Turizmi i shëndetit është një forcë në rritje, e cila po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe dhe më të veçantë kudo në botë.
Gjithnjë e më shumë turistët drejtohen jashtë vendit për të marrë kujdes mjekësor me cilësi të lartë, ose thjesht për të pushuar apo për t’u çlodhur në vendpushimet e orientuara drejt turizmit shëndetësor.
Në të gjithë globin, vendet që po shënojnë numrin më të madh të turistëve, janë pikërisht ato që po e zgjerojnë gjithnjë e më shumë këtë treg.
Cesme, një prej qyteteve më të njohura në Turqi për ujërat e saj termale, po e forcon shumë turizmin shëndetësor. Pikërisht në vijim të zgjerimit të tregut në këtë drejtim, një studio arkitekturore sllovene, ENOTA, u përzgjodh ndër shumë të tjera për të vënë në jetë projektin e ndërtimit të resortit Trtusa Oasis.
Në terma praktikë, koncepti i studios arkitekturore nënkupton ndarjen e zonës së projektit nga konteksti i tij urban, ndërtimin e zonave të gjelbra në përputhje të plotë me strukturën ishullore në qendër të të gjithë projektit.
Çdo bllok ngrihet dhe ulet përgjatë gjithë terrenit lundrues, me një numër të caktuar katesh të vendosur në funksion të secilës hapësirë.
Atriumet e brendshme janë një nga elementet kryesore të dizajnit të këtij resorti. Gjatë dimrit, shumica e tyre mbulohen me kupola xhami, duke lejuar në këtë mënyrë depërtimin e rrezeve të diellit si dhe njëkohësisht duke ruajtur ngrohtësinë. Në pamje të parë, ato duken sikur janë të shkëputur nga njëra-tjetra por në të vërtetë janë të lidhura me anë të një rrjeti nëntokësor.
Ky projekt pritet të jetë një prej qendrave më të suksesshme të turizmit shëndetësor, ku harmonia midis peizazhit që e rrethon dhe funksionaliteti është thuasje e përsosur.