Demografja Majlinda Nesturi shpjegon disa nga faktorët që kanë çuar në uljen e lindshmërisë. Ajo thotë se gratë duhen të çlirohen nga ngarkesa e dyfishtë që lindshmëria të mund të rikuperohet…
Zonja Nesturi, si i konsideroni ju zhvillimet më të fundit në rënien lindshmërisë?
Nëse do t’i referoheshim numrit absolut të lindjeve, vihet re qartë një rënie e konsiderueshme në numrin e tyre, nga 82 mijë në 1990 në 32 mijë lindje në vitin 2015.
Lindshmëria te personat në moshë riprodhuese sot është e ndryshme nga ajo e prindërve të tyre, si në lidhje me numrin mesatar të fëmijëve për grua (indeksi sintetik i fekondimit) ashtu sa i përket edhe karakteristikave strukturore (moshës). Gjatë viteve 2000, indeksi sintetik i fekondimit në Shqipëri ra nën nivelin e zëvendësimit, i cili përcaktohet si 2.1 fëmijë për grua. Për herë të parë në historinë e lindshmërisë së Shqipërisë, Indeksi Sintetik i Fekondimit ishte më pak se 2 fëmijë për grua pas vitit 2003.
Cilat janë arsyet?
Sot gratë që lindin fëmijën e parë janë mesatarisht më të mëdha në moshë sesa nënat e tyre dikur. Deri në fillim të viteve 2000, modeli tipik i familjes në Shqipëri, ishte një çift i martuar me dy fëmijë. Mosha mesatare në lindjen e parë ka shënuar një rritje të lehtë gjatë 10 viteve të fundit, duke shënuar moshën 24.5 në vitin 2014. Megjithatë çfarë është e dukshme është se në krahasim me të shkuarën, njerëzit fillojnë të krijojnë familje në një moshë më të madhe dhe tentojnë të kenë më pak fëmijë. Kohët e fundit, gjithashtu familja është bërë më pak e qëndrueshme si pasojë e normës në rritje të divorceve.
Përveç Indeksit Sintetik të Fekondimit, një tregues i rënies së lindshmërisë është edhe koeficienti bruto dhe neto i riprodhimit, të cilët matin numrin e vajzave që lind një grua. Ky indeks në vendin tonë është nën një vajzë për grua, pra një femër nuk arrin të riprodhojë veten. Kjo rënie vjen si rezultat i një fenomeni që shoqëria jonë vazhdon të përjetojë, selektimi gjinor në lindje. Nga ana tjetër, edhe përdorimi i metodave moderne kontraceptive ka dhënë ndikimin e saj në reduktimin e lindshmërisë.
Çfarë projeksionesh keni ju për të ardhmen?
Megjithëse njohja dhe përdorimi më i gjerë i metodave moderne kontraceptive mund të ofrojë reduktim të mëtejshëm të numrit të fëmijëve në të ardhmen, brezat e rinj të femrave që arrijnë moshën e riprodhimit dhe të punës, priren të jenë më të arsimuara sesa në të kaluarën, madje edhe më mirë se burrat. Kjo mund të rezultojë në një pjesëmarrje më të madhe në fuqinë punëtore dhe një pabarazi gjinore më të ulët në tregun e punës. Nëse në të njëjtën kohë, shumë institucione sociale mbeten mbrapa në emancipimin e gruas dhe vazhdojnë disproporcionalisht të ngarkojnë gratë me detyrat familjare, siç ndodhi në vendet si Italia, Spanja dhe Greqia, barra e dyfishtë e punës dhe përgjegjësitë private mund të çojnë në një lindshmëri shumë të ulët, siç po ndodh aktualisht në këto vende mesdhetare. Kjo tendencë po prek edhe vendin tonë, ku numri i lindjeve sipas projeksioneve do të vazhdojë të bjerë me ritme të qëndrueshme, duke shënuar përgjysmim të numrit të tyre në vitin 2060, krahasuar me vitin 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.