“Plus”, fokusi tek inovacioni

25/06/2012 2:47 PM 0 komente

Intervistë me znj. Floreta Zhulali, drejtore e divizionit të Marketingut në “Plus Communication”

Ka qenë i dukshëm agresiviteti i kompanisë më të re celulare, “Plus”, gjatë pjesës së parë të këtij viti, si në oferta ashtu dhe në promovimin e tyre në median e shkruar dhe vizive. Agresivitet që duket se i ka dhënë efektet në shtimin e numrit të abonentëve dhe të ardhurave të operatorit. Në një intervistë për “Monitor”, znj. Floreta Zhulali, drejtore e divizionit të Marketingut në “Plus Communication”, flet për ecurinë e kompanisë dhe fushatën më të fundit që kanë hedhur në treg.

 

Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj gjatë pjesës së parë të këtij viti (numri i abonentëve dhe ritmet e rritjes në krahasim me fundin e vitit? Si do ta vlerësonit këtë ecuri në krahasim me pritshmëritë tuaja?

Ne këtë vit hymë shumë entuziastë dhe të kënaqur nga arritjet e vitit të kaluar. 2011-a na tregoi se ishim në rrugën e duhur dhe se na priste një vit i ri edhe më i vrullshëm, me shumë punë, por edhe shumë premtues. Gjashtë muajt e parë të tij konfirmuan plotësisht pritshmëritë tona. Në momentin që flasim, baza e abonentëve të “Plus” ka arritur në rreth 573.266, që e përkthyer në përqindje është një rritje impresionuese prej 44.4% në raport me fundin e vitit të kaluar. Po kaq e kënaqshme ka qenë për ne të shohim rritjen në përqindjen e tregut (market share) sa i përket të ardhurave nga 2% në fund të 2011-s në 5% në mesin e këtij viti, një rritje e konsiderueshme kjo, në një kohë kur të ardhurat e industrisë në përgjithësi vazhdojnë të pësojnë rënie.

I kuptojmë këto rritje si shprehje e besimit dhe kënaqësisë së klientëve tanë ndaj produkteve, shërbimeve, tarifave dhe cilësisë maksimale që prej dy vjetësh tashmë “Plus” ofron. Jemi përpjekur të jemi inovatorë dhe konkurrues, të kontribuojmë në shtimin e larmishmërisë dhe të zgjedhjeve për konsumatorin shqiptar dhe po ia dalim me sukses.

 

Ju keni qenë shumë agresivë në marketing muajt e fundit. Pse dhe cilat kanë qenë rezultatet e matshme të kësaj strategjie?

Komunikimi mediatik, në të vërtetë, është pjesa më e dukshme, është mënyra se si ne shfaqemi dhe afishojmë punën tonë, por sigurisht nuk do të na jepte mundësinë të shfaqeshim agresivë nëse imazhi që kemi krijuar, nuk do të përputhej realisht me atë që ne bëjmë dhe ofrojmë. Po, kemi qenë agresivë, sepse kemi pasur ç’ofrojmë: shumë produkte të reja dhe shërbime cilësore. Mbi të gjitha, kemi qenë shumë inovatorë, duke sjellë në treg risi absolute në dizenjimin e produkteve, që jo vetëm janë pëlqyer nga klientët, por edhe kanë marrë vlerësimin e konkurrentëve tanë direkt, që në disa raste na kanë ndjekur në gjetjet tona. Me sa duket, ky vit po na konfirmon dhe si lider në treg i inovacioneve dhe i sjelljes së metodave të reja në treg.

Rezultatet sigurisht, së pari, konfirmohen nga biznesi dhe shifrat e mësipërme, si dhe rritja në pjesën e tregut flasin qartë për këtë. Sidoqoftë, duhet thënë se edhe treguesit e tjerë të interesit që kemi arritur të tërheqim përmes mënyrës se si kemi bërë marketing kanë qenë domethënës. Jehona në rrjetin social “Facebook”, apo dhe komentet dhe interesimi pranë linjës sonë për kujdesin ndaj klientit, kanë qenë impresionuese. Shpeshherë komentet e marra kanë qenë kaq krijuese, sa kemi menduar që shumë shpejt mbi to do të mbështesim një nga fushatat tona të ardhshme.

 

Mund të na thoni diçka më tepër për fushatën tuaj më të fundit? Cilat janë mesazhet e saj dhe sa konkurrente janë ato në treg. Pse u zgjodh të vazhdohej sërish me spotet me humor (spoti me Ermalin), mesazhi që jep ai, kush e realizoi spotin?

Fushata jonë e fundit tërheq vëmendjen ndaj paketave të reja javore dhe mujore që “Plus” ka ridizenjuar për të ofruar edhe më shumë për të gjithë abonentët e tij. Është pa dyshim dhe pa modesti oferta më e mirë dhe agresive në treg. Kushdo disi i vëmendshëm dhe me dëshirën për të analizuar me kujdes çfarë ofron tregu momentalisht, nuk do ta kishte të vështirë të identifikonte në këtë ofertë një mundësi për të mos u humbur. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme. Duam që të gjithë të jenë në gjendje të kuptojnë qartë atë që ne ofrojmë. Për këtë arsye kemi zgjedhur të jemi shumë transparentë dhe në gjuhën e terminologjinë që kemi përdorur në komunikim. Kemi futur për herë të parë termin “thirrje brenda PLUS-it” dhe “thirrje jashtë PLUS-it”, ndryshe nga praktika aktuale e tregut që në thirrjet kombëtare përfshin si thirrjet brenda, ashtu dhe ato jashtë rrjetit.

Në spotin televiziv të realizuar, kemi dashur të jemi të qartë dhe njëkohësisht të afërt për të gjithë. Gjuha e përzgjedhur edhe në këtë fushatë është ajo e humorit, sepse fushata që i parapriu, si dhe të gjithë kërkimet e tregut na çuan në përfundimin se kjo do të na ndihmonte ta arrinim këtë. Personazhi i zgjedhur, gjithashtu shkon në linjë me këtë ide, pasi jo vetëm është një personazh i njohur për humorin e tij të natyrshëm, por mbi të gjitha është personazh shqiptar dhe ndër më të dashurit në vend për të gjitha grupmoshat.

Fabula është shumë e thjeshtë: “Plus” është kaq bujar me abonentët e tij, sa atyre u duhet të gjejnë një mënyrë për të konsumuar gjithë çka u ofrohet. Ermali sugjeron mënyrën e tij. Ndërkohë në një kohë shumë të shkurtër kanë filluar të na vijnë dhe reagime, sugjerime dhe ide me të cilat abonentët tanë, e jo vetëm, po na surprizojnë pozitivisht çdo ditë. Nga ana tjetër, edhe “Plus” ka filluar të mendojë dhe planifikojë surprizën e radhës për ta.

Spoti televiziv është realizuar nga “New Moment”. Ky është bashkëpunimi i dytë shumë i kënaqshëm që kemi pasur me këtë agjenci, e cila ka dhënë një kontribut të vlefshëm në arritjet dhe suksesin e fushatës.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of