Të mos ju duket aspak çudi. Ndërtuesit që kanë ngritur godinat me fasada shkëlqyese në zonat më të mira të Tiranës, “nesër” do t’i shohim teksa investojnë në ngritjen e një stalle bagëtish, kapanone për prodhimet e fermerëve apo për agropërpunuesit. E thonë vetë dhe e shohin me seriozitet këtë pjesë, si për të treguar se tani që problemet më akute me strehimin u zgjidhën, është koha për të menduar për prodhim. Dhe kur themi nesër, kemi parasysh një pjesë të mirë të sipërmarrësve, ndërsa që tani ka nga ata që po punojnë për ngritje stallash.
Pothuajse të gjithë ndërtuesit e pyetur nga “Monitor” mbi të ardhmen e sektorit, e rendisin bujqësinë si destinacionin e parë. Ndërtime në shërbim të saj, por edhe investime në bujqësi. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës dhe Industrisë, Tiranë, thotë se ndërtuesi është një investitor dhe si i tillë duhet të diversifikojë portofolin e tij të investimeve. Por, sipas tij, hapësirat për ndërtim janë ende të mëdha e të gjera. “Bujqësia, infrastruktura, turizmi, rrugë, kanalizime, janë fusha me hapësirë për investime”.
Hajredin Fratari, president i Konfindustrisë, thotë se ndërtimi po merr një orientim industrial. “Flasim për ndërtime në agroindustri apo në bujqësi. Përveç magazinave të mëdha, interes ka për ndërtimin e stallave”, thotë Fratari.
Por ndërsa Fratari e shikon vetëm si një investitor ndërtues, por edhe një sipërmarrës në bujqësi, Maksim Muçi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, mendon se ndërtuesi duhet të mbetet në profilin e tij. Sipas tij, “ka ende hapësira për të ndërtuar, vetëm se ndryshon fokusi. Nuk do të investohet më në ndërtimin e banesave, por nevojitet të realizohen investime për sektorin e prodhimit, agroindustri e kompani të tjera prodhuese”.
Muçi i sheh ndërtuesit si të tillë edhe në të ardhmen, ndërsa mendon se duhet të jetë dikush tjetër që të zhvillojë tregun, duke “shfrytëzuar” për ndërtimin e objektit tregtar apo prodhues, pikërisht kompanitë ndërtuese.
Për këtë pjesë të ndërtimeve, ata kanë edhe një kërkesë, ndaj qeverisë që ka pezulluar lejet e ndërtimit deri pas zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm.
Sipas tyre, ndërtimet për bujqësinë nuk duhet të pezullohen, pasi ka pak investime në bujqësi dhe ka një interes të madh për ngritur ferma blegtorale.
Fratari
Përveç magazinave të mëdha, ka interes për ndërtimin e stallave
Muçi
Ndërtuesit drejt objekteve tregtare e prodhuese. Investitorë të jenë të tjerët
Jaka
Ndërtuesit duhet të diversifikojë portofolin e tyre të investimeve
Turizmi, një tjetër destinacion
Sipas Hajredin Fratarit, president i Konfindustrisë, hapësirat e ndërtimit janë në turizëm, ndërsa do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme pjesa e ndërtimeve për banesa. Për këtë segment të ndërtimit, niveli i kërkesës do të përkojë me rritjen natyrale të popullsisë.
Atëherë ku duhet të fokusohen ndërtuesit në të ardhmen e tyre?! “Ndërtimi duhet të shohë turizmin dhe sektorin imobiliar”,- thotë Fratari. Jo domosdoshmërisht ky turizëm duhet të jetë luksoz. Në zonat malore, një zgjidhje e mirë, sipas tij, do të jenë vilat prej druri, por edhe ndërtimet aktuale në bregdet mund të shfrytëzohen gjatë stinës së dimrit për pensionistët e Europës Veriore e Perëndimore. Me të ardhurat mujore që kanë nuk ia dalin dot në vendet e tyre të ftohta, dhe një zgjidhje e mirë për ta (dhe për ne) do të ishte zhvendosja e tyre në zonën bregdetare të Shqipërisë, për disa muaj të vitit.
Por, edhe për këtë pjesë, sipërmarrjet kanë një kërkesë për qeverinë: Ajo duhet të zgjidhë çështjen e aeroportit duke hapur dhe aeroporte të tjerë dhe duke krijuar mundësinë e futjes së linjave low cost.
Kërkesa
Duhet të zgjidhet çështja e aeroportit duke hapur dhe aeroporte të tjerë dhe duke krijuar mundësinë e futjes së linjave low cost.
Riciklimi, destinacioni i kaluar i ndërtimit
Janë bërë vite tashmë që ndërtuesit e kuptuan se nuk mund të vazhdonin vetëm me këtë sektor dhe shumë prej tyre, që u vunë në kërkim të gjetjeve të reja, mësynë në industrinë e riciklimit. Por, përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit, tregojnë se edhe aty kolegët e tyre hasën jo pak probleme të kombinuara mes panjohurive të vetë sipërmarrësve për këtë sektor, por edhe problemeve specifike që kjo industri ka me ndryshimet e vazhdueshme të ligjeve të mjedisit.
“Zemra” e Tiranës, gjithnjë me interes
Kur flitet për largim të investimeve nga ndërtimi nuk kemi parasysh zonën brenda Unazës së Vogël të Tiranës. Për atë pjesë banorë e ndërtues janë të interesuar, ndonëse vlerësimi i çmimit vendos kufirin e ndarjes mes tyre.
Pavarësisht pezullimit të përkohshëm të lejeve të ndërtimit, sipërmarrësit e shohin me interes këtë zonë, e cila duket se do të ruajë vlefshmërinë e pasurive të paluajtshme për një kohë të gjatë. Aq më tepër kur planet zhvillimore, parashikojnë pallate disakatëshe në zona të ndryshme. Blloqet e parashikuara në planin urbanistik të Bashkisë së Tiranës, fokusohen më së shumti mes ndërtimeve 6 dhe 9-katëshe, një zhvillim që do të gjallëronte ndërtimin në Tiranë.
Shtëpitë e vjetra, të pabanuara, u patën rënë herët në sy zhvilluesve izraelitë të tregut të pasurive të paluajtshme, të cilët patën theksuar se brenda Unazës së Vogël, Tirana mund të zhvillohet edhe një herë aq sa ç’është tani.
Vendimi për të pezulluar lejet e ndërtimit, u justifikua me qëndrimin se do të mundësonte “amortizimin” e stoqeve të mëdha në periferi të kryeqytetit.
Por, ndërtuesit dhe agjentët imobiliarë nuk e presin një gjë të tillë. Sipas tyre, kërkesat për banesë janë të ndara dhe ata që duan të shpenzojnë më shumë për të investuar në një zonë të mirë, do të presin dhe një vit.
Ndërtuesit: Brenda Unazës së Re, kërkesa për apartamente nuk shteron
Ndërtimi në dy vitet e fundit
Mungesa e planeve urbanistike, prishjet edhe të ndërtimeve me leje ose të legalizuara, që bien ndesh me planet urbanistike, por edhe problemet me raportimin dhe metodologjinë e përdorur shpjegojnë pjesërisht faktin se zyrtarisht, 8 qarqe në Shqipëri nuk kanë dhënë asnjë leje ndërtimi për tremujorin e dytë, duke e futur sektorin e ndërtimit në një krizë të thellë dhe me ndikim të fortë në rritjen ekonomike. Ndryshe nga Tirana ku në çdo lagje, sidomos ato me shtëpi të vjetra karakteristike, gjen mure që qarkojnë gropat e pallateve pas lejeve të reja të dhëna dhe miratimit të planit urbanistik, në shumë qarqe nuk raportohet asnjë leje ndërtimi. Sipas të dhënave të INSTAT-it, të publikuara së fundi për treguesit e rritjes ekonomike, qarqet e Dibrës, Durrësit, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës dhe Shkodrës nuk kanë raportuar asnjë leje të re ndërtimi për tremujorin e dytë të këtij viti, duke ulur në 39 numrin e lejeve të dhëna nga 58 që ishte tremujorin e parë të këtij viti dhe nga rekordi prej 210 lejesh ndërtimi në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Rrudhja më e madhe e sektorit të ndërtimit duket se ka ndodhur në Durrës, ku nga 77 leje të dhëna në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, Bashkia Durrësit ka dhënë vetëm një leje në tremujorin e parë të këtij viti dhe asnjë leje për tremujorin e dytë. Nga 12 qarqe në total, vetëm 4 kanë raportuar leje të reja ndërtimi për tremujorin e dytë. Numri i lejeve të ndërtimit ra përsëri në tremujorin e parë të këtij viti, pas dy tremujorësh radhazi në rritje.
Ulja e numrit të tyre ndjek rezultatet negative të prodhimit të sektorit, që gjithnjë sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit, ra me 5.3% me bazë vjetore dhe me 4.5% krahasuar me tremujorin e fundit 2013.
Sipas INSTAT, vlera e ndërtimeve të miratuara në tremujorin e parë të 2014-s ishte 6 miliardë lekë, 64% më pak krahasuar me tremujorin e fundit 2013. Ecuria e tregut të pasurive të paluajtshme duket se nuk e mbështet ende kthimin e qëndrueshëm të investimeve në ndërtim. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e banesave në Tiranë ranë me 10.2% krahasuar me tremujorin paraardhës, duke ndjekur të njëjtën tendencë rënëse të vitit 2013.
QKR, ndërtuesit po shtohen
Të dhënat kontradiktore që vijnë nga sektori i ndërtimit mund të lexohen në disa këndvështrime. Por, duke dashur t’ua lëmë ju këtë pjesë, ju prezantojmë shifrën në rritje të numrit të kompanive të ndërtimit. Ndërsa po flisnim për një sektor që është pjekur, duhet të gjejë shtigje të reja, ka ulur normat e fitimit, e madje ka hedhur para që po “kalben” në stoqet e pasurive në periferitë e qyteteve, Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve, raporton një numër në rritje të ndërtuesve aktivë. Sipas këtyre të dhënave, bizneset aktive të ndërtimit kanë arritur në 5822 këtë vit, duke u rritur më shumë se 8% krahasuar me një vit më parë. Rritja ka vazhduar në tre vitet e fundit sipas INSTAT, kur në 2013-n, numri i kompanive ndërtuese u rrit 14% krahasuar me një vit më parë
“Flluska” e tremujorit të dytë 2014
Rënia vjetore me mbi 22% e aktivitetit të ndërtimit në tremujorin e dytë të këtij viti bëri që ekonomia të kalojë në rënie. Kontributi i këtij sektori në rënien ekonomike ishte (-2,79 pikë për qind), si rrjedhojë, ekonomia rezultoi me një rënie vjetore prej 0.6% në tremujorin e dytë të vitit 2014. Por, siç tregojnë dhe statistikat, rezulton të jetë një zhvillim i përkohshëm, i ndikuar nga politikat që e fokusojnë efektin në periudha të caktuara. Në shpjegimin e një rënie të tillë, gjatë prezantimit të ecurisë së Prodhimit të Brendshëm Bruto, drejtori i Institutit Shqiptar të Statistikave, Gjergj Filipi, theksoi se, “sektori i ndërtimit influencohet më shumë ndaj politikave të caktuara, diskrete, të bëra apo mosbëra nga politikëbërësit në një periudhë specifike dhe tremujori i dytë i 2013, për nga natyra, ka qenë i veçantë, sepse ka pasur një dozë të fortë injeksionesh, të cilat e çuan këtë sektor në një rritje rreth 20% në tremujorin e dytë të vitit 2013, ndaj të njëjtit tremujor të vitit pararendës”.
A.Muçaj
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.