Këshilli i Investimeve, në një anketim që bëri me bizneset e import -eksportit, arriti në përfundimin se çmimet e referencës vijojnë të jenë shqetësimi kryesor në aktivitetin e tyre
Bizneset e import-eksportit që e kanë punën e tyre të lidhur më së shumti me doganat vijojnë të kenë si shqetësim kryesor aplikimin e çmimeve të referencës nga administrata doganore për efekte të vjeljes së taksave.
Këshilli i Investimeve, në një anketim që bëri me bizneset e fushës në lidhje me procedurat doganore, gjeti se ende vazhdon të ketë paragjykim nga administrata doganore për faturat e mallrave që importohen, duke zbatuar për pasojë çmimet e referencës.
Nga hulumtimet ka dalë se doganat aplikojnë zbatim të ndryshëm të çmimeve të referencës në degë të ndryshme doganore. Sipas disa bizneseve, mosfunksionimi i praktikave shikohet si një mundësi më e madhe për gjykim subjektiv dhe shpeshherë dhe arbitraritet. Ka raste kur edhe për mallrat që vijnë nga vendet e BE-së, megjithëse nuk konsiderohen si vende me risk origjine, sërish ka zbatime të diferencuara të çmimeve të referencës.
Standarde të dyfishta
Në të paktën dy raste të raportuara në Sekretariatin e Investimeve, janë evidentuar praktika të ndryshme të vlerësimit doganor për të njëjtin mall, nga njëra degë doganore në tjetrën. Sipas DPD, në zbatim të rekomandimeve të OBT-së, që nga muaji maj i 2016-s, megjithatë sipas DPD, jo gjithmonë është i mundshëm unifikimi i vlerësimit të mallrave, pasi vlera reale e tyre përcaktohet nga tregues të shumtë të cilat ndikojnë në çmimin e mallrave.
Nga disa biznese, përfshirë edhe agjenci doganore, është raportuar se çmimet e referencës janë zbatuar edhe për rivlerësimin e kostove të transportit ndërkombëtar të mallrave me kontejner, duke u konsideruar kjo e ndarë nga vlera e mallit. Konkretisht, ka raste kur për një faturë importi për qëllime të vlerës doganore të mallit njihet fatura (vlera e transaksionit), edhe pse malli i importuar është nga Kina, ndërsa për të përcaktuar vlerën e transportimit ndërkombëtar me kontejner zbatohen çmimet referuese prej 2.100 USD apo 4.200 USD në varësi të madhësisë së kontejnerit, edhe pse fatura e pagimit të transportit bëhet në rrugë bankare brenda Republikës së Shqipërisë dhe transaksioni është lehtësisht i gjurmueshëm.
Lista e të dhënave të disponueshme (çmimet e referencës) është e publikuar në faqen e internetit të DPD, megjithëse jo lehtësisht e identifikueshme. Sekretariati i investimeve vë në dukje se nuk është e qartë data e përditësimit të listës. Raportohet se ka produkte që çmimet janë të papërditësuara prej më shumë se një viti, ose kur çmimet e referencave për produkte të caktuara janë prej kohësh më të ulëta se çmimi i produkteve në tregun ndërkombëtar (p.sh. gomat).
Zbatimi i çmimeve të papërditësuara me ecurinë e tregjeve (si p.sh. Elektronika dhe produkte teknologjike, pajisjet elektroshtëpiake, transporti i kontejnerëve, pllaka, etj.) krijon zinxhir pasaktësish në rast aplikimi të tarifave doganore, në çmimet e tregut të brendshëm dhe deklarime të dyfishta të bizneseve.
Deformimi zinxhir
Rivlerësimi në bazë të çmimeve të referencave ndikon drejtpërdrejt në taksën doganore/TVSH të paguar nga subjekti dhe krijon problematika të konkurrueshmërisë në treg. Sipas një këndvështrimi, zbatimi i çmimeve të referencës kufizon konkurrencën e hapur dhe parimet e ekonomisë së lirë të tregut, zbeh lirinë kontraktore të palëve për të negociuar në ulje çmimin e mallrave mbi bazën e volumit të blerjeve apo për shkak të klauzolave të ekskluzivitetit. Nga ana tjetër, zbatimi i çmimeve të referencës nga ana e administratës doganore shikohet si mundësi për t’u mbrojtur nga kërcënimi i humbjes së të ardhurave doganore si rezultat i përdorimit të faturave fiktive nga bizneset, apo edhe si mekanizëm i mbrojtjes së tregut. Sipas DPD, ka pasur raste kur vetë bizneset kanë kërkuar aplikimin e çmimeve të referencës duke iu referuar bursave ndërkombëtare për të qenë njësoj konkurrentë në tregun shqiptar. Megjithatë, në të dyja këndvështrimet pranohet se përdorimi i çmimeve të referencës duhet të konsiderohet si përjashtim për përcaktimin e vlerës doganore të mallrave dhe jo si rregull. Edhe në rastin kur zbatohen, administrata doganore duhet të njoftojë me shkrim importuesin mbi metodën e zbatuar dhe arsyet e zbatimit të kësaj metode, vë në dukje Sekretariati i Këshillit të Investimeve.
Sipas bizneseve çmimet e referencës krijojnë një ngërç në marrëdhënien me Autoritetin Doganor dhe atë Tatimor. Kodi doganor ka parashikuar përcaktimin e vlerës doganore, sipas të dhënave të disponueshme si metodën e fundit alternative në radhë. Megjithatë, bizneset e kontaktuara shprehen se në rastet kur administrata doganore nuk njeh vlerën e transaksionit, kalohet menjëherë te çmimet e referencës, pa u argumentuar arritja e këtij përfundimi. Autoriteti doganor vendos çmimet e referencës, edhe kur operatori ekonomik depoziton dokumentacionin që shoqëron çmimin e paraqitur në doganë (invoice, kontrate, swift payment) dhe argumentet përkatëse. Bizneset pretendojnë se në disa raste, administrata doganore nga ana procedurale nuk shteron të gjitha mjetet për të kërkuar informacion dhe dokumente shtesë apo sqarime nga biznesi në lidhje me transaksionin duke mos investiguar ekzistencën e “dyshimit të arsyeshëm”, por duke e prezumuar vlerën e transaksionit si fiktiv.
Mungon transparenca
Gjithashtu, ka pretendime nga bizneset se autoritetet doganore nuk njoftojnë me shkrim operatorët ekonomikë lidhur me metodën alternative (çmimin e referencës) të ndjekur dhe arsyetimin përkatës për rivlerësimin doganor. Kjo praktikë e privon operatorin ekonomik nga mundësia reale për t’u përgjigjur, në shkelje të pikës 81 të Dispozitave Zbatuese të Kodit Doganor dhe e bën të gjithë procedurën jo transparente. Bizneset pretendojnë se edhe në rastet kur komunikohet zbatimi i çmimeve të referencës, arsyetimi i autoritetit doganor është sipërfaqësor, duke krijuar edhe më shumë paqartësi tek biznesi për arsyet e mosnjohjes së vlerës së transaksionit. Respektimi i elementeve procedurale dhe materiale (që lidhen me arsyetimin dhe përmbajtjen e vendimit të administratës doganore), i shërbejnë gjykatave për të marrë vendim në rastin e mosmarrëveshjeve për çmimet e referencës midis operatorëve ekonomikë dhe administratës doganore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.