aeroportet në Moskë janë ndër përfituesit kryesorë, pasi mjetet e transportit dhe aviacionit të kryeqytetit rus, siç mund të parashikohet lehtësisht, do të përballen me flukset me të mëdha të pasagjerëve, pas Kampionatit Botëror të Futbollit. Sa u përket kompanive të ndërtimit, që u kujdesën për ndërtimin e stadiumeve, për të siguruar funksionimin e duhur të kompeticionit, e kanë ndier në mënyrë pozitive ndikimin ekonomik të Botërorit.
Ndërsa për bankat ruse, Kampionati Botëror i Futbollit duket se nuk do ta trondisë stabilitetin e tyre – vlerësimet e të ardhurave shtesë nga transaksionet, si pasojë e fluksit të turistëve, vështirë se do të jenë më të larta se 1% e fitimit total të sektorit të regjistruar këtë vit. Gjithnjë sipas agjencisë së vlerësimeve, ekspozimi i bankave lidhur me aktivitetet për përgatitjen e Kupës së Botës, nuk duhet të ndikojë negativisht në aktivet e bankave ruse, pra do të mbeten të qëndrueshme, kjo edhe sepse kanë mbështetjen e qeverive lokale dhe federale, një ndër fuqitë ekonomike më të rëndësishme të vendit euroaziatik.
Agjencia e vlerësimit Moody’s paralajmëroi se ka vënë re “një ndikim ekonomik mjaft të kufizuar në nivel kombëtar, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e Kampionatit Botëror dhe përmasave të mëdha të ekonomisë ruse”.
Në thelb, sipas Moody’s, hotelet, sektori i telekomunikacionit dhe transportet kanë përfituar nga një rritje e përkohshme ekonomike në të ardhura, por duke mos ndikuar në mënyrë më vendimtare në një rritje të madhe në ekonominë globale ruse.
Por si në çdo ngjarje të rëndësishme, ka dhe një zë tjetër. Vlerësimet e Moody’s janë në kontrast me një sondazh të qeverisë ruse, pak ditë më parë. Sipas rezultateve të sondazhit, Kompeticioni do të ketë ndikim të konsiderueshëm, flitet për 26 – 30 miliardë dollarë që do të regjistrohen nga viti 2013 deri më 2023. Këto shifra mbështeten kryesisht në të ardhurat që priten nga turizmi në rritje, nga aktiviteti i kompanive të ndërtimit në një shkallë të gjerë dhe nga ndikimet që do të vijnë nga një sërë investimesh të qeveritare. Në total, sipas sondazhit, janë shpenzuar 11 miliardë dollarë për të organizuar Kampionatin Botëror të Futbollit.
Ndër të tjera, sipas raportit, me Botërorin e Futbollit janë hapur rreth 220 mijë vende të reja punë, një shifër që nuk duhet të nënvlerësohet për një vend që ende kërkon stabilitet në botën kapitaliste.
Në përgjithësi, perceptimi është se Botërori i Rusisë do të sjellë përfitime afatshkurtra në ekonominë e vendit, edhe pse në një hapësirë të vogël gjeografike. Për të ardhmen, do të në duhet të presim.