Një projektligj i ri për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare detyron bizneset e mesme dhe të mëdha të publikojnë në web-et e tyre pasqyrat financiare vjetore.
Projektligji që tashmë është bërë gati nga Ministria e Financave dhe është në fazën e konsultimit publik përcakton që “Njësitë ekonomike të mesme, të mëdha dhe ato me interes publik, duhet të publikojnë pasqyrat financiare vjetore edhe në faqet e tyre zyrtare të internetit jo më vonë se 7 muaj nga data e raportimit”.
Ministria e Financave sqaron se me projektaktin e propozuar kërkohet të rregullohet klasifikimi i njësive dhe grupeve ekonomike, parimet dhe standardet që duhet të përmbushin njësitë ekonomike për përgatitjen e pasqyrave financiare dhe mbajtjen e kontabilitetit, përditësimi i terminologjisë.
Projektligji përcakton pasqyrat financiare që duhet të përgatisin njësitë apo grupet ekonomike, në varësi të kategorisë së cilës i përkasin;
Gjithashtu rregullohet përgjegjësia për hartimin dhe nënshkrimin e pasqyrave financiare (ky rregullim i munguar ka krijuar problematika të ndryshme sidomos në rastet kur përdorues të pasqyrave financiare janë përfaqësuesit tatimorë, duke krijuar kështu premisën për krijimin e një tregu informal brenda profesionit), sqaron Ministria e Financave.
Më tej, ligji i ri lehtëson barrën e raportimit financiar për personat fizikë, për mikro njësitë të cilave u kërkohet të paraqesin vetëm pasqyra të thjeshtuara si dhe njësitë ekonomike të vogla, duke u kërkuar të hartojnë vetëm dy pasqyra financiare.
Projektligji i ri ka lehtësuar një barrierë ekzistuese për njësitë ekonomike që operojnë në monedha të huaja, duke lejuar tashmë kontabilitetin e tyre në monedhën funksionale gjatë ushtrimit kontabël pa ndryshuar kërkesën që pasqyrat financiare të paraqiten në monedhën vendase;
Drafti i ri për kontabilitetin më tej përcakton përmbajtjen dhe detyrimin për hartimin e raportit të ecurisë së veprimtarisë, raportit jofinanciar, raportit të drejtimit të brendshëm, të cilat japin një pamje të plotë të zhvillimit dhe politikave të ndërmarrjes, si dhe raportit të pagesave që u bëhen autoriteteve shtetërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.