Ekspertët shprehen kundër përqendrimit të lehtësive fiskale në sektorin elitar të turizmit, teksa vendi ka emergjenca të tjera, sidomos në infrastrukturë dhe për më tepër potenciali i zhvillimit turistik të vendit nuk shihet tek hotelet luksoze.
Hapësirat që lënë përjashtimet fiskale dhe shtrembërimi i konkurrencës janë një tjetër shqetësim, ndërsa duket qartë se ky është një lobim në favor të vetëm disa sipërmarrjeve
Lobet e bizneseve në Shqipëri kanë arritur shumë shpesh të ndikojnë mbi politiken në këto 20 vitet e fundit. Heqja e tarifave doganore të birrës, një detyrim që vinte nga anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë u shty për vite me radhë.
Financat e kanë shtyrë disa herë rritjen e akcizës së cigares në linjë me vendet e tjera. Zbatimi i një ligji që parashikonte rregullimin e kazinove dhe tregut të lojërave të fatit është shtyrë disa herë dhe afati më i fundit është mbarimi i 2018-s. Lëshime janë bërë dhe në sektorin e sigurimeve dhe ligjin e arsimit të lartë. Ka ndodhur shpesh që paketa fiskale e propozuar nga ministritë përkatëse të rrëzohej tërësisht në Kuvend, dhe në vend të tyre të miratoheshin ligje të njëanshme në favor të grupeve të caktuara të interesit, apo dhe koncesione të pastudiuara, pasojat e të cilave po i vuajmë sot.
Këtë vit ka mbizotëruar favorizimi i hapur për investimet në hotelet luksoze. Pjesa më e madhe e ndryshimeve ligjore, me përjashtim të uljes së pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, i dedikohej këtij sektori. Hotelet që do të marrin statusin special do të jenë pothuajse të përjashtuar nga taksat. Hotelet me 4 dhe 5 yje do përjashtohen nga tatimi 15% për 10 vitet e para. Për hotelet me 5 yje lehtësitë shtrihen në heqjen e taksës së infrastrukturës (4% e vlerës së projektit), heqjen e taksës së ndërtesës dhe zgjerimin e TVSH-së prej 6% jo vetëm në shërbimin e fjetjes (që e ka gjithë sektori), por edhe për furnizimin e shërbimeve të tjera. Mbi të gjitha, statusi special i lihet në dorë Këshillit të Ministrave, i cili përcakton dhe kriteret dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë kompanitë për ta përfituar atë.
Të gjithë ekspertët e kontaktuar nga Monitor u shprehën kundër përqendrimit të lehtësive fiskale në sektorin elitar të turizmit, teksa vendi ka emergjenca të tjera, sidomos në infrastrukturë dhe për më tepër potenciali i zhvillimit turistik të vendit nuk shihet tek hotelet luksoze. Hapësirat që lënë përjashtimet fiskale dhe shtrembërimi i konkurrencës janë një tjetër shqetësim, ndërsa ata shprehen se duket qartë se ky është një lobim në favor të vetëm disa sipërmarrjeve.
Zak Topuzi, një nga ekspertët më të mirë në fushën e turizmit në vend thotë se jemi të papërgatitur për një hap të shpejtë të zhvillimit të turizmit elitar. Ai shton se lehtësitë fiskle për hotelet me 5 yje do të sjellin çorientim dhe inflacion të çmimeve të shitjeve e deri te çekuilibrimi i tregut të punës në zona të tejngopura si Tirana. Sot vendi ka potencial për një zhvillim të moderuar të strukturave hoteliere, kryesisht ato me 3-4 yje, ndërtimin e një numri të kufizuar resortesh dhe të zhvillojë turizmin familjar duke vitalizuar fshatrat ekzistues, thotë Topuzi.
Për profesor Arben Malaj, ish ministër i financave, çdo Paketë Fiskale duhet të jetë neutrale dhe sa më pak përjashtuese, pasi çdo përjashtim krijon premisa për evazion, konkurrencë jo të drejtë në treg dhe vështirësi në administrimin fiskal. Ai ankohet dhe për mungesën e transparencës që ka shoqëruar hartimin e pakave fiskale vitet e fundit. Malaj propozon të hartohet një moratorium trevjeçar që të “ngrijnë” ndryshimet ligjore në fushën e taksave dhe të reflektohet thellë në lidhje me nevojat për ndryshime dhe potencialet që ka vendi në këtë drejtim. Prof. Malaj rekomandon që në turizëm t’i jepet prioritet shpenzimeve në infrastrukturën e rrugëve, ujit dhe në përmirësimin e kushteve të zonës në tërësi dhe jo drejt yjeve.
Më i ashpër është Sherefedin Shehu, profesor dhe konsulent i lirë. Ai thotë se ulja e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) për hotelet me 5 yje është politikë selektive dhe me rreziqe për të ardhurat buxhetore. E njëjta gjë vlen dhe për heqjen e tatim fitimit, që Shehu thotë se nxit evazionin fiskal dhe në kushtet e një kulture të dobët administrative dhe sidomos të administrimit të dobët tatimor do të rritet artificialisht numri i hoteleve subjekt i përjashtimit.
Selami Xhepa, President i Institutit Europian Pashko shton se mënyra se si është konceptuar paketa e këtij viti për turizmin lë shteg për të besuar se këto janë nisma të lobuar fort nga një grup interesi influencues, me efekte përfituese për një grup të vogël, por jo për një popullatë të gjerë siç është industria e shërbimit turistik. Ai sjell në kujtesë faktin se metodat e përjashtimeve ishin një politikë që përdorej në fillimet e viteve ’90 dhe ato tashmë janë gjetur se janë joefektive, kundërproduktive dhe nuk prodhojnë asnjë përfitim ekonomik për vendin që i zbaton.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike me keqardhje konstaton se qeveria shqiptare, për shkaqe politike, të mungesës së ekspertizës në radhët e saj, por edhe të klimës së përkeqësuar të investimeve në vend, po nxiton me vendimmarrje të tilla gati-gati komprometuese për një qeveri të votuar të një vendi demokratik. Sipas tij, origjina e kapitalit apo përdorimi i fjalës “brand name” nuk josh më askënd dhe shërben thjesht si mbulesë për të justifikuar në publik klientelizmin e elitës politike drejtuese të vendit.
Oltion Rrumbullaku, profesor i çështjeve fiskale në Fakultetin e Ekonomisë thotë se në Shqipëri mungojnë strukturat hoteliere masive që mund të akomodojnë grupe të mëdha të organizuara turistike dhe Ligji për Investimet Strategjike duhet të përdorej në mënyrë më të drejtpërdrejtë për këtë qëllim. Ai sheh si pengesë edhe qasjen e biznesmenëve vendas për të përdorur bregdetin për investime rezidenciale, që nuk mund të jenë të panumërta.
Profesor Adrian Civici, është i vetmi që shprehet pozitiv për këto lehtësi fiskale. Ai është i mendimit që Shqipëria ka nevoja urgjente ta modernizojë sektorin dhe ofertën e saj turistike edhe me këtë segment që konsiderohet si “ofertë turistike luksi”. Nuk është e vërtetë që kërkesa turistike në Shqipëri nuk i përket kësaj kategorie, pohon ai.
Më herët, edhe përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke është shprehur në një intervistë për Monitor kundër këtyre lehtësive pasi “Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiscal”.
“Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime”, ka deklaruar FMN.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.