Bashkimi Evropian rrezikon të hapë derën e një krize tjetër financiare globale, në qoftë se refuzon t’u japë bankierëve të Londrës një marrëveshje të mirë tregtare. Kështu janë shprehur dy ministra të lartë të Britanisë, pasi industria e financave u shfaq si një fushë beteje kryesore për bisedimet e Brexit, shkruan Bloomberg.
Në një artikull të përbashkët për një gazetë gjermane, Kancelari i Thesarit Philip Hammond dhe Sekretari i Brexit David Davis thanë se duan të bashkëpunojnë ngushtë, pasi vendi të largohet nga BE, duke bërë të mundur arritjen e një marrëveshjeje tregtare që mbulon të dy sektorët: mallrat dhe shërbimet financiare.
Kjo do t’i mundësojë të dyja palëve që të vazhdojnë punën e tyre duke siguruar shmangien e “një katastrofë të tillë”, ashtu si kriza e vitit 2008, thanë ministrat në një artikull për Frankfurter Allgemeine Zeitung. “Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona kolektive për të siguruar që ne nuk e rrezikojmë stabilitetin financiar të fituar, duke arritur një marrëveshje që mbështet bashkëpunimin brenda sektorit bankar evropian, sesa duke e detyruar atë të fragmentizohet”.
Ndërhyrja e qeverisë britanike për të arritur një marrëveshje ambicioze tregtare, më shumë sesa BE aktualisht duket e gatshme të ofrojë, realizohet përpara se 27 vendet e tjera anëtare të marrin vendimet e tyre. Davis dhe Hammond kanë ardhur në një vizitë zyrtare në Gjermani të mërkurën, për t’u takuar me grupet e biznesit dhe duke shtuar përpjekjet që rasti i Britanisë të zgjidhet siç duhet.