Kreu i Rezervës Federale së SHBA-ve, Janet Yellen, dha në orët fundit të mandatit të saj një goditje të fortë për një nga bankat më të mëdha të vendit: Wells Fargo & Co nuk do të lejohet të rritet derisa të ketë pastruar aktivitetin e saj, shkruan Bloomberg.
Zyrtarët e Fed thanë se ishte modeli i huadhënësit me seli qendrore në San Francisko, që abuzonte me konsumatorët dhe kryente shkelje ligjore, ai që i kishte nxitur për këtë sanksion të pashembullt. Derisa Wells Fargo të adresojë mangësitë në fusha të ndryshme duke përfshirë mbikëqyrjen e brendshme, nuk mund të ndërmarrë ndonjë veprim që do të rrisë asetet totale mbi nivelin e tyre në fund të vitit 2017, pa lejen e Fed. Banka tha se fitimi pas taksave në vitin 2018 do të zvogëlohej me 300 milionë dollarë për të zbritur në 400 milionë dollarë dhe aksionet e saj ranë në tregjet e fundit të premten.
“Ky akt është i ngjashëm me skenën e fundit në filmin “Kumbari “,” tha Isaac Boltansky, një analist në Compass Point Research & Trading.
Akti i Yellen vjen në një kohë kur administrata e Trump po kërkon të kthejë mbrapsht disa nga rregulloret financiare të vendosura pas krizës globale financiare të vitit 2008. Këto lëvizje parashikon lehtësimin e kufizimeve në Zyrën e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit dhe propozimin e rishikimeve për reformat leggjislative financiare të ndërmarra në vitin 2010 në Wall Street, pas krizës financiare.
Wells Fargo filloi të zhytej në një varg skandalesh 17 muaj më parë, duke filluar me njoftimet se punonjësit e degës hapën miliona llogari pa lejen e klientit, me synimin për të realizuar objektivat agresive të shitjeve. Kompania u vu sërish në shënjestër, pasi u zbulua se klientët e huave për auto ishin detyruar të paguanin për sigurimin e padëshiruar të makinës dhe se konsumatorët hipotekorë ishin tarifuar në mënyrë të parregullt.
Të premten në mbrëmje, zyrtarët e Fed thanë ata kishin punuar prej kohësh për këtë çështje dhe se kompania sapo kishte rënë dakord për masat. Njoftimi erdhi disa orë përpara se të përfundonte mandati i Yellen, duke goditur bankën më të madhe në ish distriktin e saj (Ajo ishte presidente e San Francisko Fed nga 2004 deri në vitin 2010).
Rregullatorët nuk mund të lejojnë “shkelje të përhershme dhe të vazhdueshme në ndonjë bankë”, tha Yellen në një deklaratë. Ajo gjithashtu i dërgoi një letër të premten Senatores Elizabeth Warren, një demokrate e Massachusetts, e cila është ndër kritikët më të shquar të bankës dhe industrisë financiare në përgjithësi.
“Banka ka shumë për të bërë për të fituar besimin e klientëve të saj, mbikëqyrësve, investitorëve dhe publikut,” i tha Yellen ligjvënëses. Kufizimi i rritjes “është unik dhe më i rreptë se dënimet që Bordi ka vendosur ndaj ndërmarrjeve të tjera bankare për praktika të ngjashme të pasigurta dhe të paqëndrueshme”.
Warren u përgjigj në një deklaratë: “Vendimi i saj sot demonstron se ne kemi mjetet për të frenuar Wall Street – nëse rregullatorët tanë kanë guximin t’i përdorin ato”.
Asetet e Wells Fargo tani janë fiksuar në 1.95 trilion dollarë. Zyrtarët e Fed thonë se banka mund të vazhdojë të marrë depozita dhe të japë hua për klientët, por duhet të qëndrojë nën këtë kufi.
Fed vendosi 30 shtatorin si një afat përfundimtar për bankën që të përcaktojë reformat, të cilat duhet të vlerësohen nga një firmë e jashtme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.