Risillet në Kuvend ligji për ndërmjetësit në zgjidhjen e marrëveshjeve, i cili parashikon që të zgjerojë rrethin e konflikteve për të cilin mund të merret ndërmjetësues.
Relacioni i pr.ligjit “PËR NDËRMJETËSIMIN NË ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE” tregon se një ndër arsyet e ndryshimeve që parashikohen të reflektohen në ligj është se ligji aktual ka pasur mangësi në aplikim dhe impakti i ndërmjetësve ka qenë i ulët.
Një nga risitë e projektligjit është forcimi i strukturave dhe i mënyrës së veprimtarisë së tyre është një nga risitë e këtij drafti. Më konkretisht, është parashikuar forcimi dhe pavarësia e Komisionit të Licencimit të Ndërmjetësve, si një organizëm që ka raporte të tilla me DHKN sa të mos e dëmtojnë pavarësinë e tij në procesin e dhënies së licencave të ndrëmjetësve. Janë specifikuar kompetencat dhe mënyra e formimit të organeve kryesore të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve: Mbledhja e përgjithshme dhe Kryesia e Dhomës duke u dhënë mënyra e formimit dhe zgjedhjes së tyre, votimi, rotacioni, mandati, etj.
Një nga risitë e projektligjit lidhet me zgjerimin e rrethit të konflikteve që mund të zgjidhen me ndërmjetësim. Kështu, ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe për çështjet me natyrë administrative që lidhen me shpërblimin e dëmit të ardhur si rezultat i zbatimit të akteve dhe vendimeve administrative, si dhe për zgjidhjen e pasojave që mund të vijnë për një palë, individ apo person juridik nga procesi i anullimit ose i shfuqizimit të tyre. Po ashtu,
Ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe në rastin e konflikteve midis shtetasve shqiptarë kundër Republikës së Shqipërisë si rezultat i procedurave të gjykimit në GJEDNJ. Ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe rastin e mosmarrëshjeve ndërkufitare tregtare dhe
mosmarrëveshjet në fushën detare), mbështetur në ligjin model të UNCITRAL-it.
Një risi tjetër e parashikuar është se procedura e ndërmjetësimit në fushën civile dhe tregtare përfundon me kalimin e një afati deri në 30 ditë nga vendimi i gjykatës për pezullimin e gjykimit për shkak të paraqitjes së kërkesës së palëve për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim.
Për mosmarrëveshjet me karakter pasuror që lidhen me të drejat e pronësisë ose të bashkëpronësisë, pjesëtimin e pasurisë, paditë për kërkimin e sendit, për paditë mohuese e për paditë për pushimin e cënimit të posedimit, mosmarrëveshjet që rrjedhin nga mospërmbushjet e detyrimeve kontraktore, si dhe ato që kanë si objekt shpërblimin e dëmit jashtë kontraktor me vlerë nën 1.000.000 lekë, ndërmjetësimi është i detyrueshëm paraprakisht para fillimit të shqyrtimit të çështjes gjyqësor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.